Nga beteja për shtetin te lufta për pushtetin, Musa Sabedini: Kosova po paguan çmimin e ambicieve dhe kalkulimeve personale
Në një kohë kur Kosova po përballet me një tjetër nyje të rëndë institucionale, debati politik duket se po largohet gjithnjë e më shumë nga interesat strategjike të shtetit dhe po përqendrohet te raportet ndërmjet liderëve, mbijetesat partiake dhe kalkulimet për pushtetin e ardhshëm. Marrëveshja e arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, e cila fillimisht u pa si një mundësi për zhbllokimin e krizës, është përballur me kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, duke e rikthyer pasigurinë institucionale. Në këtë klimë politike, profesori universitar, publicisti dhe gazetari Musa Sabedini për Ekonomia Online, e sheh situatën si simptomë të një krize shumë më të thellë sesa një mosmarrëveshje rreth një kandidature presidenciale.
Sipas tij, në vend të një gare politike për mënyrën se si duhet të ndërtohet dhe forcohet shteti, Kosova po përjeton një përplasje ku interesat personale, ambiciet e liderëve dhe llogaritë partiake po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë.Sabedini vlerëson se, nëse kjo dinamikë vazhdon, një prej pasojave kryesore do të jetë dobësimi i LDK-së dhe pozitës së Lumir Abdixhikut, por edhe konsumimi i mëtejshëm politik i vetë Albin Kurtit.
“Beteja për ta mbrojtur dhe avancuar shtetin e Kosovës ka vdekur pikërisht në kohën e Kurtit. Tash lufta po bëhet për liderin dhe motivet personale”, shprehet Sabedini.
Ai konsideron se marrëveshja ndërmjet LVV-së dhe LDK-së nuk ishte e ndërtuar mbi një konsensus të qëndrueshëm politik, por mbi një terren ku mungonin garancitë e nevojshme brenda vetë subjekteve. Marrëveshja për Bekim Sejdiun u shpall më 31 gusht, por vetëm pak ditë më pas gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesnin kandidaturën, duke e vënë në pikëpyetje zbatimin e saj.
Sipas Sabedinit, pikërisht këtu shfaqet problemi i madh i LDK-së: dallimi ndërmjet vendimmarrjes së strukturave partiake dhe vullnetit individual të deputetëve.“U pa qartë se marrëveshja LVV–LDK nuk ishte e përgatitur si duhet, sepse kishte nënkëmbëza nga të dyja taborët. Nëse e keni vërejtur, Lutfi Haziri gjatë gjithë konferencës publike ka qëndruar indiferent dhe dukej i shqetësuar. Kjo gjendje tregonte se diçka nuk ishte në rregull brenda LDK-së, sepse Luta di të menaxhojë mirë me këto situata”, deklaron Sabedini.
Në fakt, përplasja e brendshme në LDK tashmë është bërë një prej elementeve qendrore të krizës aktuale. Gjashtë deputetë të kësaj partie kanë refuzuar ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut, ndërkohë që kryesia e LDK-së e kishte miratuar atë. Kjo ka dobësuar mundësinë për arritjen e shumicës së nevojshme dhe e ka futur partinë në një prej përplasjeve të saj më serioze të viteve të fundit.
“Kosova po bëhet peng i kalkulimeve politike”
Sabedini e sheh krizën edhe si një problem të kulturës politike. Sipas tij, qytetarët janë duke u përballur me një klasë politike që, në vend se të ndërtojë ura, vazhdon të prodhojë hendeqe.“Kosova dhe qytetarët e saj tashmë janë viktimë e një lideri tekanjoz siç është Kurti dhe e një pjese të opozitës që kanë dëshirë t’ia zgjasin jetën atij, pa prodhuar rezultat konkret në terren”, thotë ai.
Sipas tij, një prej problemeve më të mëdha është fakti se kompromisi politik është shndërruar në një mjet të përkohshëm, ndërsa jo në një parim të qëndrueshëm institucional.
“Ka kaluar koha kur ditën i ofendon, i fyen dhe i kritikon opozitën, ndërsa në mbrëmje u kërkon koalicion e partneritet në qeverisje. Kurti dhe struktura e tij duhet ta shfrytëzojnë këtë situatë për të dalë nga kriza politike”, shprehet Sabedini.
Ai kritikon edhe përqendrimin e madh të pushtetit politik rreth liderëve partiakë, duke argumentuar se mungesa e kundërshtimit të brendshëm dhe e debatit real demokratik i dobëson vetë partitë dhe institucionet.
“Beteja për Kosovën, për mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit, duket se është zëvendësuar nga beteja për pushtetin. Në kohën e Kurtit nuk pati vullnet të mjaftueshëm për kompromis dhe për ndërtimin e përbashkët të institucioneve kryesore, madje as për gjetjen e një presidenti konsensual. Kurti, përkundrazi, sipas vlerësimit tim, ka avancuar drejt një përqendrimi gjithnjë e më të madh të ndikimit politik mbi institucionet, përfshirë sistemin e drejtësisë. Kjo do të ishte një vijë e kuqe për çdo demokraci dhe një dëm potencialisht i pariparueshëm për Kosovën. Përpjekjet për ta fragmentarizuar dhe dobësuar sistemin prokurorial janë pjesë e kësaj qasjeje dhe deri diku kanë arritur të prodhojnë përçarje”, shprehet Sabedini.
Kriza që nuk mbaron te presidenca
Për Sabedinin, çështja e presidentit është vetëm maja e ajsbergut. Problemi më i madh, sipas tij, është paraliza institucionale dhe mungesa e një marrëveshjeje të gjerë politike për funksionimin e shtetit.Kosova ndodhet përballë një situate ku zgjedhja e presidentit është bërë pjesë e një krize më të gjerë për konstituimin dhe funksionalizimin e institucioneve. Seanca konstituive e Kuvendit është planifikuar të vazhdojë më 9 shtator, ndërsa zhbllokimi i institucioneve mbetet i lidhur me aftësinë e partive për të gjetur kompromis.
“Po e shihni që qytetarët, elita intelektuale dhe grupet e tjera të interesit shoqëror çdo ditë e më shumë po bëhen nervozë dhe po u humb durimi. Deri këtu kemi ardhur sepse kështu deshën Kurti dhe përkrahësit e tij të të gjitha ngjyrave”, thotë Sabedini.
Ai e përshkruan situatën si një “kolaps të hapur institucional”, pasojat e të cilit, sipas tij, nuk do të mbeten vetëm në Prishtinë apo në sallat e Kuvendit, por do të reflektohen në ekonomi, administratë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
“Kurti ushtron një ndikim të jashtëzakonshëm mbi partinë dhe strukturat e saj, të cilat, sipas meje, i drejton dhe i monitoron me një kontroll të fortë politik, deri në atë masë sa hapësira për kundërshtim të brendshëm apo për një qëndrim alternativ duket pothuajse e zbehur. Është një model që të kujton regjimet ku lideri përqendron rreth vetes të gjithë autoritetin politik dhe ku mendimi ndryshe vështirë se gjen hapësirë për t’u artikuluar”, shton Sabedini.
Zgjedhjet si rrugëdalje – por jo domosdoshmërisht si zgjidhje
Nëse nuk gjendet një kompromis politik, Sabedini e konsideron të pashmangshme rikthimin te zgjedhjet. Megjithatë, ai paralajmëron se edhe zgjedhjet nuk janë garanci automatike për zgjidhjen e krizës.
“Zgjedhjet janë të pashmangshme nëse nuk ka vullnet për kompromis. Por edhe zgjedhjet janë thikë me dy teha, sepse as ato nuk garantojnë ndryshim apo progres”, vlerëson ai.Kjo është edhe dilema më e madhe e Kosovës sot: të vazhdojë të kërkojë një kompromis ndërmjet forcave politike ekzistuese apo të rikthehet te qytetari përmes zgjedhjeve, me rrezikun që rezultati i ri të prodhojë një tjetër ekuacion të vështirë parlamentar.
Në këtë kuptim, kriza aktuale nuk është vetëm krizë e një presidenti që duhet zgjedhur, e një qeverie që duhet formuar apo e një Kuvendi që duhet konstituar. Është një provë për pjekurinë e klasës politike kosovare.
Sepse, siç e artikulon Sabedini, kur beteja për shtetin zëvendësohet nga beteja për liderin, institucionet bëhen pengje të ambicieve politike.Dhe në fund, çmimin e kësaj përplasjeje nuk e paguajnë vetëm liderët. E paguan Kosova.


