Fundamenti

Fronti i thyer

/ 4 minuta lexim

Nga Milaim Shefkiu – Shtatë muajt e fundit, klasa politike kosovare, pa përjashtuar edhe qytetarët e rëndomtë, kanë kaluar nëpër një periudhë tepër të ndjeshme, me përplasje, polarizime, sharje, arrestime të deputetëve e protestuesve. Gjatë këtyre shtatë muajve, Kosova përjetoi defensivën më të madhe diplomatike e ekonomike, për një kauzë që opozita e quajti më shumë kombëtare sesa qytetare. Pa hyrë në analiza të detajuara se çfarë të mira na solli bllokada legjislative e gjithë sesionit vjeshtor të vitit të kaluar dhe fillimit të këtij pranveror, dua të diskutoj për opozitën, frontin e vetëshpallur antiqeveri.

Njëherë i formuar si VLAN, ndërmjet “Vetëvendosjes”, Aleancës, LDK-së dhe “Nismës”, ky bllok krijoi një ngërç gjashtëmujor, me idenë se nuk duan bashkëqeverisje me PDK-në e Hashim Thaçit. Dhe pas “kapsllëkut”, blloku erdhi në një stad ku nuk arriti ta ruajë kompaktësinë për çka kishte bërë kontratë, por përkundrazi, u thye u bë copë, e madje në vend të reflektimit për unitet, krijoi hasmëri që po ndjehen edhe sot e gjithë ditën.

Kriza e gjysmës së vitit 2014, ishte krijuar nga ambiciet për ndarjen e pushtetit e rrjedhimisht edhe thyerja ndodhi nga lakmia. Fundi i fundit partitë politike janë grupe interesash dhe ndarjet për interes e pushtet mund të konceptohet deri diku si objektive, pavarësisht se në këtë lojë bixhozi dolën “dezertorët” dhe “patriotët”.

Por, këta të fundit qëndruan në front duke krijuar Bllokun Anti-Qeveri, ndërmjet “Vetëvendosjes”, Aleancës dhe “Nismës”. Dhe sikurse në gjysmën e vitit 2014, edhe gjysma e vitit 2015, klasa politike kaloi nëpër të njëjtat sfida, tashmë edhe më frontale, me gaz lotsjellës, grushte, arrestime…

Fundamenti

Arsyeja mbetet aty në gushtin e vitit 2015, kur u nënshkruan dy marrëveshjet “pikante” që ia trazuan “hemorroidet” edhe vetë Qeverisë. Por, ajo që irriton qytetarët në këtë periudhë, pas shtatë muajve, është thyerja edhe e këtij blloku opozitar (VAN), për çështje siç thuhet banale, moskoordinim për protestën e 26 marsit.

Derisa në dhjetor 2014 thyerja e fronit kishte një arsye – joshja me pushtet, tani çfarë të mirash e shtynë bllokun opozitar, respektivisht “Vetëvendosjen” dhe Aleancën t’i thyejnë heshtat. Kjo nuk konceptohet ndryshe, vetëm si dy parti politike konceptualisht të kundërta në mentalitet, që i ka bashkuar ambicia për rrëzimin e Qeverisë dhe eventualisht ardhja në pushtet.

Deklarata që doli pas anulimit të protestës së të shtunës se opozita mbetet e bashkuar kundër Qeverisë, del si gjellë pa krip. Mosmarrëveshjet tanimë janë evidente, kjo po shihet edhe nga deklaratat që i kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive politike, nëpër debate e intervista.

Kjo thyerje e opozitës është sikurse ai i sëmuri me sifiliz, që nuk pranonte t’i hiqej organi gjenital. Por, mjeku ia gjeti solucionin duke i thënë se “nuk ka nevojë me heqë, sepse bie vetë”. Opozita edhe pse nuk e pranon se ka thyerje, kjo tashmë po shihet, është evidente. “Një katund që shihet nuk do kallauz”, thotë populli në ato perlat metaforike. E pas shtatë muajve të krizës, tani ku mbetet kërkesa unifikuese për zgjedhje të parakohshme. Derisa një zë kumbues nuk e bindi koalicionin qeverisës për zgjedhje, disa zëra të mekur nuk çojnë kurrfarë peshe. E rrjedhimisht një çarje ndërmjet bllokut e humb mundësinë për dalje në një listë të përbashkët në zgjedhje, e mosdalja bashkë ua garanton opozitën dhe për një dekadë. Thyerja e frontit opozitar është edhe thyerje e shpresës për ndryshim. Prandaj këtyre tri partive politike, nuk u mbetet gjë tjetër vetëm, siç ka thënë Thaçi, “ta shtien bishtin nën shalë”, e të kthehen në Kuvend.