Uji Dea

Festa e madhe për 100 vjetorin e pavarësisë në Thun

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Në praninë e shumë mysafirëve zviceran dhe shqiptar dhe me shumë këngë, valle, referate dhe recitime është festuar kjo ditë e madhe e pavarësimit të shtetit amë.

“Ti Shqipëri më jep nderë, më jep emrin shqiptar”. Me këto rreshta të shkruara nga bilbili i gjuhës Shqipe, Naim Frashëri, ka filluar mbrëmja festive në Thun me shumë pjesëmarrës dhe mysafir zviceran dhe shqiptar në mesin e tyre Ambasadori i Republikës së Maqedonisë, ekselenca e tij Ramadan Nazifi me zonjën, Kim Mehmeti, publicist, romancier, tregues dhe analist, Ursula Haller, Deputete Nacionale në parlamentin e Zvicrës dhe njëherë edhe Shefe e Drejtorisë për Arsim, Sport dhe Kulturë në Komunën e Thun-it, Fred Hodel, Përgjegjës për Integrim në këtë komunë, Osman Osmani, sekretar sindikal për migracion në Sindikatën Unia, Milaim Rama, futbollist legjendar i Thun-it dhe mysafir të shumtë zviceran përfaqësus të shkollave, komunave dhe institucioneve tjera. Mbrëmjen e organizuar nga shoqata “Atdheu” e Thun-it me rrethinë kanë udhëhequr Teuta Sulejmani dhe Hilmi Gashi.

Në fjalën e hapjes, Xhemshir Zenuni, kryetar i shoqatës “Atdheu” përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi Komunën e Thun-it për mbështetjen në organizimin e kësaj mbrëmje në lokalet e Qendrës Kulturore Schadau. Ai theksoi rëndësinë e kësaj dite për bashkëkombësit tanë të mërguar, të cilët me shumë krenari e festojnë këtë ditë, duke mos i harruar ata, të cilët sakrifikuan shumë për lirinë. “Falë atyre, që dhanë shumë për lirinë, ne sot jemi duke festuar këtë ditë të madhe. Me shumë krenari dhe së bashku me shumë miq zviceran, të cilët na përkrahën dhe po na përkrahin”, ka thënë Xhemshir Zenuni në fjalën e tij me rastin e hapjes solemne të manifestimit.

Urime për festën dhe porosi për bashkëjetesën

Deputetja Nacionale dhe njëherë edhe Shefe e Drejtorisë për Arsim, Kulturë dhe Sport, Ursula Haller, u përqendrua në bashkëjetesën dhe përgjegjësinë e të gjithëve, që kjo të jetë paqësore, pa dallime nga prejardhja, mosha dhe gjinia. “Ne jemi të gjithë krijesa të Zotit”, thotë ajo duke përmendur edhe faktin se është krenare që në këtë qytet të vogël siç është Thuni jetojnë së bashku njerëz me prejardhje të ndryshme. Zonja Haller përkujtoi të pranishmit, se ajo si anëtare e komisionit parlamentar për marrëdhënie me jashtë, ka qenë mbështetëse e fortë e pranimit të Kosovës si shtet. “Pas pranimit zyrtar të Pavarësisë së Kosovës nga Zvicra, kam qenë shumë e gëzuar”, ka vazhduar ajo duke u uruar të pranishmëve festën e Pavarësisë.

Fred Hodel, përgjegjës për Migracionin në Thun, ka thënë se përgjegjësia për integrim është e dyanshme, si te migrantët ashtu edhe te vendasit. “Migrantët duhet të integrohen në shoqëri. Për ta bërë këtë ata duhet të kenë shanse të barabarta, por edhe të marrin përgjegjësi për integrim”, ka thënë ai.

Osman Osmani, përgjegjës për migracion në sindikatën Unia foli për kontributin e mërgatës për zhvillimin e vendeve të prejardhjes dhe të Zvicrës, e cila siç tha ai “shumicës prej nesh na është bë atdheu i dytë”.

Fundamenti

Duke folur për kontributin e shqiptarëve në ndërtimin e shoqërisë zvicerane, ai kritikoi faktin se me prishjen e marrëveshjes për sigurime sociale me Kosovën, qeveria e Zvicrës ka bërë një diskriminim të mu atyre njerëzve të cilët me vite kanë derdhur djersën dhe shkrirë shëndetin e tyre për ndërtim të këtij vendi. “Nuk është në rregull, që këtë punëtorë të diskriminohen në pleqëri dhe në vend se të gëzojnë pensionin në vendlindje ata detyrohen të qëndrojnë këtu”.

Rreth flamurit të përbashkuar

Ambasadori i Maqedonisë në Bernë, Ekselenca e tij Ramadan Nazifi, në emër të kolegëve të tij Ambasadorit të Shqipërisë, Ekselencës së tij Mehmet Elezi dhe atij të Kosovës, Ekselencës së tij Naim Malaj, ai përgëzoi organizatorët për këtë festë të madhe.

Fjalimin e tij z. Nazifi e mbajti në gjermanishte dhe në shqip, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të gjithë shqiptarët. Ai përkujtoi se në Maqedoni rreth 30 % e popullatës janë shqiptarë, të cilët festojnë me krenari këtë ditë. “Kur të festohet me shumë miq, atëherë festat janë edhe më madhështore”, ka thënë ai në drejtim të miqve zviceran dhe u ka uruar përzemërsisht 100 vjetorin e Pavarësisë të gjithë të pranishmëve në sallë.

Kim Mehmeti, romancier, tregues dhe analist i njohur, krahasoi tubimin në këtë manifestim me Odën e madhe. “Odë kjo moderne për burra, gra, fëmijë”, tha ai, duke siguruar të pranishmit se me dëshirën më të madhe ka ardhur këtu, “ftesa e mërgimtarit duhet respektuar edhe si shenjë mirënjohje dhe falënderimi për kontributin e madh, të cilin e ka dhënë dhe e jep mërgata për vendin e tyre të prejardhjes”.

Duke folur për rëndësinë e kësaj feste për popullin Shqiptar ai nënvizoi rëndësinë që ka identifikimi i popullit shqiptar me flamurin, gjakun dhe gjuhën e përbashkët. E sa për bashkimin e shqiptarëve ai përmendi shembullin e një interviste që ka dhënë për një gazet maqedonase. I pyetur nga gazetari se si e sheh ai bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet Kim Mehmeti i përgjigjet: “Nëse mund të bashkohen kombe të ndryshme në Bashkimin Evropian, atëherë pse të mos bashkohen Shqiptarët”.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe Legjenda e Futbollit në Thun, Milaim Rama duke uruar organizatorët për organizimin e kësaj feste dhe bashkatdhetarëve Festën e Flamurit. “Dëshiroj që festat e ardhshme t’i bëjmë si shtetas të një Shqipërie të bashkuar”.

Program i pasur me këndë, valle dhe recitime
Padyshim se pjesa më festive e programit të përgatitur nga Shoqata “Atdheu” kanë qenë këngët, vallet dhe recitimet nga më të vegjlit e shoqërisë Atdheu. Festën e nderuan edhe rapsodët Isë Lapqeva dhe Halil Bytyqi, të cilët kanë interpretuar këngë tradicionale. Festa e flamurit ka vazhduar më pastaj me këngë e valle të interpretuara nga Vëllezërit Mziu. Në valle kanë hyrë edhe mysafirët zviceran.(albinfo)