Fatos Jashari kërkon të anulohet konkursi i komunës, nuk më ftuan në intervistë?

Gjilan – Fatos Jashari ka të kryer masterin në drejtimin e arkitekturës dhe nisur nga ky parim, ai edhe ka konkurruar në pozitën urbanist i sektorit të planifikimit në kuadër të shërbimeve publike. Por, Fatos Jashari thotë se komuna shkeli rregullat dhe procedurat e saja të brendshme, pasiqë sipas tij nuk e njoftuan përmes imelit për ditën e intervistës. Unë jam ankuar në të gjitha instancat e mundshme dhe kërkojë nga Lutfi Haziri që ta anulojë konkursin sepse kam dëgjuar se është marr personi jo përkatës kurse komisioni nuk ishte profesional thotë Jashari. Ai kërkon nga Prokuroria që ta hetojë këtë rast skandaloz.
Fatos Jashari edhe pse ka notat e mira në studime dhe është ekspert i mirë në fushën e tij, ai e ndien vetën të injoruar dhe të nëpërkëmbur nga Komuna e Gjilanit e cila duke mos përfillur dhe zbatuar kriteret e saja të brendshme, nuk e ftoj fare në intervistë për pozitën që kishte konkurruar në drejtorinë e shërbimeve publike.
Fatos Jashari ka bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për shërbyesit civil të Kosovës, ka angazhuar edhe avokat për ta quar deri në fund këtë padrejtësi. “Unë i kam plotësuar të gjitha kriteret e konkursit dhe realisht isha njëri nga kandidatët më të mirë të mundshëm për këtë pozitë. Ndodhi ajo që flitej e përflitej se personi tashmë është i pranuar kurse konkursi është vetëm formalitet. Do të ankohem edhe në Prokurori për të parë vërtet pse ndodhi kjo padrejtësi dhe pse nuk u informova përmes miellit për datën dhe orën e intervistës” shprehet Jashari.
Edhe avokati Halit Azemi në ankesën e tij dërguar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës ka kërkuar që të anulohet konkursi i shpallur nga ana e komunës dhe të obligohet që e njëjta përsëri të shpallet dhe të njoftohet kandidati konformë dispozitave ligjore mbi lajmërimin e kandidatëve për datën e intervistës, e jo kështu siç kanë vepruar në mënyrë klandestine dhe pa kurrfarë njoftimi. Së pakut është dashur të na thërrasin në telefon dhe të na njoftojnë për datën, kohën e vendin e mbajtjes së intervistës ka shkruar avokati Azemi.
Fatos Jashari sqaron se nuk e kanë informuar edhe pas ankesës gojore dhe sqarimeve që ka kërkuar nga administrata komunale.”Kur u ankova në zyrën e kryetarit tek atëherë më kthyen një përgjigje” shprehet ai, por sipas tij tashmë ishte bërë vonë sepse ishte pranuar personi i preferuar nga pushtetarët. “Vërtet ky është një turp sepse të injorosh kuadrot e afta, të injorosh dhe të tentosh ta mbyllësh konkursin në mënyrë tinëzare është shumë e padrejtë” shprehet Jashari.
Në përgjigjen e zyrës së kryetarit dërguar Fatos Jasharit thuhet:”Pas shqyrtimit të ankesës tuaj ju njoftojmë se Njoftimi për kandidatët të cilët do t`i nënshtrohen intervistës me gojë ka qenë i publikuar në tabelën e shpalljeve dhe ueb faqen e komunës së Gjilanit me datën 29.01.2018, derisa edhe ju keni qenë të ftuar në intervistë me datën e njëjtë më 29.01.2018, faqja 7 e njoftimit kurse njoftimi me imell ka qenën i pamundur, ngase kemi pasur mbi 500 kandidatë të cilët kanë marrë pjesë në intervistë” thuhet në përgjigjen e komunës.
Fatos Jashari shpreson se kreu i komunës do ta marri seriozisht ankesën e tij përderisa ky rast nuk trajtohet si vepër penale./rajonipress/