Eko Higjiena

Faik Kastrati, një shembull i rrallë e i dalluar i arsimit shqip…

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Faik Kastati është një gur themeltar i shkollës shqipe. Ai, sa ishte në procesin mësimor, luajti rol vendimtar tek mësimdhënësit në nxënien e dijes tek nxënësit. Ai tash është njeri modest, adhurues i jetës së qetë e me vlera. Tek ai, njeriu vëren një personalitet të sinqertë, i afërt, komunikues, urtak, por edhe largpamës. Është një figurë e njeriut të sinqertë. Puna e tij është një përmendore në kujtesën e nxënësve, qytetarëve si mësimdhënës e udhëheqës i shkollës me kualitete të larta prej njeriu.

Punëtorët e arsimit janë personalitete të shenjta. Ata me plot kuptimin e fjalës e meritojnë epitetin: “shenjëtorë” të shkollës shqipe. Pse jo? Ata e mbajtën gjallë arsimin shqip nga kohët më të vështira e gjer më sot. S’ka me punëtorët e arsimit! Arsimi është zemra e popullit. Kush ka arsimin e zhvilluar, e ka atdheun e ecur përpara. Jo vetëm kaq.

Rilindasi ynë i madh, Sami Frashëri, shkrimtar dhe mendimtar, duke folur për kombin e arsimuar, ai ka shtuar se: “Mendja e një kombi është arsimi…”! Nuk ka “fuqi” tjetër ta thotë më bukur se Samiu ynë i madh.

Në këtë rrugë të dijes, ka herë është nisur edhe Faik Kastrati, veteran i arsimit nga Karaçeva e Epërme. Ai tërë jetën ia kushtoi arsimit të popullit. Pse jo?

Faik Kastrati, punëtor i arsimit, tash në pension, u lind në fshatin Karaçevë e Epërme, komuna e Kamenicës (Dardanës), më 12 mars të vitit 1947. Në vendlindje kreu shkollën katërklasëshe, ndërsa tetëvjeçaren e plotë e kreu në fshatin Muhovc. Mandej, Shkollën Normale e kreu me sukses në Gjilan, në vitet 1967/68. E dashti punën me ditar në dorë. Me zell e vullnet e filloi punën si mësues në fshatin Dobrosin, komuna e Bujanocit nga viti 1968 deri në vitin 1971.

Më vonë, punoi në Dobërçan gjatë viteve 1972-1981.
Edhe Faik Kastrati, pensionist, e ka përjetuar largimin nga puna nga organet e dhunshme serbe. Gjatë viteve 1993 – 2000, është larguar dhunshëm nga puna nga organet e pushtuesit serb. Po ashtu, gjatë vitit 2000 ka punuar si administrator i fshatit. Po në vitet 2001-2004, ka punuar si profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan. Po në vitin 2004 punoi si arsimtar i Gjuhës shqipe në Dobërçan deri në vitin 2008. Dhe, nga viti 2009-2012, punoi si drejtor i Shkollës fillore “Nazim Hikmet” në Dobërçan, nga cili vend doli në pension.

Shih për këtë, ai pati përgatitje të duhur për mësimdhënie dhe organizim të punës në procesin mësimor. Ai punoi dhe punën e bëri punë. Ishte një punëtor i palodhur i shkollës shqipe. Faik Kastrati, arsimtar, akoma ka dashuri të madhe jo vetëm ndaj procesit mësimor, por pati dashuri të madhe ndaj gjuhën amtare. Ai këtë vlerë të madhe e ka respektuar, por po e respekton dhe kultivon edhe sot me pasion. Në ditët e para, kur filloi të punojë me ditar në dorë, Faiku, prej një entuziasti të madh, i dha rëndësi të duhur gjuhës amtare, sidomos gjatë vitit 1968/69. Në këtë kohë, ai punoi në fshatin Dobrosin, komuna e Bujanocit. Jo vetëm kjo.

Faik Kastati është një gur themeltar i shkollës shqipe. Ai, sa ishte në procesin mësimor, luajti rol vendimtar tek mësimdhënësit në nxënien e dijes tek nxënësit. Ai tash është njeri modest, adhurues i jetës së qetë e me vlera. Tek ai, njeriu vëren një personalitet të sinqertë, i afërt, komunikues, urtak, por edhe largpamës. Është një figurë e njeriut të sinqertë. Puna e tij është një përmendore në kujtesën e nxënësve, qytetarëve si mësimdhënës e udhëheqës i shkollës me kualitete të larta prej njeriu.
As mosha, as mungesa e mjeteve materiale nuk kanë mundur t’ia pakësojnë këmbëngulësinë dhe energjinë e tij në punë.

ARKATANA

Me fillimin e punës si mësues në fshatin Dobrosin, Faik Kastrati ndryshoi jetën shkollore, sepse, me punën e tij, shkolla e fshatit u bë një dritare e dijes, ku për herë të parë prindërit i dërguan djemtë e vajzat në shkollë, që një gjë e tillë s’kishte ndodhur më parë në këtë lokalitet fshati. Së bashku me mësuesin Qazim Latifin kanë hapur klasat e larta të shkollës fillore. Këtu për herë të parë zë fill dëshira e madhe për t’i arsimuar dhe për t’i dhënë dije nxënësve në gjuhën shqipe. Ky ishte agimi i një kohe të re. Fëmijët rriteshin e edukoheshin me shembuj pozitiv e në mënyrën më të duhur. Mësohej vjersha “Jam shqiptar” nga Esad Mekuli e poetë të tjera kombëtarë.

Nxënësit ngriteshin shpirtërisht dhe mësonin për të bëmat e mëdha, lavdinë e trimave, historinë e Ilirëve, të parëve tanë etj. Mësuesi Faik u jepte nxënësve guxim e besim që të mateshin në sheshin e dijes – në garat mësimore me nxënës më të zgjedhur të shkollave tjera në komunë.

Shkolla ku punoi Faik Kastrati, u bë çerdhe e dashurisë. Nga kjo shkollë, dolën profesorë të parë, mjekë dhe drejtorë të institucioneve me rëndësi në Gjilan, Dobrosin dhe gjetiu. Ishin këta nxënësit e mësuesit Faki Kastrati, të cilët sot janë mirënjohës për punën e tij.
Më vonë, Faik Kastrati vazhdoi të ushtrojë profesionin e tij në fshatin Dobërçan si mësimdhënës i gjuhës shqipe. Për sa vite që punoi në Dobërçan, deri më 1981, nxënësit e tij janë shpërblyer në konkursin e “Flakës…” në Gjilan, ku rregullisht kanë fituar vendet e para që ishte meritë e mësuesit të tyre. Jo vetëm kaq.

Siç dihet, në kohën e demonstratave të studentëve të vitit 1981 në Prishtinë, Faik Kastrati iu mor ditari i punës nga dora e SPM në Gjilan dhe atë e shpallin si të papërshtatshëm për të dhënë mësim. E akuzuan se ka nxitur nxënësit e tij të shkruajnë parolla: “Kosova Republikë”. Andaj, shumë nxënës të tij, për këtë “shpifje”, ishin keqtrajtuar e maltretuar në mënyrën më çnjerëzore. Faik Kastrati thotë se iu kanë dhimbsur nxënësit që i kanë maltretuar duke ia lënduar atij shpirtin, por ishte krenar se tek ta ishte krijuar vetëdija se Kosova duhet të jetë Republikë dhe e pavarur si shtetet tjera.

Si i larguar nga puna nga viti 1981 e deri në vitin 1993, ai filloi të punojë në ShKSH (Shërbimi i Kontabilitetit Shoqëror) në Gjilan si përkthyes i materialeve për Kuvendin Komunal. Në Motin e Madh të vitit 1990, kur minatorët u ngujuan në Minierën Trepça, Faik Krasniqi për t’i përkrahur dhe mbështetur kërkesat e drejta të minatorëve, shkroi
telegramin mbështetës për minatorët. Ky telegram u cilësua si shumë i rrezikshëm, e që Faik Kastrati për këtë largohet dhunshëm nga puna. Mandej, ai është ndër të parët që organizoi dorëzimin e librezave komuniste në shkollë etj. Jo vetëm kjo.

Faik Kastrati, tash në pension, pas vitit 2000, i kthehet misionit të shenjtë të arsimit. Aty, si shton, ai, i ka “fjetur” shpirti e zemra për të punuar me shkollarë. Kështu, gjatë viteve 2009/2012, e filloi punën si drejtor në Shkollën fillore “Nazim Hikmet”, në Dobërçan, ku gjatë udhëheqjes së tij, shkolla në fjalë shpallet ndër shkollat më të mira në komunë. Për sukseset në mësim e sport, udhëheqja komunale e Gjilanit, Faik Kastratin e shpërblen me dërgimin e 25 nxënësve falas në Turqi në pjesëmarrjen të Festivalit Ndërkombëtar të fëmijëve, e që nxënësit e drejtori shpërblehen me mirënjohje e diploma.

Prandaj, Faik Kastrati hodhi një dritë të fuqishme në vlerat e edukimit dhe arsimit shqiptar. Në programin e punës së tij, vendin kryesor i caktohet shkollës shqipe, arsimit kombëtar. Shkolla, sipas tij, duhet të shpreh aspiratat më të larta të edukimin e brezit të rinj me dashurinë për atdheun duke siguruar një zhvillim të gjithanshëm dhe moral të qytetarëve. Ky ishte misioni i shenjtë i këtij punëtori të arsimit, i cili u mundua çdo gjë të japi për shkollën kombëtare shqipe. Në fund të bisedës, i shtuam një: “Të lumtë, Faik Kastrati…!”/tefik selimi/rajonipress/