Fundamenti

Fabrikimi i armikut

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Halil Matoshi – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kur e ktheu ambasadorin Lulëzim Peci nga Suedia për ta dërguar në shërbim në Beograd (zyrtar ndërlidhës), pati deklaruar se “në Beograd do të emërohet ambasadori më i mirë që e ka Republika e Kosovës.” Dhe ai doli të jetë Lulëzim Peci. Kjo kryekëput është retrodemant për komunikatën absurde të MPJ-se dhe të Enver Hoxhajt, të cilën e spikat fryma e policive sekrete gjatë Luftës së Ftohtë – përkatësisht fjalori i Berias, shefit të policisë sekrete të Stalinit!?

Ambasadori Lulëzim Peci pasi ka dhënë dorëheqjen nga i emëruar zyrtar ndërlidhës në Beograd është shndërruar në figurë tragjikomike. I “emëruari” i Thaçit tashti është shpallur “spiun i Serbisë” dhe ai, pos që në kafiq i ka bërtitur kryeministri, s’ka çfarë të thotë më shumë, prandaj në mënyrë tragjikomike përsëriste se do ta festojë ditëlindjen me dosta!?

Ambasadori Peci është viktimë e egocentrizmit, pra e mosdurimit dhe agresivitetit të kryeministrit kosovar, të cilit i doket se po i prish punë një deklaratë normale, si ajo e Pecit, se për normalizim të plotë të marrëdhënieve Serbia duhet ta njoh Kosovën. Kjo është kështu, mirëpo “shefi” në Prishtinë këtë e ka cilësuar gjuhë të fortë për diplomacinë dhe se Peci është dashur të thoshte diçka si: “Këto punë i di Qeveria, unë jam këtu vetëm figurë shahu”!?

Ikja e Pecit nuk është ndonjë tragjedi për Kosovën, sepse ai i ka shërbyer me përulësi kësaj kaste konspirative të ngritur në pushtet, e jo shtetit, siç po ka qejf të thotë tash, post festum, sepse një profesionist i mirë në shërbimin e jashtëm nuk do të fliste publikisht se çfarë ndodhi nëpër kafeteritë e Prishtinës mes tij dhe kryeministrit!?

Madje Peci krejt në fund dëshmoi se nuk pati dhe nuk ka integritet, ngase për inat të Thaçit falënderoi ish-presidentin Sejdiu dhe presidenten aktuale Jahjaga, por nuk tha përse ua bënte këto falënderime!?

Peci ka qenë i zgjedhuri dhe i propozuari i strukturave të SHIK-ut për ambasador (si shumica e kolegëve të tij dhe ky fakt është sekret publik në Prishtinë) dhe i pranueshëm për Thaçin – prandaj emërimi i tij për ambasador nuk ka lidhje me dy emrat që i falënderonte!?

Sepse që të dy ata nuk kanë guxuar ta thonë asnjë fjalë kurrë dhe as atëherë rreth një strukture inteligjente paralele në Kosovë të quajtur SHIK, e lëre më që t’ia kthejnë mbrapsht ndonjë njeri të tyre!?

“Revolucioni i ha fëmijët e vet” ka pas thënë Law Trocky, por këtë me lëkurën e tij e pati konfirmuar Buharini kur u dënua me vdekje.

Në anën tjetër Thaçi ka dëshmuar paqëndrueshmëri dhe frikë për të ardhmen e tij politike, duke qenë i pasigurt se çka do të ndodhë me Marrëveshjen e 19 prillit!?

Dhe pasi Peci e zbrazi tërë municionin nëpër studiot e televizioneve të Prishtinës, një tjetër shef i tij, Enver Hoxhaj, me një gjuhë staliniste e bëri horr ish-ambasadorin e tij “më të mirë”, si dëshmi se as shefat e tij në Prishtinë dhe as vetë Peci nuk kanë lidhje me idenë e shtetit dhe me ruajtjen e imazhit të tij në sytë e botës!?

Të mos flasim për idenë e ruajtjes së sekretit shtetëror, nëse Kosova ka fare të tilla!?

Sefte shikoni logjikën e ngratë të MPJ-së dhe ministrit Hoxhaj.

Me sa kokrra mend në krye, u dërguaka në shërbimin e jashtëm në një vend deri dje armiqësor, (në vendin ku shkon i pari shqiptar i Kosovës në histori, në cilësinë e një diplomati), një njeri për të cilin MPJ paska pasur informata se e ka rrezikuar sigurinë e vendit edhe për kohën sa ishte në shërbim në Suedi?

Në këtë pyetje duhet të përgjigjet para publikut kosovar ministri Enver Hoxhaj.

Nëse supozojmë se e vërteta e Hoxhajt dhe e policisë së tij sekrete (“tajna sluzbes” së tij) qëndron, atëherë ai ka përgjegjësi direkte si shef i “poliagjentit” Peci, pse e toleroi aq gjatë dhe përse njeriun e hipotekave aq të rënda e dërgoi në Beograd!?

Dhe për pasojë Hoxhaj duhet të japë dorëheqjen ose duhet të shkarkohet, për t’i paraprirë hetimit të pavarur dhe të gjithanshëm të veprimtarisë “armiqësore” të vartësit të tij Peci.

Por lexoni fjalinë e fundit të kumtesës së Hoxhajt dhe do ta shihni logjikën e një poltroni i cili, për të shëmbëllyer me shefin e tij inatçi, ia tejkalon atij shumëfish për nga agresiviteti primitiv!?

Dhe reflektoni pastaj se si funksionojnë kokat inatçore e plot zjarrmi të këtyre “burrështetasve” që e kanë kapur shtetin!?

“Z. Peci ka qenë i propozuar për shkarkim dhe këtë ai e ka pasur të qartë, andaj edhe dorëheqja është hap i paraprirë prej tij” – shkruan çatipi i Hoxhajt!?

Tjetra, nëse Lulëzim Peci paskësh thyer kodin e pashkruar patriotik dhe paskësh folur para gazetarëve në Beograd serbisht, kjo nga aspekti juridik-kushtetues nuk e rëndon fare atë, sepse sipas Kushtetutës serbishtja është gjuhë zyrtare në Kosovë dhe binduni që “jokorrektësia” e Pecit është de jure korrekte!

Madje propozicionet e konkursit për diplomat thonë se kandidati për ambasador duhet të dijë gjuhën e vendit ku shërben, të njohëë kulturën dhe historinë e atij vendi etj.

Shërbimi i jashtëm si institucion është autonom karshi pushtetit, pra i përket shtetit (prandaj edhe emërimet e ambasadorëve duhet t’i nënshkruajë presidentja), dhe politika zyrtare e këtij shteti (Kosovës) është se normalizimi i vërtetë i marrëdhënieve me Serbinë ndodh atëherë kur Serbia e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran! Kaq. Këtë e ka thënë diplomati Peci, por qendra paralele e spiunazhit në Kosovë e vlerëson “sjelljen e tij e që lidhen me sigurinë shtetërore, të cilat ende nuk janë për opinion publik, nuk kanë paraqitur përfaqësuesin e denjë të Republikës së Kosovës”.

Dhe në këtë “spy-story”, qëndrimi nëpërkëmbës i kryeministrit dhe komunikata etiketuese e MPJ-së janë në këtë rast “inkuizitorë” ndaj qytetarit në shërbim dhe trembin të gjithë ata që duan me vullnet t’i shërbejnë shtetit të tyre.

Porse, nëse ai qysh nga Suedia e paskësh vënë nën kërcënim sigurinë kombëtare, kjo nuk është gjithaq për hajgare!?

Por është thjesht përmbushje e egove të sëmura provinciale, sa për të dëshmuar se ata mundën gjithçka, se ata janë shteti e atdheu, drejtësia e ligji dhe mbi secilin që s’u bindet do të rëndojë mallkimi për tradhti të atdheut.

Uji Dea

Shkrimtari Durrenmatt thotë se shteti e quan gjithmonë veten atdhe kur përgatit një vrasje.

Këtë herë ajo nuk qe me plumb, por me një mallkim historik!

E në anën tjetër ata që e thonë këtë do ta kenë tepër të vështirë që ta vërtetojnë një pandehmë të tillë!?

Këto janë thjesht përrallëza ose tregime të lodhta spiunazhi.

Ndërkaq që “Freedom Hause” ka vlerësuar se qeverisja në Kosovë del të jetë regjim autoritar-gjysmë i konsoliduar!?

A e ka cenuar sigurinë kombëtare, duke lënduar rëndë shtetin e së drejtës, liritë civile dhe demokracinë kjo qeveri?

Këtë merr guximin të na e sqarojë ministri i Bujqësisë, në vend që të merret me buallicat e Krajkovës dhe me patatet e Dobërllukës, e quan joprofesional dhe tendencioz raportin në fjalë.

Me një fjalë ky është modeli milosheviqian i “komplotit botëror” kundër një vendi!? Po, revolucioni vërtet i ha fëmijët e vet, porse ambasadori Peci është ai që ende mban ymyt në mëshirën e shefit të tij.

Këtë logjikë vasale, e gjejmë tek të gjithë zyrtarët komunistë që u bënë pre e spastrimeve ideologjike, që nga Buharini, Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu, të cilët në prag të vrasjes ose vetëvrasjes, i përgjëronin shefat e tyre: “Keni gabuar Shoku Stalin ose Shoku Enver, … unë isha zemra e partisë”…ectr.

Lulzim Peci, në dëshpërim e sipër dhe me urgjencë jep dorëheqjen duke ia shkruar një letër presidentes Atifete Jahjaga, e cila vazhdon të heshtë për këtë skandal në Beograd, edhe pse do të duhej ta mbronte shërbimin e jashtëm të shtetit nga sulmet dhe njollosjet e “tajna sluzbave” të ndryshme, që bredhin ende si mbeturina të agitpropit nëpër Evropën Juglindore.!?

Në vendet demokratike diplomati duhet t’ia komunikojë vendit ku shërben qëndrimet e interesave shtetërore dhe jo të Qeverisë, përkatësisht pushtetit politik.

E politikat shtetërore krijohen në Kuvend dhe nga aty i merr dhe i zbaton Qeveria!

Por çfarë politikash të jashtme, karshi organizatave dhe vendeve veç e veç ka prodhuar Kuvendi i Kosovës?

Absolutisht kurrfarë!

Enver Hoxhaj e njeh potencialin e këtij Kuvendi, prandaj tallet me të!

Sepse ndihet i mbipushtetshëm ndaj një Kuvendi struc!?

Madje, një shok i tij i partisë dhe konspiracionit Bekim Haxhiu – Kamishi e këshilloi Pecin që ta zërë një avokat të fortë, sepse, pa një pa dy, ai ka bërë tradhti kombëtare dhe ka cenuar sigurinë kombëtare!?

Në anën tjetër Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, me pak fat mund ta shtjerë në dorë edhe çmimin “Nobel” për paqe, së bashku me homologun e tij serb Ivica Daqiç, prandaj nëse i ecën punët keq me Marrëveshjen e 19 prillit, ai e sheh se ky reputacion ndërkombëtar me gjithë çmimet e ndryshme ndërkombëtare, mund t’i rrëshqasin nga duart dhe në këso situate të paqëndrueshme moralisht, ai po manifeston frikë të madhe duke prolonguar ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvend, duke e dorëhequr Pecin dhe duke e shpallur atë spiun!?

Po tash çfarë do të bëjë kryeministri paranojak?

Shkenca thotë se të tillët kurrë s’e di a kanë për të të përqafuar a kanë për të të kafshuar!?

Mirëpo edhe përqafimi, edhe kafshimi i tyre janë helmues…

Ky model qeverisës mbijeton duke shfrytëzuar aftësitë fantazmogorike për fabrikim armiqsh! SHIK-u mobilizohet sa herë që armiqtë e popullit dhe të shtetit nis të harxhohen ose sa herë që armiqtë e vjetër harrohen e shndërrohen në miq, kurse ata të rinjtë nuk janë prodhuar ende…

Nuk di çfarë lumturie të sjellë jeta me shumë armiq!?

Di të them se shqiptarët janë mjeshtër të fabrikimit të tyre, prandaj kanë fare pak punë e bukë, kanë gajlet e botës mbi supe e punët e veta llugë!