Europa, vizë të posaçme për politikanët e papërgjegjshëm
Nga Emin Azemi – Makina e ndryshkur, e instaluar diku në ambientet qeveritare për prodhimin e sukseseve dhe konvertimin e tyre në krenari për kombin e vuajtur maqedonas, ka shansë të shndërrohet në vegël të rrezikshme që do të vriste shpresat dhe aspiratat kolektive europiane të një populli, të ngulfatur në baltën e paqartësive ballkanase. Mbetet e paqartë se si do të jetë fati i vendit, të cilit po i shtohen budallenjtë që krenohen me mizoritë e kriminelëve dhe me huliganizmin nëpër rrugët e Shkupit.
Ende pa i bërë një bilanc serioz rrugës nëpër të cilën u konsumua ky mandat i përgjysmuar, kryeministri aktual dhe partia e tij po mendojnë ta vazhdojnë agoninë e pushtetmbajtjes me zgjedhje të parakohshme, të cilat, sipas tyre, do t’u sjellin edhe një fitore. Ata nuk e dinë se të fitosh sot zgjedhjet në Ballkan, nuk është derivat i aftësisë për të menaxhuar të sotmen, por për të keqpërdorur të kaluarën, e cila na imponohet si e ardhme.
Mirëpo, si për inat të politikanëve vendas, Maqedonia vazhdon të jetë e fokusuar në vëmendjen e diplomatëve ndërkombëtarë, si një shtet të cilit i mungon kreativiteti për të dalë nga ambisi ku ndodhet momentalisht. Nga Brukseli vazhdojnë të vijnë shuplakat e nxehta për politikanët e papërgjegjshëm, ndërkohë që Komisioni Evropian ende nuk ka dhënë kurrfarë rekomandimi për Maqedoninë sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Përpos stagnimeve disavjeçare në kontestin rreth emrit, Maqedonia ka zhgënjyer Brukselin edhe me mospërmbushjen e marrëveshjes së arritur për tejkalimin e krizës politike në vend si dhe ngecjen e disa reformave institucionale.
E ndodhur ndërmjet presionit ndërkombëtar për daljen nga status-quoja dhe ekzaltimeve të brendshme pas fitores kolosale në zgjedhjet e fundit lokale, klasa politike maqedonase në Shkup ende nuk po mundet ta gjejë një majë prej nga do të mundte të vrojtonte pasojat e gabimeve që ajo po i bën hap pas hapi e ditë pas dite. Fryma deklarative për një rrugë europiane të ecjes së shtetit, sikur ngulfatet nga një frymë tjetër, retrograde, përjashtuese, ksenofobe, e nxitur dhe frymëzuar nga qarqe të afërta me pushtetin, dhe jo rrallë edhe nga vetë pushteti. Pritja si hero, me ceremoni shtetërore, muaj më parë, i një krimineli lufte, Johan Tarçullovski, i akuzuar nga Tribunali i Hagës për vepra kriminale kundër civilëve shqiptarë në fshatin Luboten të Shkupit, rikthimi i skenave të tmerrshme me rrahje të fëmijëve shqiptarë nëpër rrugët e Shkupit, ngritja e një teatri absurd me figura bronzi e guri në sheshet e Shkupit, nxitja e mosdurimit fetar e etnik përmes projekteve të financuara nga shteti, mbajtja prapa grilave e kundërshtarëve politikë, rritja e depresionit social tek popullata dhe për pasojë zbrazja e heshtur e fshatrave e qyteteve prej të rinjve që nuk zgjedhin rrugë e mjete për të emigruar në Evropë e shtetet tejoqeanike – mund të jetë kjo tabloja që në vija të trasha paraqet realitetin gri të Maqedonisë së sotme.
Shumëkush që merr mundin të shpjegojë drejt këtë lajthitje që po i ndodh politikës aktuale në Shkup në raport me problematikat që e bëjnë të qëndrueshëm një shtet, sërish ballafaqohet me dilemën nëse krejt kjo ndodh rastësisht, apo qëllimisht. Një shteti si Maqedonia, me probleme të hapura dhe me konteste të pazgjidhura, nuk i lejohet luksi i të qenit qendra e botës, thuajse ajo përcakton balancat gjeostrategjikë në mes Lindjes e Perëndimit. Mediat dhe analistët në Shkup, që po e ushqejnë këtë iluzion për gjoja faktorizimin e Maqedonisë, në fakt po prodhojnë mjegulla para syve të publikut, për të humbur qartësinë e shikimit të pasojave të kësaj politike izoluese që po udhëheq kryeministri aktual. Në këtë mjegullnajë ka rënë edhe opozita, e cila paaftësinë e saj për të vepruar si klasë politike e ndërgjegjshme e ka shndërruar në baladë të shanseve të humbura. Prandaj dalin të paefektshme edhe përpjekjet e disa politikanëve shqiptarë për tejkalimin e pengesave për ta bërë Maqedoninë anëtare të NATO-s. Këta të fundit, madje donkishotizmin e tyre politik po e dëshmojnë pikërisht në sensin e angazhimit diplomatik, duke shpenzuar energji të kota, të cilat do të mund të orientoheshin në menaxhimin e problemeve të shumta, me të cilat për çdo ditë ballafaqohen shqiptarët. Askush nuk ua mohon të drejtën politikanëve shqiptarë që të takohen me diplomatë të huaj në kërkim të zgjidhjeve për tejkalimin e kontestit me Greqinë, rreth emrit të Maqedonisë, po ama tingëllon naive krejt kjo përpjekje kur injorimi që vjen nga ana e kryeministrit Gruevski rikonfirmon rrugën njëkahëshe të këtij të fundit dhe paqartësinë sesi do të jetë fati i vendit, të cilit po i shtohen budallenjtë që krenohen me mizoritë e kriminelëve dhe me huliganizmin nëpër rrugët e Shkupit.
Maqedonia, një shtet pa emër dhe me identitet të mohuar e kërcënuar nga jashtë, ka rrezik të shndërrohet në një kazan ku, edhe një herë, shteti i dirigjuar nga maqedonasit mund të ziejë inatin për betejat e humbura identitare dhe kompensimin e tyre në revansh ndaj shqiptarëve. Kush mundet ta parandalojë këtë zjarrvënie poshtë kazanit të çmendurive ala maqedonase dhe a është ky momenti që reflekton një vetëdije pak më të konsoliduar për unitet brendashqiptar. Ata që kanë përvetësuar mjeshtërinë e fshehjes së përgjegjësive për paudhësitë e bëra, vështirë e kanë të tregojnë një minimum vullneti për ndonjë kompromis. Përkundrazi, ata janë të prirë t’i shkojnë deri në fund rrjedhës logjike të paudhësive të tyre, duke inskenuar gjithnjë e më tepër ngjarje me prapavijë etnike. Makineria propagandistike për prodhimin e sukseseve qeveritare dhe konvertimin e tyre në krenari për kombin e vuajtur maqedonas, ka shansë të shndërrohet në vegël të rrezikshme që do të vriste shpresat dhe aspiratat kolektive evropiane të një populli, të ngulfatur në baltën e paqartësive ballkanase.
Heronjtë dhe budallenjtë e një shteti pa emër, a mund të bëhen bashkë për të lajthitur pjesën tjetër të kthjelluar, që ka ngelur e papërcëlluar nga kazani i revanshizmit maqedonas dhe deri kur do të tolerohet kjo zjarrvënie në këtë cep të Europës? Si duket, kohë ka, por nuk ka aq sa mendojnë disa për të blerë lojalitet fals evropian. Nëse durimi ka një kufi, atëherë kufijtë e ardhshëm të Evropës do të duhej të shtrihen jo më larg se atje ku fillon injoranca e politikanëve. Është koha që këta të fundit të mos ndëshkohen vetëm nga votuesit por edhe nga vetë Evropa, duke i izoluar, injoruar dhe pse jo edhe sanksionuar me forma e mënyra të ndryshme. Sepse, më tepër se njerëzit hallexhinj që po keqpërdorin mikpritjen evropiane duke kërkuar azil, janë politikanët tanë ata të cilët e meritojnë mospërfilljen e Evropës. Për politikanët e papërgjegjshëm Evropa duhet të aplikojë një vizë të posaçme.
(Autori është publicist nga Shkupi. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)


