ZN

Eskalimi i destruktivitetit kinez

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Kinezët e Republikës Popullore të Kinës atdhedashurinë e tyre e shprehin në mënyra shumë të çuditshme. Kështu, viktima e parë e shprehjes së dashurisë ndaj atdheut këtyre ditëve ishte qeni i racës Akita.

Qeni u vra nga dora e një protestuesi anti-japonez, vetëm për shkak se i përkiste një race japoneze.

Ky lajm mbase e tregon më së miri absurditetin dhe zemërimin e pabazuar të shumë kinezëve, që përmes një destruktiviteti të paparë këtyre ditëve po mundohen të përfitojnë të drejtën e posedimit të disa ishujve bukur të largët. Sigurisht që është absurde të shkatërrohen veturat me targa apo logo japoneze. Shumica Hondave, Toyotave apo Mazdave në Kinë janë shkatërruar ditëve të fundit, edhe pse nuk iu përkisnin japonezëve, por vetë kinezëve. Dëmi – edhe nëse paguhet ndonjëherë – do të shkojë në kurriz të kompanive kineze të sigurimit.

Por, eskalimi i destruktivitetit në protestat anti-japoneze të ditëve të fundit, mund të shikohet edhe si një konflikt kulturor. Japonezët, si një komb që jeton në një numër të madh ishujsh, janë zhvilluar të pavarur nga ngjarjet kryesore që ndodhën në kontinentin e Azisë. Gjeneratat e sotme të japonezëve jo vetëm që janë nga pak të hutuar, por janë edhe të shokuar nga sasia e urrejtjes që drejt tyre vjen nga shtetet përreth. Veç kësaj, për dallim nga popujt kontinentalë, japonezëve të sotëm u mungon ndjenja e patriotizmit, dhe e nacionalizmit.

Natyrisht, bëhet këtu fjalë për një shoqëri goxha të pasur, pjesë e së cilës është edhe klasa e mesme më e fuqishme në botë, e cila përfaqëson boshtin e secilës shoqëri të mirëqenë botërore. Njerëzit e tillë – që janë të pavarur ekonomikisht dhe emocionalisht – zakonisht nuk interesohen fort se cila parti politike është në pushtet.

Nga ana tjetër, kemi një shoqëri transicionale, siç është shoqëria e sotme kineze, ku vihet re lehtë një ndarje e qartë ndërmjet pasanikëve të sapo krijuar dhe numrit të madh të popullatës së varfër. Në një mjedis të tillë konfliktet klasore janë shumë më të shprehura. Prandaj, problemi më i madh duket të jetë ai, se shumë fqinj të Japonisë këtë të fundit e shikojnë me një dozë xhelozie.

Japonezëve ende vazhdon t’iu përkujtohet e kaluara e tyre militante, e cila, gjoja se është arsyeja kryesore për këtë mosdurim të shprehur ndaj tyre. Mirëpo, derisa e bëjnë këtë gjë, shumica e fqinjëve sikur harrojnë se fuqia ekonomike e shteteve të caktuara në masë të madhe duhet t’i falënderohet donacioneve të vazhdueshme japoneze – pa kthim. Me fjalë të tjera, japonezët janë të mirë vetëm atëherë kur i falin paratë e veta.

Në lajmet zyrtare që publikohen në RP të Kinës mund të shihen sesi – gjatë shprehjes së mllefit anti-japonez – demonstruesit i shkatërrojnë edhe dyqanet e kompanisë Watsons. Nëse kompania Watsons do të kishte çfarëdo lidhje me Japoninë, kjo gjë edhe do të mund të kishte njëfarë kuptimi. Por, këtu kemi të bëjmë me një kompani nga Hong Kongu, pra, që vjen nga territori që sot është nën sovranitetin e RP të Kinës.

Mediat japoneze, ndërkaq, shtetasve të vetë iu bëjnë thirrje që të ruajnë gjakftohtësinë dhe t’i injorojnë protestat në Kinë, dhe që në këtë mënyrë të mos i japin Kinës argumente shtesë për vazhdimin e destruktivitetit. Për shembull, gazeta ‘Asahi Shimbun’ thekson se, i vetmi vendim i mençur dhe i duhur është që të mendohet sesi të përfitohet mbështetja e pjesë tjetër të botës, por me mjete jo të dhunshme. Me fjalë të tjera, veprimet e kinezëve në këtë rast të injorohen plotësisht.

Gazeta ditore e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, ‘People’s Daily’, në tekstet e veta preferon të përdorë fjalët e tipit “rrëmbimi japonez”, përderisa në fotografitë e gazetës dominojnë luftanijet kineze, me tërë “madhështinë” e tyre.

ZN

Ndërsa, agjencia kineze e lajmeve, Xinhua, që paraqet njërin prej “krijuesve” më të rëndësishëm të opinionit në Kinën komuniste, por edhe një agjenci së cilës i është dhënë e drejta e censurimit të mediave perëndimore, vazhdon të nënvizojë se protestat anti-japoneze janë “vetëm një reagim spontan i qytetarëve kinezë ndaj veprimeve të paligjshme japoneze”.

Pra, mediat kryesore kineze vazhdojnë me zbutjen e sjelljes së pahijshme të demonstruesve, përderisa në mediat japoneze mund të lexohet se “vandalizmi dhe mosdurimi ndaj japonezëve mund të sjellë deri te jostabiliteti dhe kaosi brenda vetë RP të Kinës”.

Përderisa mediat kryesore kineze e shtyjnë përpara të “vërtetën” e tyre, dhe thirren në argumente që shkojnë deri “në shekullin e shtatë”, në versionin kinez të rrjetit Twitter, mikroblogerët kryesisht shprehen kundër vandalizmit, dhe gjithë situatën e quajnë “skajshmërisht të budallme”.

Sipas disa kanaleve të tjera, private, në Kinë vërehet edhe një shqetësim i madh i miqve (perëndimorë) që ndodhen atje aktualisht. Disa po largohen, e disa të tjerë – të cilët me Kinën i lidhë puna – kanë frikë të dalin nëpër rrugë.

Kështu, raportuesi i gazetës kroate ‘Vijesti’ njofton se, një mike e tij, kineze nga Shanghai, ka kujdes të veçantë që të mos vesh diçka që mund të jetë prodhuar në Japoni, dhe që të mos dalë në ndonjë restorant japonez, sepse do të mund të shqyhej nga masa e revoltuar.

Të tjerët, që në Kinë planifikonin të shkonin zyrtarisht, thjeshtë i kanë anuluar biletat.

Diçka e ngjashme ndodhi edhe në kohën e tërmetit dhe tsunamit që pat goditur Japoninë verilindore. Gazetat kineze asokohe garonin se cila nga to do të botonte më shumë tekste që flisnin për dëmin e rrezatimit, derisa bënin thirrje për bojkotimin e restoranteve japoneze edhe pse kishte pak mundësi që në një restorant në Chengdu – që ndodhet në brendësi të Kinës – të shfrytëzohej peshku i ujërave japoneze.

Këto, dhe protestat e kaluara, nuk paraqesin kurrfarë risie, por vetëm një vazhdim të politikës kineze, e cila – me sa duket – nuk po mundet ta durojë një lojtar tjetër të madh në fqinjësi.

Në gjithë këtë rrëfim, është interesant edhe ajo se ishujt disktuabil mund të kërkohen edhe nga Tajvani. Në të vërtetë, ishujt në fjalë janë më afër dhe historikisht më të lidhur me Tajvanin sesa me RP të Kinës. Megjithëse ka mbi një shekull që ishujt janë në pronësi të Japonisë, gjatë gjithë kohës së mospajtimeve japonezo-kineze tajvanezët po mbajnë një qëndrim neutral.

Për ta, kjo çështje është shumë e thjeshtë, sepse ish-presidenti i Tajvanit, Teng-hui Lee, pohonte se “ishujt janë pjesë e Okinawa’s”. Megjithëse edhe presidenti aktual, Ying-jeou Ma, i cili ka një orientim pro-kinez, gjatë kohës sa ishte profesor universitetit, kishte mbrojtur tezën e doktoraturës me temën që ishujt i paraqiste si territor japonez.