Eko Higjiena

Është promovuar “Kosova” e Buxhovit në anglisht

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Prishtinë – Në praninë e shumë personaliteteve, duke përfshirë edhe ambasadorë të shteteve të huaja në Kosovë, promovimi i librit “Kosova”, në gjuhën angleze, të autorit Buxhovi, është vlerësuar të jetë një hap i rëndësishëm për historinë e Kosovës.

Pas përkthimit në gjuhën angleze, libri është duke u përkthyer edhe në gjuhën serbe dhe në atë turke.Njëri ndër hapat më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, mënyrë adekuate për t’i rrëfyer botës historinë e shqiptarëve dhe të Kosovës, veprim që do t’i kundërvihet historianëve politik antishqiptar dhe historive e propagandës së tyre. Kështu është vlerësuar të enjten libri i Jusuf Buxhovit, “Kosova”, teksa është promovuar e përkthyer në gjuhën angleze, transmeton KultPlus.

Pas kësaj, puna e historianit kosovar pritet që së shpejti të bie në duart e lexuesve joshqiptar, përkatësisht tek lexuesit evropian dhe ata amerikanë.

“Kosova 1,2,3” është botuar nga shtëpia botuese “Jalifat Publishing”, pronari i së cilës, Ramiz Tafilaj, e ka marrë përsipër që botimin ta bëjë me paratë e tij, duke e liruar autorin nga një barrë e madhe. I pranishëm në ceremoninë e promovimit, ku përveç qytetarëve të shumtë kanë marrë pjesë edhe diplomatë të vendeve perëndimore, Tafilaj ka thënë se është i nderuar që ka arritur ta botojë kompletin e Buxhovit në gjuhën angleze.

Ai ka thënë se ndonëse kanë qenë të angazhuar disa përkthyes dhe gjuhëtarë, pas vështirësive të shumta barrën kryesore e ka marrë Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.

Mobi Casa

“Besoj që gjatë përkthimit nuk kemi lëshuar ndonjë gjë të pakuptueshme”, ka thënë ai.

Ndërkaq, recensenti i librit, Ramadan Musliu, ka thënë se botimi i librit në gjuhën angleze e tejkalon çdo përmasë, ngase nuk bëhet fjalë për një libër të rëndomtë, por për afirmimin e një historie të panjohur të Kosovës dhe popullit të saj.

“Libri i studiuesit Buxhovi doli në shqip në fillim të vitit 2012 dhe deri në përkthimin anglisht pati një receptivitet nga nivele të ndryshme të publikut, me një histori shumë komplekse dhe shumë paradoksale. Reagimi i parë ndaj botimit erdhi nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Serbisë, si mohuesit e parë të një pune kolosale të autorit”, ka thënë ai.

Vetë autori i librit, Buxhovi, ka thënë se autori ndjehet mirë në dy momente, siç ka thënë ai, kur krijohet koncepti i veprës, dhe kur shikon se vepra ka filluar ta bëjë jetën e vet./koha/