43 vite në shërbim të dijes, rrugëtimi i përkushtuar i mësuesit Xhelil Rrahmani
Gjilan – Xhelil Hetem Rrahmani – Seferi, i lindur më 18 nëntor 1956 në fshatin Sefer, vendlindja e heroit Idriz Seferi, është një nga ata arsimtarë që e kanë jetuar profesionin si mision. I rritur në një familje me traditë të fortë atdhetare dhe vlera të trashëguara ndër breza, ai e ndërtoi jetën mbi themelet e edukimit, dijes dhe përkushtimit ndaj brezave të rinj.
Në një kohë kur figura e mësuesit shpesh sfidohet nga realitete të vështira, rrallë hasen personalitete që jo vetëm e mbajnë gjallë këtë mision, por e lartësojnë atë me dinjitet dhe përkushtim të pashoq.
Xhelil Rrahmani është një ndër ata mësues që nuk u mjaftua me dhënien e dijes, por ndërtoi ura besimi, respekti dhe frymëzimi me nxënësit, kolegët dhe gjithë komunitetin. I dashur dhe i vlerësuar nga të gjithë, ai la pas një trashëgimi të çmuar, gjurmë të thella njerëzore dhe profesionale që do të mbeten gjatë në kujtesën e atyre që patën fatin ta kenë mësues dhe bashkëpunëtor.
Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, në shkollën “Migjeni”, në një kohë kur arsimi zhvillohej në rrethana të vështira dhe nën programe të imponuara. Më pas përfundoi Shkollën Normale në Gjilan dhe Akademinë Pedagogjike “Skënderbeu”, duke fituar titullin arsimtar i mësimit klasor.
Karrierën e nisi më 7 shkurt 1978 në fshatin Sefer, duke i qëndruar besnik profesionit edhe në periudhat më të vështira. Gjatë luftës në Kosovë, në mars të vitit 1999, u detyrua të largohej nga puna, por nuk u ndal, vazhdoi të japë mësim në kampet e refugjatëve në Maqedoni, duke dëshmuar se mësuesi nuk njeh kufij kur është fjala për dijen.
Pas luftës, në kushte të vështira dhe në një ambient të shkatërruar, rifilloi punën në SHFMU “Agim Ramadani” në Zhegër, ku kontribuoi për vite me radhë në rindërtimin e arsimit dhe edukimin e brezave të rinj. Nga viti 2014 ushtron detyrën e zëvendësdrejtorit të shkollës, duke vazhduar me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm.
Për më shumë se katër dekada, ai i ka dhënë arsimit jo vetëm dije, por edhe shpirt. Nxënësit e tij sot shërbejnë me dinjitet në Kosovë dhe jashtë saj, dëshmia më e mirë e një pune të bërë me përkushtim.
Sot, kur përmbyll një rrugëtim 43-vjeçar në shërbim të arsimit, figura e tij mbetet simbol i mësuesit të përkushtuar, atij që, si qiriu, digjet për t’u dhënë dritë të tjerëve.
Përveç angazhimit të tij të gjatë në arsim, Xhelil Rrahmani shquhet edhe për një jetë aktive kulturore dhe rekreative. Ai është i pasionuar pas fjalëkryqeve, merret me shkrimin e poezisë dhe është pjesëmarrës i rregullt në kuize të ndryshme, duke dëshmuar kureshtje intelektuale të vazhdueshme. Krahas këtyre, ai kultivon edhe dashurinë për sportin, veçanërisht për pingpongun, që mbetet një nga aktivitetet e tij të preferuara në kohën e lirë.
Urime dhe falënderime për kontributin e çmuar, i nderuar mësues Xhelil Rrahmani. Ju priftë shëndeti dhe gëzofshi një pensionim të merituar, pranë familjes suaj të dashur./rajonipress/






