Fundamenti

Erdogani në telashe

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Problemet e Turqisë nuk janë të natyrës ekonomike, si ato të Evropës, por më shumë ndërlidhen me situatën në Lindjen e Mesme dhe paaftësisë për të zgjidhur çështjen kurde.

Menaxhimi i këtyre vështirësive është komplikuar për shkak të ambicieve të kryeministrit, Rejjep Tayib Erdogan, për të ndryshuar sistemin politik të vendit, me qëllim që vendi të dominohet nga një president më i fuqishëm, funksion ky të cilin ai synon ta marrë përsipër, pas zgjedhjeve në vitin 2014.

Turqia po konsumohet gjithnjë e më shumë, për shkak të vështirësive në Siri. Përfshirja e vendit në përpjekjet për të përmbysur presidentin sirian, Baschar Al Assad, nuk janë aspak të popullarizuara dhe deri me tani kanë qenë të pasuksesshme. Përkundër përpjekjeve qëllim-mira për të adresuar krizën humanitare, kryeministri i Turqisë, Rejjep Tayib Erdogan, po e ka gjithnjë e më vështirë që të përballet me valën e madhe të refugjatëve sirianë.

Siria ishte qendra e diplomacisë turke në Lindjen e Mesme. Erdogan për një kohë të gjatë ka ruajtur “romancën” me Assadin, madje në një moment kishte tentuar që të ndërmjetësonte një marrëveshje paqësore mes Izraelit dhe Sirisë. Fillimisht, Erdogan kishte tentuar të bindë Assadin që të përqafojë ndryshimet politike, duke e shndërruar atë më pas në një armik të përbetuar, të cilin po synon ta përmbysë.

Në Irak, Erdogan i dha fund politikës shumëvjeçare të Ankarasë, duke i dhënë fund armiqësisë ndaj Qeverisë Rajonale Kurde. Tregtia dhe investimet shënuan një rritje të jashtëzakonshme. Ai gjithashtu llogariti se marrëdhëniet e mira me qeverinë rajonale do të ndihmojnë në eliminimin apo reduktimin e bazave të Partisë Punëtore të Kurdistanit në veri të Irakut. Por kjo nuk ndodhi.

Me fillimin e Pranverës Arabe, Erdogan me shpejtësi ju adoptua rrethanave të reja, duke bërë vizita në rajon dhe duke predikuar për demokraci dhe sekularizëm, duke forcuar kështu dukshëm reputacionin e Turqisë dhe reputacionin e tij personal.

Përderisa Turqia ende mbetet një aktor me ndikim në Lindjen e Mesme, Erdogan me sa duket megjithatë mbivlerësoi ndikimin e Turqisë në rajon, në veçanti duke pasur parasysh ngurrimin e tij për të përdorur forcën. Kthesa e tij kundër Assadit e ka vendosur Turqinë në një kënd të rrezikshëm të brendshëm politik dhe SHBA-ja nuk i ofroi atij ndihmën, të cilën ai kishte shpresuar se do ta marrë nga Washingtoni. Gjithnjë e më shumë po qarkullojnë zërat, madje edhe në qarqet islamike, se Erdogan nuk ka ide se si të veprojë në rastin e Sirisë.

Laikët në Turqi po vazhdojnë të tundin kokën. Politikat e Turqisë në Lindjen e Mesme, me qëllim apo jo, gjithnjë e më shumë po drejtohen në mbështetje të sunitëve, edhe përkundër faktit se Ankaraja po e mohon fuqishëm këtë. Vetë popullata alavite në Turqi, në veçanti në rajonin kufitar të Hatajit, është e mendimit se Ankaraja po mban një qëndrim më armiqësor ndaj saj. Ajo që është edhe më e rëndësishme, marrëdhëniet e Turqisë me shtetet shiite, si Irani dhe Iraku, janë përkeqësuar dukshëm, për shkak të dallimeve rreth Sirisë dhe përfshirjes së Turqisë në Irakun e dominuar nga shiitët.

Uji Dea

Turqia ende po strehon ish-zëvendëspresidentin e Irakut, Tarik Al Hashemi, i cili para ca kohësh u dënua me vdekje nga një gjykatë në Irak. Ankaraja nuk ka treguar fare interes që ta dëbojë atë.

Ndoshta problemi më i madh për Erdoganin është lufta e tij e brendshme me PKK-në, e cila është ashpërsuar sërish muajve të fundit. Përkundër përpjekjeve për të adresuar problemet politike dhe sociale të kurdëve, në rajonet juglindore të Turqisë me popullatë shumicë kurde, Erdogan nuk ka shkuar aq larg sa duhet për të zgjidhur këtë çështje. Sot ndoshta është shumë vonë për ta bërë këtë, për shkak të luftimeve në Siri dhe preokupimit të Erdoganit me ardhmërinë e tij politike.

Erdogan, sikur edhe udhëheqësit tjerë të Turqisë para tij, ndal reformat kur dhuna e ushtruar nga PKK shënon rritje.

Tani Turqisë i është shtuar edhe një problem tjetër, pas daljes në sipërfaqe të rajonit de fakto autonom të kurdëve në Siri. Kurdët në Turqi do të jenë të ndikuar nga ngjarjet në Siri, e ndoshta do të jenë edhe më të ndikuar, nëse Iraku ndahet.

Edhe përkundër të gjitha këtyre turbullirave, Erdogan duket se është i vendosur që të ndryshojë kushtetutën në një sistem presidencial. Aktualisht është duke u hartuar kushtetuta e re, për të zëvendësuar atë të miratuar pas puçit ushtarak, në vitin 1980. Edhe kjo çështje po ka ndikim në politikën e brendshme dhe të jashtme të Turqisë, pasi që Erdogan nuk po dëshiron që të dëmtojë aspiratat e tij presidenciale.

Erdogan ka përvojë të jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Perëndimin. Ai mbetet mbështetës i NATO-s dhe ka tentuar të forcojë marrëdhëniet me Perëndimin. Ai dhe presidenti i SHBA-së, Barack Obama, kanë marrëdhënie të jashtëzakonshme. Por anti-amerikanizmi, nga i cili ka përfituar edhe Erdogani, mbetet forcë potente në Turqi.

(National Interest)