Enigma e Kumanovës
Nga Milaim Shefkiu – Ajo që ndodhi në Kumanovë, më 9 maj, do të mbetet edhe për një periudhë një enigmë që nuk do të zbërthehet lehtë. Sado që në shikim të parë gjithçka i ngjan një filmi tragjik, bazuar në skenarin e një prozatori patetik, kjo ngjarje ka tronditur gjithë kombin shqiptar dhe në themel ka lëkundur raportet ndëretnike në shtetin që po qëndron në luajë-Maqedoninë.
Ky shtet që nuk arriti të konsolidohet kurrë në demokracinë e brendshme, gjithnjë po lufton bashkëjetesën ndërmjet shqiptarëve, që janë më shumë se 30 për qind të trungut demografik, dhe maqedonasve që janë pak më shumë se shqiptarët. E fatkeqësia më e madhe është se me Maqedoninë ka qeverisur një klan mafioz i bazuar në “Cosa Nostra”, që drejtohet nga kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ish-shefi i Inteligjencës, Sasho Mijallkov, dhe disa ministra të tjerë që janë tezakë, kushërinj, nipa e dajë. E emëruesi i përbashkët i këtij klani mafioz ka qenë “lufta ndaj shqiptarëve” dhe diskriminimi i tyre deri në shpërthim.
Prandaj, dyshimet e para çojnë në këtë pistë: se tragjedinë e “Kodrës së Trimave” (Divna Seles) e ka inskenuar ky klan me stil sicilian, ndërsa aktorë të skenës fatkeqësisht kanë rënë djemtë më të zgjedhur të kombit, të dëshmuar në tri luftërat e kaluar për heroizëm dhe atdhedashuri.
Kjo, ndërkaq do të mbetet një faqe e veçantë në histori, ndërsa një pyetje që kërkon përgjigje është: kush ishin aktorët e “Kolonës së Pestë” që ranë pre e Mijallkovit dhe i çuan djemtë drejt vdekjes?
Me siguri kjo çështje, pas një periudhe do të zbulohet dhe vaj halli për ata “burreca” që kanë luajtur rolin e distributorit dhe i kanë marrë në qafë djemtë e zgjedhur, sikur lisat e rrallë, të Kosovës.
Tani çka ka mbetur pa u zhbërë dhe çka duhet bërë për ta shpëtuar Maqedoninë. U pa se investimi prej qindra miliona eurosh në identitet të rremë nuk është produktiv, sepse në këtë periudhë nuk ka njerëz që e “hanë sapunin për samun”. Ndërtimi i skulpturës gjigande të Lekës së Madh dhe heronjve të tjerë që në asnjë trajektore nuk prekin botën sllave, nuk jep shpresë për integrimin e Maqedonisë, përkundrazi irriton më shumë fqinjët grekë që ta pengojnë integrimin. Ndërsa rasti i Kumanovës në vend se t’i neutralizojë “bombat e opozitës” në skandalin e përgjimeve, ajo krijoi edhe një armik të ri për kryeministrin Gruevski dhe klanin e tij. Është Shqipëria që do ta përdorë veton kundër Maqedonisë për integrim në NATO.
Shpresojmë se kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk po bën vetëm politikë demagogjike sikurse paraardhësi i tij, Sali Berisha, por t’i qëndrojë pas deklaratës dhe ta pengojë seriozisht Maqedoninë për NATO, derisa nuk respektohet Marrëveshja e Ohrit. E nëse vlen proverbi se “dita e mirë duket në mëngjes”, atëherë Gruevski nuk ka asnjë disponim ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit, madje këtë e ka dëshmuar gjatë nëntë viteve të kaluara. Përgjimet kanë dëshmuar se Qeveria Gruevski dëshiron t’i pastrojë një herë e përgjithmonë çështjet me shqiptarët (e ka thënë Jankullovska). E nëse kjo duket kështu, ndoshta ka qenë momenti i duhur që të punohet për federalizmin e këtij shteti, në pjesën shqiptare dhe maqedonase. Por, kjo s’mund të ndodhë derisa në koalicion me Gruevskin qëndron Bashkimi Demokratik për Integrim, një parti politike që ka bagazh luftën e vitit 2001.
Dikush mund të pyesë: a është momenti i duhur që nga koalicioni të dalë partia e Ali Ahmetit BDI? Të gjithë do të thoshin “Po”, se ky është momenti i fundit kur Abaz Gjuka t’ia japë grushtin e fundit Gruevksit, i cili më pas do të jepte llogari për Kumanovën, për rastin e montuar “Monstra”, për vrasjen e gazetarit maqedonas dhe për shumë skandale të tjera për korrupsion dhe krim të organizuar.
Ndërsa, nëse Ali Ahmeti vazhdon edhe më tej t’ia zgjasë jetën këtij njeriu që vjell vetëm urrejtja ndaj shqiptarëve, atëherë edhe ai bëhet bashkëpjesëmarrës në tragjedinë shqiptare në Maqedoni.


