Ekstra kushte për “kampionët” e matematikës

Gjilan – Edhe përkundër që Matematika cilësohet si “Mbretëresha e Shkencave natyrore”, ajo nga pjesa dërrmuese e nxënësve në shkollat tona nuk adhurohet si një mbretëreshë, duke shfaq tepër pak dashuri për të. Është vështirë të gjesh ndonjë nxënës, i cili ma pasion të plotë e adhuron këtë lëndë thotë Fehmi Sylejmani.
Fehmi Sylejmani drejtor në OJQ “Union Plus” në një letër drejtuar organeve komunale ka kërkuar nga këta të fundit që nxënësve dhe garuesve të matematikës tu plotësohen disa kushte favorizuese. Sylejmani në letër ka thënë se viteve të fundit, nxënësit e komunës së Gjilanit, në garat e ndryshme të matematikës kanë triumfuar, duke dalë të parët edhe në nivel rajonal, republikan dhe mbarëkombëtar. “Këta nxënës të suksesshëm, jo vetëm që me triumfin e tyre kanë nderuar në radhë të parë vetveten, shkollën, komunën dhe vendin tonë, por ata edhe kanë vënë themelet forta drejt sukseseve të tyre edhe më të mëdha në aspektin profesional, për të qenë një ditë pse jo edhe shkencëtarë të ardhshëm” ka thënë ai.
Sylejmani tha se nuk mund ta mohojmë faktin se viteve të fundit, drejtoria e Arsimit dhe kreu komunal e kanë ndihmuar vullnetshëm dhe pa përtesë nismën dhe organizimin e garave të ndryshme të Matematikës në Gjilan, të organizuar nga OJQ “Union Plus”, mirëpo shqetësimi ynë si organizatë profesionale në rrafshin e arsimit, kërkon nga krerët më të lartë të komunës, që në të ardhmen, këtë kategori të nxënësve të suksesshme ta ndihmojnë edhe në forma tjera:
Mundësisht në të ardhmen Komuna të ndihmojë kampionët e Matematikës me të holla (një vlerë qoftë edhe simbolike): T’ju paguhen semestrat deri në përfundim të studimeve, t’ju ndahen bursa pa kurrfarë kriteri dhe konkurrence(nxënësve dhe studentëve), të organizohen ekskursione ekskluzivisht për këta nxënës, në shenjë respekti për suksesin e tyre të lartë, t’ju dhurohet ndonjë shpërblim me vlerë të veçantë , të nderohen, respektohen, çmohen dhe të shpërblehen edhe arsimtarët e tyre.
Duke i arsyetuar këto kërkesa Sylejmani tha se përfituesit e kësaj ndihme do të ishin në radhë të parë nxënësit, studentët, prindërit, institucionet shkollore, institucionet komunale arsimore, por edhe vetë Komuna, meqë me këtë gjest human dhe mundësisht të rregulluar në të ardhmen me norma nënligjore, do të ishin më të merituarit për të motivuar dhe nxitur nxënësit që të merren shumë më shumë me lëndën e matematikës, e cila siç dihet nuk është edhe bash e kollajshme. Në Kosovë gjithashtu dihet se më së paku ka kuadro deficitar të lëndës së matematikës, ndërkohë që komuna e Gjilanit ka talent të mirë për këtë fushë, por do të ishte mirë që në të ardhmen të stimulohen edhe më shumë këta nxënës, të cilët çdo vit ia kanë zbardh fytyrën jo vetëm Gjilanit, por edhe Kosovës.
“Nuk dëshirojmë të bëjmë krahasime me fushat tjera, por fusha e Matematikës është shumë më specifike se të gjitha fushat tjera, prandaj pikërisht për këtë arsye dëshirojmë që në të ardhmen kësaj kategorie t’ju jepet shumë më shumë prioritet dhe mjete seç është dhënë deri më tani.
Me një dëshirë dhe vullnet të mirë këtë mund ta realizojmë. Vetëm lypset punë dhe angazhim. Matematika nuk është aq e “egër” sa na duket, por duhet më shumë veprimtari, me qëllim që nxënësit tanë ta pëlqejnë, ta duan fortë, e të punojnë për këtë lënde ekzakte. Thjeshtë duhet të bëjmë shumë më shumë për Matematikën” ka thënë Sylejmani./rajonipress/