Në morfologjinë e poetikës postmoderniste të krijuesit brilant Bilall Maliqi

/ 14 minuta lexim
ARKATANA

Nga Zekerija Idrizi – Dy qasje e vështrime “ndryshe” poezive mistiko-filozofike te libri “GRUSHTIM KOHËSH” i poetit dhe shkrimtarit Bilall Maliqi.

Thellë në brendi, në përmbajtje të narrativës poetike të Bilall Maliqit, te libri “Grushtim kohësh” shpërfaqen dy botë sublime: “Presheva historike” dhe “kauza kombëtare” e Kosovës Lindore, si pjesë përbërëse e Dardanisë dhe Shqipërisë Natyrale. Mandej, dendur në shumë poezi, këto dy botë shpërfaqen në pamje kontrastive e antagoniste – si diskurse, doktrina e botëvështrime në diskrepancë të thellë e diametralisht të kundërta mes tyre.

Këto botë diversive autori Maliqi i prezanton denjësisht me një gjuhë të sofistikuar mistiko-filozofike, psiko-sociale, sociologjike e historike. Kjo gjuhë është e mbarështruar me nivel në pikëpamje artistike dhe semantike, si dhe me një estetizëm të theksuar letrar plot simbole e metafora mjaft domethënëse.
Madje-madje, do thosha, z. Bilall Maliqi ka shkaktuar një “revolucion letrar” në letërsinë shqiptare me filozofinë e tij poetike sa simboliste aq edhe postmoderniste, me ç’rast ndjek me zell paradigmat metodologjikë të letërsisë simboliste të poetëve të shquar francezë: Sharl Bodler, Teofil Gotje, Pol Valer, Andre Gide dhe Zhan Morea, të cilët ishin edhe teoreticienë të estetikës simboliste, duke ndjekur kështu parimet dhe idetë e filozofit dhe eseistit gjerman Artur Shopenhauer (Schopenhauer) si dhe konceptet e kompozitorit gjerman Rihard Vagner mbi artin.

Z. Maliqi e shfaq bukur në librin e tij teorinë e sinestezisë, analogjisë universale, të ngërthyer në shumë poezi, në të cilat kërkon të zgjidhë enigmën e “pyllit të simboleve”, të zbulojë analogjitë e thella nëpërmjet të cilave mund të shprehet më së miri thelbi i njerëzve dhe i vragëve të thella në shoqëri e shtet.

Gjuha narrative poetike, ndërsa, e Bilallit shpreh një senzualitet shqetësues dhe pikëllim të thellë kundruall të gjitha të zezave e të ligave që kaq dendur e kanë mbërthyer shoqërinë dhe parinë e shtetit sot, në këtë shekull, sikundër e shfaq ai më së mirë te poezia: “Kjo kohë nga të zezat u grushtua/Dhe pikoi lot të zi/Kohë e mbështjell me mort/Në të pamën e saj/Sillen e pështillen Stinët e hirta”.

E këto “stinë të hirta e të vrara – të mbështjella me mort” autori i fokuson te vendlindja e tij, në Preshevë, duke vargëzuar: “Kështu e kujtoj Preshevën/Tek bart në shpatulla/Peshën e rëndë të historisë”. Po, pikërisht Preshevën ku, siç vargëzon autori: “Në atë vend/U mbollën vdekjet/Dhe mbinin heshtjet”.
Po kështu dhe te dy poezitë tjera me vargjet plot mllef e pezëm: “Farë e keqe me gjemba/Mbush (kudo)gjerësinë/ E Luginës së heshtur…”, si dhe te poezia

“DËSHTIMI” me vargje plot dëshpërim:
“U ndal e kaluara në pikë të dështimit/ E sotmja mori krah të dëshpërimit/ U shkri e zeza n’flamur të pikëllimit/ Koha u lag nga lotët e vajtimit…”
Në këto peizazhe ogurzeza, të hirta e plot mortje e pesimizëm kontribuojnë “protagonistët e së keqes”, të cilët autori në disa poezi i prezanton karikaturalisht në karakterologjinë e tyre morbide si: “grykës të pangopur”, “miq me djallin (me petka engjëjsh) që thithin gjak njeriu”, “hije të shkërmoqura”, “tekanjozë të dështuar”, “gjarpërinj përbindësh” dhe “babëzitës” e “satanë të mallkuar” të ciët, siç vargëzon bukur Maliqi: ““Ka grykës(e) që kafshon,/Përpin e thith gjak/

Nëpër etninë e shkarravitur”, dhe vargjet: “Teket i rritën e i rritën/I m’veshën me petkun e mërisë/ Tekanjozët e dështuar”…
Sojin e sorollopin e të këtillëve, që s’kanë pikë ndërgjegjeje, autori e mallkon me gjëmë e ofshamë:
“Në pritë
Janë ca sy(sh)prishur
Mbushur me urrejtje
Sytë u pikojnë gjak
Ata veç kërkojnë
Sa shumë kërkojnë
E asgjë nuk japin
Janë miq me djallin
Me maskë engjëlli Thithin gjak
Heu…
Sa të tmerrshëm janë
He i shpërlaftë mortja”
Madje-madje, autori po në thumb të kritikës i vë edhe individët sehirxhinj e teatristë të së ligës, të cilët qëndrojnë pasivë e duarkryq në sfond të teatrove absurde, duke i duartrokitur herë-herë të ligës, tragjikes e dramaticitetit në shoqëri: “Hijet hutohen e gajkosen/ Gjembave të kufijve helmues” dhe “Po…fajtorët u gjetën/ Ata godasin në atë cak/ Ku çelen arkat/ Më pastaj hijet urtake/ Përgjumshëm i duartrokasin hajnisë…”

Akoma më rëndë, me një gjuhë të ashpër kritike autori Maliqi i vë “ata – krerët e parisë”, te të cilët, atje lartë në piramidën e shtetit e të guvernës qeveritare, gëlon tradhtia, te vargjet vijuese:

“Përbirohen të zezat nga vrimat/ E portës së madhe të Parisë/ Pastaj fjalët ngjiten në një varg/ Për t’u varur në varëse të tradhtisë”
Orkestruesit dhe farkatarët e “kobzezës zhvatje” nga “paria pushtetare” – konstaton autori duke vargëzuar:
“Po ikin nga Paria/ Që orë e çast ndërron maska/ Me surrate dhembjeje/ Po ikin nga ngulfatësitë/ E zhvatësit e shpresave/ se premtimet ngjyrë i kanë në pjatat e zbrazura/ Ata shkojnë përditë atje ku vjedhja/ Lexohet si një fjalë e marrë…”

Dhe të tëra këto storje e dukuri trishtuese e plot dhimbje e drithërimë autori i paraqet në pamjet më pezhorative, me shumë pasoja për shoqërinë, deri në dekadencë, mortje e theqafje totale, te poezia me titull “FUNDI I PIKËS SË ERRËT” teksa vargëzon me pikëllim e deprimim:

“Një ditë kur të fryhet largimi Vetmia trishtohet/Zogjtë i harrojnë cicërimat/ Dielli lind mbrapsht/E hëna errësohet/S’do të ketë më as lule/ Gjelbërimi thahet/ Edhe këngët harrohen/ S’do ta njohim njëri- tjetrin/ Stinët ngatërrohen/Kutitë do të jenë të zbrazura/ Atëherë mortja shëtitën/ Nëpër shpirtra pleqsh të lodhur/Autoambulancat me alarme e trishtojnë heshtjen/ Ky është fundi i pikës së errët Kur mallkimi me urimin/ Do t’i ndërrojnë vendet/ Lindjet shpejt harrohen/ E vdekjet me thirrje ezanësh përditë do të shtohen…”

Por, ama, edhe përskaj gjitha këtyre tablove të trishta e mortndjellëse, autori i vë në spikamë edhe korifenjtë e pishtarët mendjendritur të ndryshimit, progresit dhe revolucionit të gjithëmbarshëm shoqëror, veçanërisht te poezia me titull “OFSHAMË E VARUR”:

“Brenda heshtjes/ Shpërtheu një ulërimë/E qartur hijes së maskuar/ Koha ia grisi maskën/Një SATANIT të m a l l k u a r…”
E autori Maliqi i thërret mendjendriturit që të reagojnë zëshëm kundër të ligave dhe preventivisht t’i parandalojnë ato, duke vargëzuar në formë kushtrimtare: “Është koha t’i shqelmojmë të zezat”. Përndryshe, neglizhenca, indiferentizmi e indolenca pasive e protagonistëve të dijes e të së mirës përballë të keqes, regresit e “mortjes” apokaliptike e “trondit dhe zhbln të mirën”. Në këtë drejtim autori na e tërheq vërejtjen te poezia “Pritëm”, në vargjet:
“Pritëm të abortojë e keqja/ Në motin e bram/Abort s’pati/Lindi në gjerësinë tonë/Si një foshnje e shëndoshë/S’pati as prerje cezariane/Peshoi rëndë/Në tokën e (stër)rënduar/Pastaj…e mira u trondit/Dhe ia mbathi/Matanë Bjeshkëve të Nëmura/ Më ngeli e keqja/ Në ballë të stinëve të vrara”.
Pikërisht në këtë rrafsh, poeti Maliqi ka një amanet sa sublim aq edhe të shenjtë për ne:
“Mos qëndro duarkryq/ Kur shpresa përditë grushtohet!”.

Por, ca poezi në brendi të librit të shkrimtarit Bilall Maliqi janë edhe plot dritmagji, shpresë e optimizëm, për arsye si ai, së pari, beson e mbështetet në forcat vetanake dhe, së dyti, beson në kurajon, forcën, punën dhe sakrificat e mendjendriturve e të dijetarëve të ndryshimeve pozitive në shoqëri e shtet. Edhe përkundër “reve të zeza” që kanë pllakosur Preshevën e Arbërinë mbarë, autori rrëfen për mosmposhtjen e këtij qyteti dardano-shqiptar ballë së ligës. Këtë më së miri ai e shpreh te poezia me titull “Ngeli në këmbë” (Kalasë së Preshevës):
“Në atë pushimore
Qëndron Pip një ngrehinë
Nga Roga e Topit
Gjuhej pa ndalur
Me shtytje të gjyleve
Ajo (prapë) ngeli në këmbë
Kurrë nuk u shemb
As nga të egrat furtuna
Mot pas moti
Nga ajo lartësi
Pikojnë kohët si shiu
Për t’na freskuar
Kujtesën e lodhur
JO
Jo fjalës që vret dhembjen
E gjakos plagën e rreshkur
Jo këngës që nxit vajtimin
E rrjedhin lotët (si) ujëvarë
Jo shikimit të shtrembët
E zgjimit të inatit të fjetur
Jo mendimit të përçudshëm
E hapjes së portës së xhelozisë

ATDHEU

Atdheu s’është lojë shahu Të luash si të duash
Të falësh ndonjë copë
Si figurë
Në arenë katrorësh
Nuk shkokëlohet
Si fasule
As nuk ndahet si buka
Është hartë e përgjakur
Atdheu asnjëherë
Nuk vritet
E ka shenjtërinë
Në korniza peizazhesh
Shpërfaqë bukurinë
E përmbyll librin autori Maliqi me mesazhin e shenjtë:
““Edhe nëse vdes/ Dashuri/ Do të jetë fjala ime e fundit”.

ARKATANA

VLERAT MISTIKE TE POEZITË MONOLOGUESE TË BILALL MALIQIT

Këtyre ditëve jam shoqëruar në lexim të ca poezive sa sublime e mistike po aq edhe teozofike, të përshkuara me metafora e figuracion mjaft domethënës nga muza mahnitëse kreatoriale e poetit të spikatur Bilall M. Maliqi.

Që në poezinë e parë lexova karakterin e qëndrueshëm njerëzor të poetit teksa vargëzon për vlerat individuale etiko-morale:
“Gurin e qëndresës
Shpesh e bëra nënkresë
Nëpër stinë e mote
E forcova unin tim
Ngado mbolla dashuri
Urrejtjen e futa në dry
Shtigjet e mbyllura
I bëra të kalueshme korsi”

Në vazhdim poeti Maliqi din ta shndërrojë në “lotë të gëzimit lotin e dhembjes, e pikëllimit t’ia heqë perden e zeznajës së trishtë”, duke ndjekur kështu porositë sublime të muzës vargëzuese, të cilat ia hapin shtigjet e lumturisë, gëzimit dhe të harmonisë. Le ta lexojmë:
“Lotin e dhembjes
Shpesh e shndërrova
Në lotë të gëzimit
Pikëllimit ia hoqa
Perden e zezë
Le të ngjyhet me bardhësi
Me porosi të muzave
E shkriva veten
Edhe në vargje
Të lexohen nëpër kohë
T’i lexojë edhe Ajo
Që nganjëherë
E lidhte nyje gëzimin
Me dhembjen
Përqafimin me hidhërimin
Ëndrrën e lazdruar
Me zgjëndrrën idhnake
Hej- nëpër kohë
Mallëngjimin e ruaja në gji
Si mburojë të zemrës sime”

Qëndresë, vigjilencë, gufim e erupcion forcash nga thellësitë e shpirtit të poetit, duke sfiduar ligësinë, amullinë, plogështinë dhe shpirtin e zvetënuar, në poezinë e tij plot optimizëm:
“Nën tingujt e durimit
Këngën (për liri)se ndala
Nëpër nota të qëndresës
Zëri im valoi
Nga brendia e shpirtit
Një forcë kushtrimi gufoi
Edhe stinëve
Ia hapa dyert
Për t’i parë peizazhet
E ngrohta e të ftohta
Varur në murin e moteve”

Poeti Maliqi nuk pajtohet kurrsesi me plangprishësit që përçajnë, gërvishin plagët e as me mbështetësit e e zeznajës së kulluar që pikon vetëm tmerr e dhembje:
“S’pajtohem me prishësin
Që (ngado) përçan
E ndan hijet e hutuara
Shprish dhembjet
E gërvish plagët
E rreshkura të kohës
Nuk pajtohem
As me mbështetësit
E zisë së kulluar
Që nëpër sitën e motit
Pikojnë veç dhembje”

Ai nuk u frikësohet hijenave, dreqërve e maskarenjëve që sjellin tmerr e lemeri, por trimërohet deri në majë mali e lartësi qielli, duke mbrojtur dashurinë njerëzore:
“Përnjëherë të dola përpara
Si mbrojtësi i fatit
Apo i shpresës së cunguar
Në ditën e trembëdhjetë
Ku ëndrrat shfaqen mbrapsht
E frika trimërohet
Unë kur jam në tënden anë
Nuk i frikësohem
Asnjë hije që sjell tmerr
As kësaj dite të çrregullt
Por trimërohem
Deri në majë mali
Si një mbrojtës i dashurisë”

Poezi perlë e rrallë, e veshur me metaforat mjaft domethënëse:”Porta e Pishtakut”, “Engjëjt kasnecë”, “Mëngjesi i kuqërremtë” dhe “Ëndrra e së premtes”, të cilat autorin e shpiejnë “tek shtëpia e Perëndisë, për t’i zbrazur lutjet e gufuara në shpirt”.

Poezi thellësisht mistike që shpërfaqë në kulm dashurinë hyjnore është poezia me titull
“Te Pishtaku”:
“Ëndrra e së Premtes
Më futi brenda
Portës së Pishtakut
Ç’ëndërrim i bukur
I mveshur
Me laramani ngjyrash
Se ç’më dëftuan
Gëzueshëm
Engjëjt kasnecë
Për këtë bukuri
Tek ngjeshet në sy
Më pas
Mëngjesi i kuqërremtë
Më shpiu
Tek shtëpia e Perëndisë
Për t’i zbrazur lutjet
E gufuara në shpirt”

Poezi kuptimësish të thella, sa filozofike, aq edhe teozofike. M’ka mrekulluar me këtë margaritar letrar, që në pak fjalë shfaq një estetizëm magjik te poezia “Në mes dy botëve”, ku vargëzon për “berzahun” – botën e përtejvarreve:
“Në mes kësaj bote
Dhe tjetrës
Një peng(esë)
Apo Berzah
Këtu përfundon
Së shkruari
Ditari e natari
Leximi nis nga engjëjt
E dy krihëve
Pastaj në peshoren e saktë
Maten të mirat
E të këqiat
Për gjykim e pastrim
Të përbotshëm
*Berzah, pengesa në mes kësaj bote
Dhe botës tjetër”

Në poezinë e radhës ai favorizon drejtësinë dhe mirësinë e fjalëmirëve, duke ia hapur atyre portat e duke ua mbyllur ato fjalëkëqinjëve. Një poezi kjo me vlera mjaft sublime etiko-morale:
“Jam (ai) që veprat e mira
E të këqia
I mas në peshoren e drejtësisë
Fjalëmirëve ua hapi udhët
Fjalëkëqinjve ua mbylli
Me gjemba portat e veprimit
Mos ti lë të futen
Brenda të holluesit
Të etnikumit të hapur
Si mëkatarë të shpeshtuar”

Në poezinë thellësisht mistike me titull

“LETËR AZRAILIT” poeti Maliqi i përgjërohet engjëllit të vdekjes që t’mos ia marrë shpirtin në kohë të pakohë, ose në kohën e degëzimit të fateve apo “në çastet kur n’lëpizë i palos veprat e (pa)mbaruara”:
“Mos eja në këtë vapë përcëlluese
Si kasnec mortor
As si hije në dritë të hënës
Se atë ditë dielli s’nxen
E natën hëna proteston
E shuan fanarin grimcues të territ
Eja kur nëpër hullitë e ballit
Dergjen vitet e perëndimit
Pastaj
Ardhjen tënde e pret koha
Ia hapë deriçkën e dhomës
Ku horizontalisht të pres
Si një përmbarues i decenieve të shterrura
Mos eja Azrail
Në kohët e degëzimit të fateve
Apo në çaste ku i palosi
Si n’lëpizë veprat e (pa) mbaruara
Eja në çastin ku dëshira
Për të jetuar e kërrus në shpinë shpresën
E thinjur të kohës…
*Azraili, meleku i vdekjes…”

Për fund, do ta prezantoj poezinë e “Itakës” së tij, vendlindjes së tij, Preshevës, si “plagë e zemrës së tij”, si “hartë e shtrirë në damarët e trupit të tij”:

“PRESHEVË PLAGA IME
Përdit humb nga një hije
Zhduket si t’mos kishte qenë
E s’di kënd ta qajë
Veten apo tokën e lënë në boshësi
Më duket se edhe gurët
Shtohen në caqe ku dhemb shpirti
Preshevë plaga ime e pa shëruar
Edhe zogjtë e qiellit se duan vetminë
Ata fluturojnë përmallshëm
Në tënden lartësi
Sillen e pështillen
Bartin në shpinë dhembjen
S’di si ta ndali lotin
Tek pikon në plagën e gjakosur
Preshevë pikturë
E futur në rrethin e kohëve
Me portat e fshehura
E derën e mbyllur kah lindja
Me pikën e zezë
Tê ngulur
Në shpirtin e bardhë si bora
(Unë) përdit të qajë
E lotët s’më thahen
Kur do ti zëvendësoj këta lotë
Dhembjeje me lotë gëzimi
Preshevë
Hartë e shtrirë në damarët
E zemrës sime”

Poetin dhe shkrimtarin Bilall Maliqi e përgëzoj nga zemra për këto perla hyjnore, që freskojnë trurin dhe shpirtin!