Eko Higjiena

Ekspozitë dhe orë letrare në gjuhën gjermane nga autorët shqiptarë në Austri

/ 6 minuta lexim

Austriakët organizojnë ekspozitë dhe lexim letrar nga autorë shqiptarë në ambientet e Osteria Allora. Franz Pfeffer: “Hera e parë zëri i shqiptarëve në ‘‘Galerie Studio 38‘‘ të Vjenës. Krijuesit shqiptarë në Austri hapin horizonte të reja afirmative në Austri. Piktori, Gazmend Freitag me ekspozitë personale në Vjenë”.

Aktivitet kulturore me karakter letrar e pamor janë gjithnjë e më të shumta, më kualitative dhe prezantuese para artdashësve në Austri. Lidhje e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” bënë një aktivitet me vlerë në Vjenë dhe qytetet tjera austriake. Bashkëpunimi me PEN-klubin e shkrimtarëve austriak dhe klube tjera e afirmuan krijimtarinë e poetëve, shkrimtarëve, piktorëve e krijuesve tjerë shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Austri.

Në vazhdën e këtyre aktiviteteve ishte edhe organizimi i orës letrare dhe ekspozitës së pikturave nga Gazmend Freitag, në ambientet e klubit Osteria Allora dhe nën organizimin e shoqatës austriake ‘‘Galerie Studio 38‘‘.

Aktivitetin letrar e artistik e pasuruan me pjesëmarrjen e tyre edhe dy përfaqësuesit e komunës së Vjenës, sektorit për kulturë të lagjes së 20-të të Vjenës znj. Christine Maly, këshilltare e bashkisë dhe kryetare e komisionit për kulturë Brigittenau dhe z. Wolfgang Bauer zv. kryetar i këtij komisioni si dhe shkrimtari austriak me prejardhje turke Serafettin Yildiz, të cilët u ndanë të kënaqur me artin e ofruar nga krijuesit shqiptarë.

Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Franz Pfeiffer, menaxher i ‘‘Galerie Studio 38‘‘ me seli në Vjenë, i cili theksoi se shoqata që përfaqëson ka një traditë 10 vjeçare në organizime të projekteve artistike, ndërsa kjo ishte hera e parë që si mysafirë kishte krijues shqiptar.

Në emër të LShKSh “Aleksandër Moisiu” në Austri përshëndeti kryetari i saj z.Besim Xhelili. ‘‘Jemi mbledhur që të promovojmë artin e autorëve shqiptarë të cilët veprojnë në këtë vend mik të kombit tonë. Në Vjenë shekuj me radhë janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen shpata dhe helmeta e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Prandaj edhe ne jemi vazhdimësi e marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve tanë, të përkushtuar që këtë bashkëpunim ta fuqizojmë edhe më tepër, kësaj radhe në fushën e letërsisë dhe arteve vizuale.

Fidanishtja

Në emër të shtëpisë botuese ‘‘Platform Verlag‘‘ nga Vjena e cila edhe publikoi në gjuhën gjermane antologjinë e parë të autorëve shqiptarë në Austri ‘‘Illyricum‘‘ foli Johannes Martinek, i cili nënvizoi rëndësinë e këtij botimi për publikun gjermanofolës. Mbrëmja letrare filloi me prezantimin e antologjisë ‘‘Illyricum‘‘ të cilin e bëri Anton Marku, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu‘‘.

Ai tha se ‘‘Ky është libri i parë i këtij lloji në Austri. Në të janë përfshirë 26 krijues shqiptarë që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vendet tjera të Ballkanit, Fjalët hyrëse i kanë shkruar ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, Dr. Vili Minarolli dhe Dr. Sabri Kiqmari si dhe Dr. Helmuth A. Niederle, president i PEN Klubit të Austrisë. Me këtë publikim po dëshmohet se çdo ditë e më tepër ne jemi duke u bërë pjesë aktive e skenës kulturore austriake, duke prezantuar veprat e krijuesve shqiptarë edhe në gjuhën gjermane, në mënyrë që artin dhe letërsinë tonë ta ofrojmë publikut vendas.

Me krijimet e tyre u paraqiten disa nga anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksander Moisiu‘‘ , ku vargjet dhe tregimet e tyre në gjuhën gjermane i lexuan poeti, Ragip Dragusha; krijuesi dhe përkthyesi nga Graz-i, Dr. Kurt Gostentschnigg i cili dhe ka bërë përkthimin e antologjisë ‘‘Illyricum‘‘. Lexuan nga krijimtari poetët: Dan Kosumi, Mërgim Osmani, Anton Marku dhe Besim Xhelili.

Artdashësit nga radhët e kombeve të ndryshme i duartrokitën paraqitjen e poetëve të cilët krijuan emocione me artin e tyre dhe interpretimin e bukur. Puna e mirë organizative brenda LSHKSH “Aleksandër Moisiu” në Austri e ka fituar besimin e shumë klubeve e asociacioneve vendore të cilat ofrojnë bashkëpunim dhe ndihmë me vlerë për ofrimin e vlerave krijuese nga shqiptarët që jetojnë e krijojnë në Austri. Vlen të përmenden aktivitetet letrare të organizuara më parë ku ishin edhe figurat si: Sidonia Gall, kryetare e Shkrimtarëve të Austrisë, Helmuth A.Niederle, president i PEN-klubit në Austri, shkrimtar i njohur. etj. Krijuesit e Lidhjes janë nga radhët poetëve, piktorëve, skulptorëve, publicistëve etj. Ata janë veprimtarë të vyer krahas artit që ata ofrojnë.

Padyshim njëri nga artistët mjaftë aktiv në Austri është piktori z.Gazmend Freitag nga Linci, Hapjen solemne të ekspozitës së tij personale këtë mbrëmje e bëri Ursula Pfeiffer, përfaqësues i galerisë “Galeriestudio 38”. E cila foli për biografinë e piktorit duke u fokusua në stilin e veçantë, motivet nga vendlindja dhe ato moderne në punimet e tij. Po ashtu dha një historik të shkurtër të popullit shqiptar që nga pavarësia e këtej.

Ajo tha se pikërisht këtu i ka lindur ideja e ekspozitës me temën “Impresione Shqiptare” (mbresa shqiptare). Pastaj, iu referua disa thënieve rreth piktorit tonë nga shtypi e kritika. Po ashtu foli edhe zj.Elisabeth Birngruber, bashkëstudiuese me piktorin dhe pianiste. Mes tjerash piktori ynë shtoi: “Janë të ekspozuara 14 eksponate reprezantive të punuara në vaj dhe grafikë, kryesisht me motive shqiptare. Me “galeriestudio38” në Vjenë, pos kësaj ekspozite aktuale, shpresoj të bashkëpunoj prapë dhe të paraqitëm në ekspozita kolektive këtë vit si në “Paradise”. Organizatorët menaxher zj. Ursula dhe Franz Pfeiffer janë shumë të zellshëm, janë kompetentë dhe me përvojë shumëvjeçare në Vjenë.” Në fund u dha koktej rasti ku pjesëmarrësit biseduan nga afër, shkëmbyen mendime dhe ide lidhur me projektet e mundshme të përbashkëta në të ardhmen./Hazir MEHMETI , Vjenë/albinfo/