Ekspertja amerikane thotë se Vuçiq mund ta përshkallëzojë sërish situatën në Kosovë e Bosnje
Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, ka theksuar se propaganda ruso-serbe se Perëndimi po i mbështet protestat në Serbi në kundërshtim të zgjedhjeve të 17 dhjetorit ka rënë.
Kësisoj, analistja amerikane ka pretenduar se Moska e Beogradi mund të kalojnë në implementimin e planit alternativ, ku presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mund të nxis ndonjë përshkallëzim në Kosovë ose Bosnje e Hercegovinë.
“Propaganda ruse dhe serbe për Maidanin e udhëhequr nga perëndimi po shpërbëhet, serbët nuk rranë pre e kësaj. Tani mund të vihet në jetë plani B – më shumë kërcënime e përshkallëzime në Kosovë e Bosnje. Pse? Që Vuçiç të pozicionohet si shtyllë i stabilitetit duke përshkallëzua e më pastaj de-përshkallëzuar situatën”, ka shkruar ajo në platformën sociale, X.
Ndryshe studentët serbë, të premten, kanë bllokuar një ndër rrugët më të frekuentuara të Beogradit në shenjë proteste pas parregullsive në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi.
Të rinjtë serb të cilët bllokuan njërën nga rrugët më të ngarkuar të kryeqytetit po kërkojnë që autoritetet serbe të lejojnë hapjen e listave të votuesve.
Një nga organizatorët e protestës, Ivan Bjeliç, duke folur me megafon, të premten tha se automjetet e ambulancës do të lejohen të qarkullojnë gjatë bllokadës.
Ai paralajmëroi një program muzikor, si dhe ngritjen e një kampi me tenda.
Siç u njoftua më herët, bllokada do të zgjasë 24 orë diku në mesditën e ditës së shtunën të 30 dhjetorit, kur në protestë do të bashkohet përfaqësuesit e kampit opozitar “ProGlas”.
Studentët iu bashkuan protestave që kanë vazhduar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të thirrura nga koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës”, duke akuzuar ndër të tjera Partinë Progresive Serbe (SNS) për vjedhje në zgjedhje.
Dyshime për parregullsi në procesin zgjedhor shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiç, fushatë negative dhe përhapje të frikës.