Edhe pas 36 vitesh, Enver Ramadani mbetet shpirti vetëflijues i lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve
Gjilan – Enver Ramadani u vetëflijua në emër të luftës së popullit shqiptar për të mos jetuar i nënshtruar dhe i përbuzur. Edhe pse kanë kaluar 36 vite nga ndarja e tij nga jeta (1 mars 1990 – 1 mars 2026), ai mbetet figura më emblematike e trungut rinor për liri, demokraci dhe pavarësi. Nga Stublina e Gjilanit, Enveri vazhdon të jetë udhërrëfyes për breza të tërë që sakrifikuan jetën për idealin e lirisë. Ishte vetëm 17 vjeç, por në mendje dhe në shpirt mbante vendosmërinë dhe guximin e një luftëtari të lindur. Rinia e tij nuk ishte thjesht moshë – ishte vetëdije, revoltë dhe qëndresë.
Ka jetë që shuhen në heshtje dhe ka jetë që shndërrohen në kushtrim historie. Enver Ramadani i përket kësaj të dytës. Ai nuk ishte thjesht një djalosh 17-vjeçar nga Gjilani, por një ndërgjegje e zgjuar në kohën kur frika synonte të bëhej ligj, e nënshtrimi – fat. U vetëflijua në emër të luftës së popullit shqiptar për të mos jetuar i përkulur dhe i përbuzur, duke e kthyer dhimbjen personale në akt simbolik rezistence.
Kanë kaluar 36 vite nga 1 marsi i vitit 1990, por emri i tij nuk është zbehur nga koha. Përkundrazi, ai ka marrë peshën e një figure emblematike të trungut rinor që kërkoi liri, demokraci dhe pavarësi. Enveri mbetet metafora e një brezi që nuk pranoi të heshtë, një dëshmi se edhe në trupin e brishtë të një adoleshenti mund të rrahë zemra e një kombi që kërkon dinjitet.
Abetarja e Rezistencës: Enver Ramadani dhe rinia kosovare
Enver Ramadanin nuk guxojmë ta harrojmë asnjëherë. Ai mbetet abetarja e rezistencës së rinisë kosovare dhe shembulli i një populli që di të lindë dhe të edukojë bij që përballen me okupatorin pa u përkulur. Sakrifica e tij është dëshmi e dhimbshme, por edhe krenare, e një kohe kur liria paguhej me jetën e më të rinjve.
Ai përballoi torturat më çnjerëzore dhe dhunën më të egër në moshën 17-vjeçare. Vështirë të përfytyrohet një barrë më e rëndë për një djalosh të ri sesa dhuna sistematike dhe metodat mizore që u ushtruan ndaj tij nga aparati shtetëror serb. Enveri ngriti dy gishtat e fitores përballë automatikëve dhe tankeve të policisë dhe ushtrisë që shtypte me dhunë çdo rezistencë shqiptare. Ai ishte viktimë e politikës së çmendur serbomadhe, por njëkohësisht simbol i pathyeshmërisë.
Rasti i tij mori dimensione mbarëkombëtare. U bë emblemë e qëndresës, sepse ishte vetëm 17 vjeç kur strukturat e sigurimit shtetëror serb e keqtrajtuan në përpjekje për të nënshtruar jo vetëm trupin e tij, por edhe revoltën e një populli që kërkonte liri, dinjitet dhe pavarësi.
Sot, në vendlindjen e tij në Stublinë, busti dhe parku që mbajnë emrin e tij janë kujtesë e përhershme e sakrificës. Por përkujtimi nuk duhet të mbetet vetëm simbolik. Ai duhet të jetë ndërgjegje institucionale dhe kombëtare.
Më 1 mars 1990, Enver Ramadani u nda nga jeta në moshën 17-vjeçare. Vdekja e tij u paraqit si vetëvrasje, por familjarët dhe shumë studiues e konsiderojnë atë si rezultat të drejtpërdrejtë të torturave çnjerëzore të ushtruara ndaj tij. Edhe pas kaq vitesh, ai mbetet frymëzim i përhershëm i luftës për liri e pavarësi.
Enver Ramadani: Heroizmi që nuk zhduket nga kujtesa
Sakrifica e tij nuk duhet të zbehet nga harresa institucionale apo nga pluhuri i kohës. Klasa politike mund të ndryshojë, institucionet mund të plogështohen, por heroizmi i Enverit nuk mund të fshihet nga kujtesa kolektive.
Rasti i tij është përkujtuar në forma të ndryshme akademike e shoqërore. Në konferenca shkencore dhe forume për të drejtat e njeriut është kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. “Krimi mund të vjetrohet, por kurrë të harrohet”, është theksuar vazhdimisht nga studiues dhe veprimtarë.
Historiani i ndjerë Shkëlzen Raça kishte theksuar se Enveri ishte ndër të parët që iu përgjigj pa hezitim kushtrimit të lëvizjes gjithëshqiptare në Kosovë, duke e konsideruar atë model të disponimit më të lartë liridashës. Ndërsa veprimtari Hydajet Hyseni ka nënvizuar se e vërteta për rastin e tij nuk guxon as të tkurret e as të deformohet, sepse përgjegjësia për krime të tilla është shtetërore.
Edhe përfaqësues të KMDLNJ-së kanë kërkuar që rasti të trajtohet në instancat vendore dhe ndërkombëtare, duke theksuar se drejtësia për Enverin është obligim moral dhe juridik.
Në emër të familjes, është theksuar vazhdimisht se sakrifica e tij nuk duhet të injorohet, sepse ai u flijua që qenia shqiptare të jetojë e lirë dhe me dinjitet.
Enver Ramadani: Lamtumira e një simboli të rezistencës
Enver Ramadani lindi më 1 shkurt 1973 në Stublinë të Komunës së Gjilanit, në një familje punëtore dhe atdhetare. Në vitin 1982 familja u shpërngul në Gjilan, ku ai përfundoi shkollën fillore dhe më pas vazhdoi mësimet në shkollën e mesme teknike.
Demonstratat e vitit 1990 e gjetën nxënës të vitit të parë të shkollës së mesme. Ai iu bashkua protestave përkrah bashkëmoshatarëve të tij. Në ato demonstrata u vra Reshat Ymeri pranë tij, ndërsa shumë të rinj u plagosën.
Më 20 shkurt 1990, para shtëpisë së tij dhe në prani të familjarëve, Enveri u arrestua nga policia. Në ambientet e stacionit policor iu nënshtrua torturave më barbare: dhunë fizike, elektroshok dhe metoda çnjerëzore që synonin poshtërimin dhe shkatërrimin e dinjitetit të tij njerëzor e kombëtar.
Ai sapo kishte mbushur 17 vjeç. Pesha e traumës ishte e rëndë. Megjithë përkrahjen e familjes, shokëve dhe bashkëmoshatarëve, ai nuk arriti ta tejkalojë dhimbjen dhe vendosi t’i japë fund jetës më 1 mars 1990.
Varrimi i tij u shndërrua në një manifestim të madh kombëtar. Rreth 15 mijë qytetarë morën pjesë në ceremoninë mortore, duke i dhënë lamtumirën e fundit një djaloshi që u bë simbol i një epoke të re të rezistencës shqiptare.
Edhe pas 36 vitesh, Enver Ramadani mbetet jo vetëm kujtesë historike, por ndërgjegje kombëtare. Ai është pjesë e themelit mbi të cilin u ndërtua rruga drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës./rajonipress/


