Eda Zari gati për zbulimin e “Tokës së panjohur” në Prishtinë

Prishtinë – Eda Zari e quan bendin e saj “formacion artistik që dashuron folkun shqiptar”, dhe kjo për të është një faktor i rëndësishëm që garanton një koncert i cili do ta mbajë publikun prishtinas për dy orë nën adrenalinën e jazz muzikës dhe iso-polifonisë shqiptare.
Këngëtarja e njohur shqiptare e muzikës jazz, e njohur për bashkëdyzimin me muzikën shqiptare, Eda Zari, do të mbajë koncert sonte (e premte) në teatrin “Oda”. Me pjesëmarrjen e perkusionistit të njohur Rhani Krija, Gert Kapos, në piano, Christian Kappe në trombë, Dietmar Fur në kontrabas dhe Vladimir Gica në klarinetë, Zari ka bindjen se ky koncert nuk sjell vetëm muzikën e njohur shqiptare, por mbi të gjitha sjellë një performancë të lartë artistike.
Albumi i saj “Toka e panjohur” i promovuar në tetor të vitit të kaluar me një koncert të vogël në kryeqytet, do të jetë përsëri në repertorin e koncertit të organizuar nga “KABA Records” nga Gjermania, në bashkëpunim me KTV-në dhe teatrin “Oda”.
Në një konferencë për media të mbajtur nga bendi një ditë para koncertit, Zari ka përdorur fjalitë si “fëmijë i sapolindur” dhe “fëmijë i rritur” kur ka shpjeguar dallimin mes këtij koncerti me atë të para një viti.
“Ai koncert që u bë ishte pothuajse performimi i albumit që ishte një fëmijë i sapolindur dhe këtë radhë nuk është koncert promovues, por do të jetë një koncert artistik me formësime muzikale të reja, këngë të tjera dhe normalisht albumi i risjellë në një formë të plotësuar si një fëmijë i rritur”, ka thënë Zari. Sipas saj ky koncert është bërë për qëllim që të ndahet me publikun e Prishtinës një përvojë jo fort e shpeshtë.
“Me këtë bend sjellim komplet të gjithë tingujt e muzikës sonë të pasur dhe jazz-it”, ka thënë ajo. “Shpresoj që jetë një surprizë muzikale për publikun e Prishtinës”, ka shtuar Zari. Sipas saj, publiku i Prishtinës ka qenë gjithmonë i jashtëzakonshëm.
Albumi i Zarit, “Toka Incognita”, përmban dymbëdhjetë këngë, të cilat janë bërë në tentim “për të zbuluar tokën e panjohur”. Siç thotë edhe vetë Zari, ky album është një shëtitje nëpër opusin e muzikës shqiptare, që në stilin se si ajo e këndon, duket sikur e gjithë ajo muzikë e vjetër shqiptare është krijuar për të qenë gjithmonë hit. Për të “Toka Incognita” ka një domethënie të madhe.
“Emri i albumit tregon një koncept figurativ që tregon muzikën shqiptare si një ishull të panjohur muzikal”, kishte thënë Zari në një intervistë për “Kohën Ditore”, tetorin e vitit të kaluar. “Është një album që është punuar gjatë për më shumë se dy vjet”, potencon Zari. Albumi ku ndër të tjera janë këngët “Zanat e liqenit” , “O Yidishe Mame”, “Dja(e)llëzore” apo “Zymbylat”, është punuar nga një grup i madh i instrumentistëve. Njëri ndër ta është edhe Rhani Krija në perkusion dhe gumbrie. Krija i cili ka qenë perkusionisti në albumin e fundit të Sting-ut. Sipas tij, koncertet para publikut shqiptar gjithmonë janë më të mirët. “Kam performuar shumë herë para publikut shqiptar, por edhe të tjerëve por normalisht shqiptarët e ndiejnë. Pritje të njëjtë, të ngrohtë, presim edhe nga publiku prishtinas”, ka thënë Krija.
E koncerti i Zarit në Prishtinë do të mbahet edhe në shënim të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “Meqenëse jemi në rrjedhën e aktiviteteve me aq pompozitet, patriotizëm dhe patetizëm, ne ende nuk e kemi mbaruar këtë dasmë dhe do ta kurorëzojmë me koncertin tonë”, ka thënë Zari. E ajo është treguar patriote kur është përgjigjur në pyetjen nëse repertori i saj ndryshon varësisht nga vendet ku performon para publikut shqiptar.
“Kam problem me qëndrimet kosovar dhe shqiptar. Nuk i preferoj këto ndarje. Është gjuha shqipe gjuha e të gjithëve dhe nuk do të ndaj as Kosovën as Shqipërinë, jemi një. Por repertori i këtij koncerti është më divers më spontan dhe nuk ka gjëra statike. Plus do të ketë interaktivitet me publikun”, ka thënë Zari.
Florent Mehmeti nga teatri “Oda”, ka thënë se deri në mesditën e së enjtes janë shitur shumica e biletave. Publiku do të qëndrojë në këmbë pasi edhe koncerti pritet të jetë më me shumë adrenalinë. E Zari ka thënë se ky koncert i dedikohet qytetarit.
Sipas saj në këtë koncert nuk ka të ftuar, sepse koncerti është për njerëzit të cilët paguajnë për art. “Nuk e shoh të udhës që të ftoj dikë”, ka thënë ajo. (koha)