Eko Higjiena

E 13-a

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Ibrahim Rexhepi – Numri 13 nuk sjell fat! Po numri 14? Ky numër mund të sjellë fat, por vetëm me një udhëheqje tjetër dhe qeverisje më të mirë me vendin.

Viti i 13 i këtij shekulli për shqiptarët ishte krejt ndryshe në krahasim me atë të para njëqind vjetëve. Por, pakënaqësia vazhdon, ndonëse motivet për të janë të natyrës krejtësisht tjetër. Është krejt e qartë se qytetarët e Kosovës duan më shumë dhe duan një jetë më të mirë. Këtë shpresë kurrë nuk e kanë humbur, madje as në kohërat kur jeta e vdekja qëndron krejt afër njëra-tjetrës.

Pakënaqësia vjen edhe nga zhgënjimi prej klasës politike, e cila nuk mbajti asnjë premtim. U dëshmuan vetëm në një çështje – të pasurimit të shpejtë dhe tejet të dyshimtë. Thonë se krejt e kanë bërë me punë e djersë, ndërsa në CV-të e tyre nuk shkruan se kanë bërë ndonjë punë që iu ka sjellë para, pos asaj të (keq)menaxhimit me paratë e popullit. Dikur, ndoshta edhe si ndihma, e tash si tatim e si para e buxhetit që duhet të jetë në funksion të ngritjes ekonomike dhe të mirëqenies sociale të mbi 1.8 milion banorëve të Kosovës.

Këta ishin kreatorët e skemave që pjesës më të madhe të popullit t’i mbetet papunësia, varfëria, madje edhe skamja – të varfër janë 45 për qind e popullatës, ndërsa ata që nuk kanë as një dollarë në ditë e kalojnë 17 përqindëshin. Ndërkaq, krejt ndryshe folën e premtuan. Kishte shumë premtime edhe për vitin e 13 të shekullit 21. Është premtuar një rritje ekonomike rreth 4 për qind, ndërsa nuk u arrit as tre për qind.

Fundamenti

Është premtuar rritja e punësimit, ndërsa mbeti në normën 44,8 për qind. Mirëpo, ndodhi fabrikimi i tabelave. Në qershor u kumtua se papunësia ka rënë në 35,1 për qind , ndërsa pak muaj më vonë ajo u ul edhe më tutje në 30,9 për qind. Ndonëse ky fabrikim ndërlidhet me aplikimin standardeve evropiane për evidentimin e papunësisë dhe si të tillë e bëjnë Kosovën të krahasueshme me vendet e tjera, por në fakt ato nuk paraqesin gjendjen e vërtetë në lëmin e punës dhe të papunësisë.

Është premtuar se duke privatizuar ndërmarrjet publike, në Kosovë do të sillen investitorë nga jashtë, të cilët do të na ndihmojnë në rrugën e zhvillimit ekonomik. Por, edhe kjo mbeti ëndërr. Ende nuk po vërehen efektet e privatizimit të Distribucionit të KEK-ut. PTK-ja doli më problem se që mendohej. Nuk penguan aq shumë procedurat e privatizimit, meqenëse për këtë shitësi punoi tinëz dhe si deshi vetë, mirëpo u ngatërrua në Kuvendin e Kosovës. Tek e fundit nuk është dert i madh pse deputetët kundërshtuan shitjen, apo pse kërkuan që së pari të hetohet i tërë procesi, e pastaj t’i ngritin gishtat. Krejt punën e ngatërroi shitësi – Qeveria e Kosovës, meqenëse gjatë tërë procesit harroi se PTK-ja është pronë e krejt qytetarëve të Kosovës dhe për mënyrën e menaxhimit të saj duhet dhënë llogari, si edhe për faktin se përpjekjet për të siguruar një bazë ligjore çfarëdo qoftë ajo, krejt procesin i dhanë kuptimin kontrabandës, e jo të një zhvillimi të mirëfilltë. Prandaj, nuk është problem shitja e PTK-së, meqenëse me statusin si ndërmarrje publike ajo u shfrytëzua vetëm për pasurimin e një kaste të caktuar politike, si edhe për punësimin e të afërmve të tyre, por mënyra se si u zhvillua ky proces.

Kurse një procesi tjetër i privatizimit, ai i ndërmarrjeve shoqërore, është ngatërruar edhe më shumë. Aty është futur politika, ndërsa lojtarët e saj duket se po e kërkojnë hisen në ato pak pasuri që kanë mbetur të pashitura.
Me të njëjtat probleme po shkelim edhe në vitin 2014. Nuk ka ndonjë shenjë se ai do të jetë më i mirë se ky vit që po e lëmë, së paku në rrafshin ekonomik. Do të shënohet një rritje e vogël ekonomike, por që nuk do të ndikojë në uljen e papunësisë dhe të varfërisë. Por, ka një pikë shprese. Populli do ta ketë shansin që të zgjedhë ata që do t’i prijnë këtij vendi për katër vjetët e ardhshme. Apo, kanë shansin që të ndëshkojnë ata që e sollën vendin në këtë situatë. Të ndëshkohen përmes votës. Mbetet i vetmi motiv pse duhet thënë: GËZUAR!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)