Fundamenti

Dritëro Agolli: “Do vijë dita, Shqipërinë e Kosovën do t’i kenë zili”

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Tiranë- Unë besoj pa lëkundje, se Shqipëria në të dyja anët e Drinit, shkurt me Kosovën, do të begatohet siç thotë populli, që bota ta ketë zili”.

Ky është urimi, shpresa dhe dëshira e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli për Shqipërinë në 100-vjetorin e Pavarësisë. Me një gjuhë të zgjedhur, ai jep mesazhin e bashkimit, të paqes, të punës së përbashkët për një mëmëdhe më të mirë, ku të ketë mirëqenie ekonomike, ku ka debat e jo sharje, ku ka bisedë e jo sherre!

Patriarku i letrave shqipe, i uron bashkatdhetarët e tij përmes “Gazetës Shqiptare”. I nderuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ai sivjet ka marrë edhe titullin “Qytetar nderi” i Kalasë së Dodës në Dibër, si edhe është cilësuar “Poet Epokal” nga Tetova. Në kuadër të botimit të edicionit special për Pavarësinë, Agolli pranoi ftesën e “GSH” që të ndajë me shqiptarët urimet për ditë më të mira! “Mbetet vetëm të punojmë bashkë, të kundërshtojmë kur duhet, pa u sharë. Në këto çaste na vijnë në mendje fjalët e Naimit të paharruar: “Punë, punë, natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”. Gëzuar festën e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë!”, thotë Agolli, pasi jep këshilla dhe propozime të vyera për të “rinjtë”… Më poshtë, fjala e tij e plotë.

Mesazhi i plotë

Festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, uroj që të na frymëzojnë ta bëjmë Shqipërinë ashtu si ëndërruan ata që ngritën flamurin në Vlorë më 28 Nëntor 1912 me Ismail Qemalin në krye dhe ata që e përgatitën këtë shpallje, rilindësit e mëdhenj dhe të tjerë që luftuan kundër pushtuesve të të gjitha ngjyrave, deri tek ata fashistë e nazistë.

Uroj që këto festime të na nxitin të ndërtojmë një demokraci të vërtetë, me një kulturë të lartë demokratike, pa mërira dhe acarime, të cilat sjellin vetëm konflikte dhe prishje të atmosferës, edhe të punës, edhe të shpirtit. Unë kam besim se atmosfera festive do të na vërë në mendime të punojmë më shumë për ngritjen e mirëqenies ekonomike dhe kulturore të popullit, që brezat e ardhshëm të jenë krenarë më shumë se sa jemi ne për të parët tanë.

Mobi Casa

Ne jemi në atmosferën e një feste të madhe, ku kritikat nuk shkojnë. Është njëlloj si, në një dasmë t’i bësh vërejtje nuses apo fustanit të saj; por ndonjë dëshirë mund të shprehet me zë të ulët. Fjala vjen, dëshirojmë që harmonia e demokracisë ta përmirësojë administratën, që nga zyra e atij që jep një certifikatë, deri tek zyra e kryeministrisë që nxjerr një dekret.

Veç kësaj, mendoj se ka ardhur koha të kemi një administratë të qëndrueshme, pa e ndryshuar krejtësisht në çdo katër vjet që bëjmë zgjedhjet, pasi po vepruam si deri më sot, do të mëkojmë vetëm nëpunës me lepurin në bark: Obobo, për tre a katër vjet do më degdisin!

Nejse, t’i lëmë këto!

Unë besoj pa lëkundje, se Shqipëria në të dyja anët e Drinit, shkurt me Kosovën, do të begatohet siç thotë populli, që bota ta ketë zili.

Mbetet vetëm të punojmë bashkë, të kundërshtojmë kur duhet, pa u sharë. Në këto çaste na vijnë në mendje fjalët e Naimit të paharruar: “Punë, punë, natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”. Gëzuar festën e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë!
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)