RCCOLA

Drejtësia, çerdhe e krimit të organizuar

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se, fatkeqësisht, edhe për një vit të tërë drejtësia kosovare nuk denjoi të nxjerrë në bankën e të akuzuarve “peshqit e mëdhenj” të krimit e të korrupsionit, të cilët dyshohet se kanë bërë skandale e hajni, ligji e drejtësia vazhdojnë të mos i prekin, derisa kjo, sipas tyre, edhe mbetet një dështim i drejtësisë kosovare kundrejt luftës më efikase ndaj krimit e korrupsionit të nivelit të lartë. Drejtësia kosovare vazhdon edhe më tutje të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale dhe në vazhdimësi edhe përgjatë vitit që po lëmë pas (2017) nuk mund të thuhet se ka pasur lëvizje kualitative dhe ndonjë hap të vetëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës.

“Drejtësia kosovare përfundimisht, pas kaq viteve degradimi, duhet të shkapet nga kapja dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i mafiooligarkëve të inkriminuar të politikës e të ndërlidhur me mafio-oligarkët e bizneseve kriminale e të nëntokës së krimit, por që me Qeverinë e re në pushtet do të duhej që përfundimisht të ndahet nga krimi i organizuar, i rrënjosur në të tri pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit: në atë ekzekutiv dhe në atë legjislativ, në Presidencë, në Gjyqësor, në Prokurori, në Polici, në Avokati e në institucione”, deklaroi analisti Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se, fatkeqësisht, edhe për një vit të tërë drejtësia kosovare nuk denjoi të nxjerrë në bankën e të akuzuarve “peshqit e mëdhenj” të krimit e të korrupsionit, të cilët dyshohet se kanë bërë skandale e hajni, ligji e drejtësia vazhdojnë të mos i prekin, derisa kjo, sipas tyre, edhe mbetet një dështim i drejtësisë kosovare kundrejt luftës më efikase ndaj krimit e korrupsionit të nivelit të lartë. Drejtësia kosovare vazhdon edhe më tutje të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale dhe në vazhdimësi edhe përgjatë vitit që po lëmë pas (2017) nuk mund të thuhet se ka pasur lëvizje kualitative dhe ndonjë hap të vetëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës.

Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se si dhe a do të shkapet drejtësia nga kapja dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të tejinkriminuar të politikës të lidhur me mafio-oligarkët e tejkriminalizuar të mafio-bizneseve kriminale, me këtë qeveri ndonëse të re në pushtet, por që është në fije të perit që të mund të ndahet nga krimi i organizuar, i zhvilluar dhe i trashur në të tri pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit: në atë ekzekutiv dhe në legjislativ, në Presidencë, në Gjyqësor, në Prokurori, në Polici, në Avokati etj.

Analisti Naim Kelmendi ka thënë se, fatkeqësisht, edhe për një vit të tërë drejtësia kosovare nuk denjoi të nxjerrë në bankën e të akuzuarve “peshqit e mëdhenj” të krimit e korrupsionit, të cilët dyshohet se kanë bërë skandale e hajni, por ligji e drejtësia vazhdojnë të mos i prekin.

Shteti ligjor ende i dobët

Sipas Kelmendit, mbetet një dështim i drejtësisë kosovare kundrejt luftës më efikase ndaj krimit e korrupsionit të nivelit të lartë.”Pikërisht me forcimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor drejtësia kosovare do të mund të ishte më efikase në luftën e krimit të organizuar apo korrupsionit, por dhe do të kishim po ashtu edhe më shumë efikasitet në sundim të ligjit dhe të drejtës.

Në Kosovë vazhdon edhe më tutje të kemi një gjendje të brishtë në drejtësinë kosovare, po kështu këtë gjendje në këtë sistem të drejtësisë po e karakterizojnë padrejtësitë e shumta edhe në procese të kurdisura gjyqësore dhe kjo nuk shkon assesi në dobi të një sistemi të shtetit të së drejtës dhe një sistemi të shëndoshë të drejtësisë”, potencoi ai.”Drejtësia kosovare përfundimisht pas kaq viteve degradimi duhet të shkapet nga kapja dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të inkriminuar të politikës e të ndërlidhur me mafio-oligarkët e bizneseve kriminale e të nëntokës së krimit, por që me Qeverinë e re në pushtet do të duhet që përfundimisht të ndahet nga krimi i organizuar i rrënjosur në të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushtetit: në atë ekzekutiv dhe në atë legjislativ, në Presidencë, në Gjyqësor, në Prokurori, në Polici, në Avokati e në institucione”, vijoi më tutje Kelmendi.”Prandaj, shkaqet e kësaj gjendjeje të brishtë në drejtësinë kosovare dhe mosefikasitetin e kësaj drejtësie në luftën e saj ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet kërkuar në shumë faktorë përcaktues që kanë determinuar gjendjen, në cilën ka katandisur drejtësia kosovare, e ndër to janë edhe ai i ndikimit politik në gjyqësor e prokurori, pastaj ai i ndërlidhjes së krimit dhe sundimit të tij edhe përmes njerëzve brenda sistemit të drejtësisë, kështu që drejtësinë kosovare e kanë determinuar për të qenë e pasuksesshme, e pafuqishme për sundim të së drejtës dhe ligjit dhe që më në fund të gjithë të përgjigjen para ligjit dhe të drejtës për veprat e bëra, kjo i duhet shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë”, u shpreh për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi.

Fundamenti

VETTING-u i pashmangshëm

Analisti Naim Miftari thotë se ashtu siç kemi humbur shumë vite edhe ky vit që lamë pas shkoi huq sa i përket sundimit të njëmendtë të drejtësisë dhe ligjit, ku si target i sundimit të ligjit do të ishin politikanët dhe zyrtarët shtetërorë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. Tutje ai nënvizon se sot jemi dëshmitarë të gjithë se problemi më akut janë korrupsioni i tejskajshëm dhe krimi i organizuar brenda politikës dhe drejtësisë.”Kosovës i duhet urgjent një reformë gjithëpërfshirëse VETTING- u politik, shtetëror, juridik, duke i futur në ‘llup’ të ligjit të gjitha institucionet shtetërore, ku nga një VETTING serioz të gjykohen drejt dhe në mënyrë të paanshme krimet e çdo kohe dhe të çdo lloji, si: vrasjet, krimet ekonomike, korrupsioni, vjedhja dhe abuzimi me pronat, me paranë dhe krimet kur është luajtur me vetë fatin e Kosovës si shtet”, u shpreh ai.”Kjo Qeveri e z. Haradinaj nuk e ka fuqinë e duhur për të bërë hapa seriozë për sundimin serioz të ligjit. Me gjithë vullnetin e z. Haradinaj, varësia e kësaj qeverie nga Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi armiqësor, por edhe varësia nga PDKja e dirigjuar nga Hashim Thaçi dhe SHIK-u, parti e cila kishte pushtetin mbi tri mandate qeverisëse dhe pikërisht në kohën e qeverisjeve ‘Thaçi 1- 2’ dhe qeveria e përbashkët me LDK-në e Isa Mustafës, pikërisht gjatë këtyre qeverisjeve lindën dhe u fuqizuan krimi i organizuar dhe korrupsioni masiv, ku u korruptua masovisht thuajse tërë aparati shtetëror, si: Qeveria me ministri, Gjyqësia, Prokuroria, Policia, arsimi, AKI-ja dhe pikërisht tani Qeveria e z. Haradinaj varet nga këto parti dhe nga këta zyrtarë që e mbollën dhe e kontrabanduan krimin e organizuar brenda institucioneve shtetërore dhe brenda partive politike, pra as kjo qeveri nuk jep shumë shpesë të shpresojmë se do të ketë ndryshime serioze dhe pozitive për vendin tonë”, theksoi për “Kosova Sot” analisti Miftari.

Analisti Florim Zeqa thotë se iniciativa e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, në fillim të vitit që e lamë pas, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kishte ngjallur një fije shprese tek qytetarët. Mirëpo, sipas tij, edhe përkundër dëshirës personale që mund të ketë pasur kryeprokurori Lumezi nuk ia arriti qëllimit, ngase komplet sistemi i drejtësisë është bërë çerdhe e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe është bërë kantier i padrejtësive të shumta ndaj qytetarëve. Sipas tij, drejtësia në vendin tonë është bërë selektive, për dikë është bërë “nënë” e për dikë tjetër “njerkë”! “Është bërë “nënë” për mafio-politikanët dhe nëntokën kriminale në vend, ndërsa “njerkë” për të gjithë qytetarët e rëndomtë që nuk janë të lidhur me nëntokën politike”.

Tutje ai shton se një drejtësi e tillë, përveçse e dëmshme për vendin, është bërë edhe pengesë serioze e ecjes, zhvillimit ekonomik dhe perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës, ngase pa funksionimin e sistemit të drejtësisë nuk mund të bëhet fjalë për shtet ligjor dhe demokratik.”Në shtetin tonë, apo më mirë të themi në gjysmështetin e Kosovës, mosfunksionimi i trekëndëshit avokat- prokuror- gjykatës është rezultat i biznesit kriminal përmes korrupsionit, nepotizmit dhe pasojë e trafikimit të drejtësisë kosovare në baza ditore, kontrabandimit dhe shitblerjes së lëndëve nga trekëndëshi avokat- prokuror- gjykatës me bekimin e politikës. Sistemi i degraduar, i korruptuar dhe i stërkequr i drejtësisë kosovare, çdo ditë bën shkeljen e të drejtave të qytetarëve, duke ua zvarritur proceset gjyqësore me muaj e vite, derisa ajo drejtësi ta ketë humbur kuptimin e saj. Një sistem drejtësie çfarë e ka aktualisht Kosova, i kapur dhe ngulfatur nga politika, më tepër është duke i ndihmuar sesa që është duke i luftuar krimin dhe korrupsionin”, potencoi ai.”Për aq kohë sa politika dhe drejtësia të bashkëjetojnë në “shtratin e krimit”, të korruptuarit dhe kriminelët e profilit të lartë do ta bëjnë gjumin rehat në Kosovën e “Cosa Nostra”-s, përderisa “Al Capone”-t, këta të fortët e politikës dhe nëntoka e saj, do të jenë mbi ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Ishte ky një vit i humbur për drejtësinë kosovare, pa nxjerrë në bankën e të akuzuarve asnjërin prej të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”, të cilët edhe përkundër skandaleve dhe hajnisë, zhvatjes dhe abuzimit me buxhetin e shtetit, nuk ka prokuror që hap dosjet e tyre”, vijoi më tej Zeqa.”Vetëm emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me duar të pastra dhe pa ngarkesa partiake apo ideologjike do të kthente shpresën e qytetarëve tek drejtësia vendore. Në të kundërtën qytetarët drejtësinë do ta kërkojnë përmes ligjeve të vjetra zakonore (Kanunit), ndërsa sa të tjerë do të mbeten në pritje të drejtësisë ndërkombëtare”, u shpreh Zeqa.

Gjykatat e dëmtuan edhe biznesin

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se drejtësia në Kosovë do të lëngojë nga ato probleme, vështirësi, të meta dhe moskonsekuencë e mosefikasitet që ka në segmente kryesore të saj, derisa të vetëdijesohen institucionet. “Nëse nuk e përkrahin më tepër me buxhet, nuk e nënçmojnë me buxhet, siç po e nënçmojnë deri më tani, duke lënë anash buxhetimin, nëse nuk e pajisin me teknikë më të mirë dhe me kushte më të mira dhe me kuadro më shumë sesa që ka bërë një hap tani kjo qeverisje, atëherë do të kemi të njëjtin avaz sikurse edhe deri më tani, do të kemi probleme dhe do të kemi ngecje, zvarritje dhe thjesht edhe korrupsion, por edhe dukuri të tjera negative”, u shpreh ai.”Mjafton të përmendet që vetëm nga kreditë hipotekare bankat mbi 8- 9 mijë kredi hipotekare, të cilat nuk zgjidhen nëpër gjykata me kohë dhe si duhet, kanë humbur mbi 200 milionë euro vetëm këtë vit”, thotë Baraliu për “Kosova Sot”. Sipas tij, të gjitha bizneset e tjera dhe qytetarët nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, humbin shumë edhe bizneset, prandaj do të duhej bërë reforma rrënjësore dhe të mos tallen me segmente të caktuara dhe me Vettingun.

(Kosova Sot)