Uji Dea

Kryeparlamentari thotë po, Gjykata thotë jo – si doli që Konjufca s’paska hedhur gaz lotsjellës në Kuvend

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

“Ky veprim ka qenë i natyrës politike”, kishte thënë. Por kryeparlamentari që edhe në gjyq e kishte pranuar se kishte hedhur gaz lotjsellës, dje u lirua nga kjo akuzë. Glauk Konjufcën e ruajtën pak edhe deputetë e ish-deputetë që ishin paraqitur në gjykatë si dëshmitarë. “Po të shpallej fajtor, do ta humbte postin e kryeparlamentarit”, thonë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Gazeta Express

Kryeparlamentari Glauk Konjufca të hënën u lirua nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend para rreth tetë vjetësh, kur Lëvizja Vetëvendosje bënte opozitë në këtë mënyrë.

“Në pajtim me rrjedhën e procedurës penale, provat personale dhe materiale të vlerësuara nga Gjykata, nuk është provuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha gjykatësja Edita Çanta teksa e lexonte aktgjykimin.

Konjufca u akuzua se kishte kryer veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”. Për të parën, Gjykata Themelore e Prishtinës e liroi nga akuza dje, ndërsa akuza e dytë iu parashkrua, siç kishte deklaruar e njëjta gjykatëse në një seancë gjyqësore më 25 tetor të vitit të kaluar.

Seancat gjyqësore ndaj Konjufcës u shtynë 5 herë, për arsye të ndryshme: një herë me kërkesë të tij, një herë sepse s’kishte angazhuar avokat, një herë sepse e kishte harruar datën e seancës, e një herë s’ishin paraqitur dëshmitarët.

Dëshmitarë në gjykim ishin deputetë e ish-deputetë nga partitë tjera politike: Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq. Pothuajse asnjë prej tyre nuk tha qartësisht se Konjufca kishte hedhur gaz lotsjellës në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit më 10 gusht 2016, ku pritej të diskutohej futja në rend dite e projektligjit të atëhershëm për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Dy përfaqësuesit e kanë pasë, Aida dhe Glauku… Këta e kanë hedhë tinëz, e kanë hedhë nën tavolinë.. Unë nuk i kam fotografu”, kishte deklaruar ish-nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti në gjykatë. Por kjo nuk mjaftoi.

Gjykatësja Çanta tha se nga deklarimi i dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor, asnjëri prej tyre nuk e ka inkriminuar Konjufcën si kryerës të veprës penale.

Por Konjufca e kishte pranuar vetë

Kryetari i Kuvendit ishte deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar ndaj tij, por edhe në gjyq e kishte pranuar se kishte hedhur gaz lotsjellës.

“Mbetem pranë asaj që kam thënë në shqyrtim fillestar, unë jam i pafajshëm, ky veprim ka qenë i natyrës politike. Pretendoj që nuk kam përdorur kurrfarë arme, deklaroj që jo vetëm nuk i kam bërë dëm askujt, po as s’kam pas qëllim të tillë”, deklaronte Glauk Konjufca në një seancë gjyqësore më 8 korrik të vitit 2022.

Mobi Casa

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në verë të vitit 2016 ishte ndërprerë dhe Konjufca, atëherë shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ishte arrestuar për hedhje të gazit lotsjellës.

Paraprakisht, ai në një prononvim për media kishte pranuar se kishte hedhur gaz lotsjellës.

“Unë kam kërkuar që demarkacioni të anulohet”, kishte thënë ai, pasi sipas tij, nëse kalonte demarkacioni do të destabilizohej vendi.

Pa e mohuar asnjëherë, Konjufca më vonë ishte shprehur i penduar që kishte përdorur gaz lotsjellës, në vend të diçkaje tjetër.

“Jam penduar që kam hedh gaz lotsjellës në Kuvend. Ish pas dashtë me e marrë një allti me gaz e me gjujtë Qeverinë. Gjykata paska pasë me më shpall të pafajshëm e me më liru! Nuk kanë thanë kot pleqtë – njeri hjek për mend”, kishte shkruar Konjufca në Facebook më 14 mars 2019.

Kjo, dhe as deklaratat tjera publike të Konjufcës, nuk u shqyrtuan në gjykim.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashi tregoi dje në Frontal në T7 se në raste tjera, kur Prokuroria nuk ofron prova të mjaftueshme, ato mund t’i propozojë edhe Gjykata.

“Kemi raste nga monitorimi kur Gjykata thotë që Prokuroria nuk e ka propozuar këtë provë; propozon Gjytkata të nxirret nga ky institucion, fton dëshmitarë, sepse thotë bile decidivisht ‘Prokuroria nuk ka arritur..’, në njëfarë forme ‘ka dështu’”, tha ai.

“Po të shpallej fajtor, do ta humbte postin e kryeparlamentarit”

Flamur Kabashi nga IKD-ja tha se vendimi për ta liruar Glauk Konjufcën nga akuza nuk ishte i lehtë, pasi ndryshe do të sillte disa pasoja për kryeparlamentarin.

“Vendimi i sotëm nuk ka qenë vendim i lehtë. Po të shpallej fajtor sot Konjufca, mandati i kryetarit të Parlamentit dhe i deputetit do të vihej në pikëpyetje. Nëse ky vendim do të ishte i karakterit dënues për Konjufcën – kujtojmë që në bazë të praktikës që e ka vendos Gjykata Kushtetuese, nëse ky vendim do të bëhej i plotfuqishëm edhe nga Gjykata e Apelit – posti i deputetit, posti i kryetarit të Kuvendit do të shkonte për Konjufcën”, tha ai.

Kabashi tha në Frontal se me një vendim dënues, Konjufca do ta humbte edhe mundësinë që të kandidonte as në zgjedhjet e ardhshme.