RCCOLA

“Dr-të” ballkanikë!

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nuhi Ismajli- Reagim lidhur me torturimin e konkurrentëve për punë në arsim.

Njoftimi i paradoditshëm se arsimtarët, të cilët kanë konkurruar për t’u punësuar në arsim, në komunën e Gjilanit, duhet t’i nënshtrohen provimit pranues, një padrejtësi dhe torturë e papranueshme kjo ndaj arsimtarëve, na shqetësoi si të ishim në lëkurën e atyre që do të sprovoheshin me një absurd të tillë të paparë.

Prandaj, edhe reaguam duke treguar disa nga arsyet përse nuk duhej vepruar ashtu organet tona të arsimit (Shih”www.2lonline.com; www.rajonipress.com, 10 gusht 2012).
Kështu, ndër të tjera, treguam se punësimi i arsimtarëve përmes provimit pranues është i paligjshëm, i pamoralshëm, i pazakonshëm dhe, për më tepër, është edhe tejet qesharak, sepse në atë mënyrë vihet në dyshim përgatitja profesionale e konkurrentëve, iu zvlerësohet dokumentacioni i ligjshëm për arsimimin e tyre, zhvlerësohen institucionet ku ata kanë kryer përgatitjen profesionale; se me rastin e testimit nuk janë shikuar mundësitë e mëdha të keqpërdorimeve, dukuri kjo shumë e pranishme ndër ne etj.

Reagimi im nuk ka bërë që organizatori i testimit të arsimtarëve për punësim, të kuptojë se po bën një punë të paligjshme dhe të heqë dorë prej tij.
Më 15 gusht, një njoftim i DKA-së, në Gjilan, informon se ka vendosur që provimi pranues për arsimtarët që kanë konkurruar për punësim, do të mbahet më 16 gusht, në Fakultetin e Edukimit, në Gjilan, duke pohuar njëherazi se kjo gjë po bëhet në baza ligjore dhe se testimin do ta bëjnë “profesorë universitarë dhe me tituj shkencorë akademikë”.

Çudi, pas çudie! Një punë krejt e paligjshme, publikisht, quhet e ligjshme!
E, si mund të quhet një punë e ligjshme, kur, nga një instancë shumë e ulët, i zhvlerësohet njeriut dokumenti zyrtar që tregon përgatitjen e tij profesionale, lëshuar nga një institucion i lartë?!

Si mund të quhet punë e ligjshme injorimi dhe vënia në dyshim e përgatitjes profesionale e njeriut në një institucion të lartë dhe, tani, vlerësimi i përgatitjes së tij profesionale nga një institucion më i ulët?! Çfarë pune e ligjshme qenka kjo?!

Si mund të quhet punë e ligjshme, kur nuk kemi një organ përgjegjës, i cili do të mbikëqyrte punën e testimit të arsimtarëve, në rast se ai do të bëhej, në mënyrë që, në një rast të tillë, siç është çështja e punësimit të arsimtarëve, të mos bëheshin keqpërdorime. (Kjo pune, duket, është lënë “n’ besë” të atyre që janë caktuar për testimin e arsimtarëve !). E të tjera, e të tjera absurditete, që quhen të ligjshme, e janë shumë të paligjshme.

Tani ne nuk na habit shumë organizatori i testimit të arsimtarëve, që kanë konkurruar për punësim, pse nuk kupton ose nuk do të kuptojë, se puna që bën ai në këtë rast është e paligjshme, e panjerëzishme dhe qesharake; pse bën një reklamë aq të madhe lidhur me punësimin e arsimtarëve, kur e dimë sesi është realiteti i vërtetë dhe kur e dimë se punësimi i drejtë i punëtorëve të arsimit mund të bëhet në qetësi e me drejtësi shumë të madhe, nëse duam që ajo të jetë e tillë. Jo, tani nuk na habit shumë kjo. Na habit diçka tjetër. Na habit reklama grandioze e organizatorit të testimit të arsimtarëve, kinse vërtet po përpiqet të punësojë atë arsimtar që meriton të punësohet!

Por, në këtë rast, edhe më tepër na habit gatishmëria e atij “kuadri universitar”, gatishmëria e atyre, si është thënë: “profesorëve universitarë dhe me tituj shkencorë akademikë”, që, në vend se organizatorit të testimit të arsimtarëve për punësim, t’i ndihmonin shoqërisht, duke këshilluar që të hiqte dorë nga ajo punë që nuk është as e ligjshme, as e ndershme, i bashkohen reklamës grandiose të tij “për zgjedhjen e kuadrit më të mirë”!

Uji Dea

Për më tepër, lidhur me “profesorët universitarë dhe me tituj shkencorë akademikë“, të cilët bëhen ambalazhi i fushatave dhe i maskimit të qëllimeve të vërteta të të tjerëve, ne na habit niveli i formimit dhe i vetëdijes së tyre intelektuale.
Si është e mundur që kuadri i Fakultetit të Edukimit, në Gjilan, ku është thënë se do të mbahet testimi i dijes së arsimtarëve, të jetë në një nivel të tillë, sa t’i bëhet krah një aktiviteti të paligjshëm dhe të padenjë për arsimin?!

Si është e mundur kuadri i Fakultetit të Edukimit, në Gjilan, të jetë në atë nivel sa të pranojë t’i riprovojë dijet e arsimtarëve, të cilët i ka nxjerrë vetë. Nëse njëherë i kanë notuar arsimtarët e ciklit klasor, pse u dashka që edhe njëherë t’i provojnë e t’i riprovojnë?! Pse mohojnë punën, arritjet dhe notimin e vet?! Pse injorojnë përgatitjen profesionale të arsimtarëve, të cilët i kanë mësuar vetë?! Pse injorojnë institucionin ku kanë punuar dhe ku punojnë?! Çfarë dije, çfarë nderi po tregon, në këtë rast, kuadri i Fakultetit të Edukimit, në Gjilan?!

A është e mundur që, “profesorët universitarë dhe me tituj shkencorë akademikë”, të mos e dinë pozitën dhe kompetencat e veta, apo kompetencat e veta ata i marrkan edhe nga një drejtorat komunal i arsimit?!

“Kuadri universitar” i Fakultetit të Edukimit, në Gjilan, nuk është kompetent të testojë kulturën e gjuhës së kanditatëve që kanë konkurruar për lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, për shkollat e mesme. Kandidatët që kanë konkurruar për vendin e përmendur të punës, kanë kryer studimet në katedrat dhe fakultetet përkatëse, kanë titullin profesor e, mbase, edhe magjistër, prandaj nuk mund të kthehen të japin provime në një instancë më të ulët se katedra e tyre, si në p.sh. në fakultetin e edukimit, dhe të vlerësohen nga ata që nuk janë kompetentë te vlerësojnë dijen e tyre.

“Profesorët universitarë dhe me tituj shkencorë akademikë”, të Fakultetit të Edukimit, në Gjilan, do të duhej ta kishin ditur dhe t’ia kishin thënë organizatorit të testimit të arsimtarëve, se testimi i kulturës së gjuhës, në F. e Edukimit, është i panevojshëm dhe për më tepër i çuditshëm.

Ne nuk e kuptojmë dot pse i gjithë kuadri arsimor, që ka konkurruar për punësim, testohet në kulturën e gjuhës shqipe. P.sh. kuadri i Gjuhës Angleze, për shkollë të mesme. Ku do ta tregojë ky kuadër kulturën gjuhësore të shqipes, kur i tërë komunikimi i tij, duke filluar nga shënimi i njësisë mësimore, duhet të jetë në Gjuhen Angleze?

Ose: a mendojnë “profesorët universitarë dhe me tituj shkencorë akademikë”, të F. të Edukimit, në Gjilan, që, bie fjala, një kuadër shumë i mirë i informatikës, i ekonomisë, i mjekësisë etj., etj., të shantazhohet për shkak të mangësive të kulturës gjuhësore të tij ?!
“Profesorët universitarë dhe me tituj shkencorë akademikë”, të F. të Edukimit, në Gjilan, të cilët morën përsipër t’ia arsyetojnë shkeljet ligjore organizatorit të provimit të arsimtarëve me rastin e punësimit dhe t’ia bëjnë të qëndrueshme dhe efektive propagandën gjigande, kinse për zgjedhjen serioze të kuadrit të arsimit, kanë bërë një gabim të pafalshëm për sferën e arsimit, veçse jo pak ia kanë hedhur një hije të keqe edhe vetvetes.

Sjelljet e tyre skicojnë qartë portretin e tyre tipik të “dr-ve” ballkanikë: pak dije, pak ndërgjegje, shumë lakmi për sado pak pushtet dhe për një honorar sado të vogël…
(Për një tip të tillë, populli thotë: t’i terë apangat!).