Doktor, u kry!

Nga Beqë Cufaj – A i kujtohet ende dikujt në Kosovë por edhe diasporë, Tirana dhe Shqipëria e viteve ‘90? Personazhet siç janë Ismail Kadare, Ramiz Alia, Azem Hajdari, Fatos Nano, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori… dhe plot e plot të tjerë bashkë me vendngjarjet siç ishin Qyteti Studenti, Pallati i Brigadave, Sheshi Skënderbeu, Shkodra, Kavaja, Vlora, Tropoja?… Mua po.
Të gjithë neve, që na kujtohet ajo periudhë, s’ka si të mos na dalin parasysh apo kalojnë në mendje, ato personazhe dhe kohëra. Edhe sot, 20 e kusur vjet më pas… kur në eter e shohim kryepersonazhin e asaj kohe, i cili vazhdon të jetë po ai- i mbushuri me adrenalinë dhe talentuari në retorikë, terminatori i armikut dhe moralisti i të nënshtruarit, manipulatori i medies dhe magneti i masave… në mendje na kalojnë shumë prej të përmendurve dhe plot e plot të tjerë që janë e s’janë më në këtë botë. Por kryesorja, ai është ende kryepersonazhi i jetës politike shqiptare: Sali Berisha.
Njeriu i cili për më shumë se dy dekada herë në pozitë e herë me o(pozitë), ishte politikëbërësi kryesor i Tiranës. Në kohërat e saj të këqija dhe shumë më të këqija. Krijuesi i poleve politike të cilat kishin dhe kanë të bëjnë fare pak apo aspak me ideologjinë sa me postulatin kryesor apo njollën e paikshme edhe sot e kësaj dite të ekzistencës politike në këtë shtet: vjedhjen e votës. Dhe këtu duhet të ndalemi.
Sepse dhe në krejt këtë karrierë politike të Berishës, zakonisht dhe përgjithësisht kur Kosova është në pyetje, ekzistojnë ato shabllonet reciproke. Në Tiranë thuhet: “kosovarët” janë me Berishën dhe pikë. Në Prishtinë, e përsëris, sidomos në Prishtinë, shtresat urbane intelektuale e politike, ato pra, që në vitet 90 ende besonin e shpresonin në riunionin me Beogradin, kur e panë që s’ka më gjë prej saj, vrap e vrap menjëherë pas luftës së Kosovës, gjetën azil te Mali i Robit e Blloku i Ri i Tiranës, për të dalë’ pak nga ngushtësia e Prishtinës. Shumë prej tyre pra, thonë që janë “fshatarësia” e Kosovës, ata që janë me Doktorin, duke hequr kështu fajin dhe me këtë, edhe damkosur bashkëvendësit e tyre.
Pa lënë anash këtu nuk mundemi as publicistikën dhe politikën e Prishtinës, e cila drejtpërdrejt a tërthorazi ende vazhdon të luajë me kartën e gabuar kur politika dhe Tirana janë në pyetje: qasjet që vijnë nga Prishtina mundohen të jenë nga shikimi i brendshëm, pra tiranas, për ngjarjet politike dhe dinozaurin e atjeshëm Doktorin. Kjo, edhe pranohet nga qarqe politike e publicistike sidomos kur ka ndonjë gjetje të re kundër Berishës, por marrë në tërësi shihet me mospërfillje e joseriozitet apo edhe sprovë për kurajim të tipit: “mirë e keni” por “ka edhe më tepër sepse s’jeni këtu si ne”. Është si ajo ana tjetër e medaljes kur në Kosovë zakonisht publicistëve e politikanëve të Tiranës u themi: “mirë që po shkruani për politikën tonë në Prishtinë, apo marrëdhëniet me serbët”… por “ju s’e dini sepse s’ishit këtu”.
Në të dy rastet vazhdojmë të bashkëkuvendojmë dhe lexohemi anasjelltas por me prekje herë tepër të kujdesshme apo edhe injorim prej xhentëlmenësh për temat reciproke. Një situatë në të cilën Doktori me shpurën e tij edhe viteve të fundit, sidomos pas ardhjes së tij të fundit në pushtet ka ditur dhe mundur të manevrojë për mrekulli. Duke prekur zemrat e “kosovarëve” të tij me fjalime të zjarrta e batuta me kripë të cilat shqiptaro veriori i rrok’ më lehtë sesa mesdhetari i mesit a jugut të Shqipërisë.
Këtu vijmë te pyetja e parë që për jo pak njerëz të vyer e sinqertë të Tiranës, vazhdon të jetë një mister. Pse e duan “kosovarët” Berishën pyeten e pyesin ata? Përgjigja del e thjeshtë: sepse ai është verior. Dhe këtu s’mbaron. Sepse pos që është verior dhe e ka dialektin e “tyre” Berisha te masat e Kosovës ka plotësuar dhe sot e kësaj dite vazhdon të plotësojë diçka që intelektuali i matur dhe aq i tërhequr, lideri me shall e look europian, Ibrahim Rugova nuk e kishte: pasionin në të folur e sjellje.
Retorikën agresive dhe shkatërruese për armiqtë politikë. Edhe zgjedhësit, deri dje të majtë e prej “Konventës” së fundit të djathtë së PDK-së së Thaçit tradicionalisht të afërt me PS-në janë me Berishën. Sepse ai ua rrit adrenalinën. Ua ngjall dellin patriotik dhe i bën të vegjël, për të mos thënë hije, edhe ish-liderët e UÇK-së, të cilët pas lufte ishin zënë o ta luftonin apo edhe kopjonin Rugovën.
Për Berishën, as që bëhej fjalë sepse ai i shkelte. Ky është pra shkaku kryesor pse Berisha në Kosovë ishte dhe është aq i preferuar. Populizmi i tij i veshur me retorikën patriotike gjithmonë ka qenë arma e tij të cilën ai në mënyrë kalorsiake e ka përdorur dhe e përdor sa herë i është dashur. Që gjysma tjetër e shqiptarëve të Shqipërisë janë të kampit tjetër politik- për këtë s’ka çarë kush kokën në Kosovë. Së paku jo derisa së pari Fatos Nano dhe më vonë, shumë më vonë, edhe Edi Rama filloi të ndjehet si në shtëpinë e tij- edhe në Prishtinë, Drenicë e Dukagjin.
I pëlqeu dikujt apo jo, Kosova do ta dojë gjithmonë Berishën. Edhe kur tash po i numëron muajt e fundit të pushtetit politik. Ngase ky ka bërë atë që s’e bëri askush. Ose përkthyer me gjuhën e Qosjes- nëse Enveri ishte më pak i keq por për këtë e bëri (ose e la të bëhet!) bashkë me Prishtinën gjuhën letrare, ishte dhe është Berisha ai që Kosovës ia bëri rrugën dhe për këtë lidhjen mes Tiranës e Prishtinës për dy orë. Një projekt i të parit (Enver Hoxhës) për mbijetesën gjuhësore u bë realitet- të cilin në Prishtinë disa qarqe sot e refuzojnë por bash për këtë ai funksionon. Një realitet i të dytit (Berishës) i cili në qarqe tjera të Tiranës po ashtu vihet në pikëpyetje por për këtë po kështu shfrytëzohet me kënaqësi sa herë duan të kalojnë deri në Prishtinë apo edhe flasin për progresin shqiptar.
Fakt është: shqiptarët sot janë më pranë njëri-tjetrit se kurrë ndonjëherë më parë. Fizikisht, ekonomikisht, finaciarisht, mediatikisht dhe nëse duam edhe politikisht e gjuhësisht. Dhe këtu fillojnë problemet e Doktor Berishës. Jo për shkakun pse ai ishte mëkatari i madh i Tiranës, i cili punonte apo punon me serbët- nga Karaxhiqi e Mladiqi e deri tek sot Fazliqi. E kanë bërë dhe e bëjnë edhe socialistët e LSI-stët. E kanë bërë dhe e bëjnë edhe në Kosovë- nga LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja- të të gjitha ngjyrave e kampeve politiko-ekonomike.
Problemi i Berishës, pra nuk duhet parë shumë në vijat e patriotizmit të tij të dëshmuar (me rrugën e kombit) apo edhe tentativës së tij për manipulime po patriotike (me pasaporta për “kosovarët”, ndërhyrje skandaloze si ajo në Konferencën e Sigurisë në Munih) për të mbijetuar politikisht. Shfaqja e Spahiut, lëvizja e Topit, mosvendosmëria e Metës dhe sidomos fenomeni i shfaqjes dhe monopolit që fëmijët e tij kanë në skenën politike dhe me këtë edhe financiare-ekonomike të Tiranës, e bëjnë atë t’i ngjajë një relikti politik jashtë kohës (2013!) në hapësirën që jetojmë.
Thënë edhe më shkoqur dhe shqip, Sali Berisha, ky dinozaur i politikës së Ballkanit të 23 vjetëve të fundit, nëse fitoi por edhe humbi shumë beteja politike: këtë pranverë do ta humbasë betejën e tij politike. Dhe atë për shumë shkase dhe një e të vetmin shkak, i cili duhet parë në kontekstin ballkanik.
Disa nga shkaset: shteti që Berisha ua premtoi qytetarëve të Shqipërisë nuk është askund, tetë vjet prejse ky është në pushtet. Nëse lëmë anash infrastrukturën rrugore dhe përmirësimin e ruajtjes së kufijve bashkë me stabilitetin mikrofinanciar, këtë vend vazhdon ta lërë një hap prapa edhe me shtete të shkallmuara nga luftërat (Kroacia, Mali i Zi e edhe vetë Serbia e Maqedonia) dhe me këtë edhe ta ngufatë këtë vend në procesin e integrimeve evropiane.
Shpërthimi i Gërdecit ishte ai shpërthimi i çdo ëndrre të Berishës për një jetë normale me pole politike por jo armiqësi tradicionale me të cilat çdo shqiptar është lodhur dhe shkallmuar. Nëse i shtojmë kësaj edhe 21 janarin dhe turbullirat më pas, fërkimet e fundit me Ambasadën dhe Administratën amerikane rreth po 21 janarit, shtrirjen e dorës së tij në tri shtyllat e pushtetit- gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv por edhe në forcën e katërt- median, atëherë s’kemi pse çuditemi që Berisha sot është i vetmuari dhe izoluari i madh i Ballkanit. Jam i bindur që edhe në zgjedhjet e ardhshme do të ishte kandidat serioz po të mos i dilte problemi kryesor që ky politikan e kishte dhe e ka që më lart e quajtëm, jo një nga shkaset por shkakun kryesor.
Është pra ai problemi që e kishte Franjo Tuxhmani me djalin Miroslavin, Alija Izetbegoviqi me djalin Bakirin, Ibrahim Rugova me djalin Ukën dhe pa përmendur këtu raste tjera të cilat po ashtu janë të drejta por edhe mund të keqkuptohen sepse Berisha nuk ishte as nuk është as diktator as luftënxitës… Sa autokrat dhe para së gjithash politikan transicioni, i cili vetëm me transicion mund të (mbi)jetojë politikisht.
Implikimi i fëmijëve të Berishës në jetën politiko-ekonomike të Shqipërisë viteve të fundit, pra nuk është një risi në kontekstin ballkanik, por për këtë do të shënojë edhe përmbylljen e pranisë së këtij politikani magjepsës për energjinë dhe shkatërrues për potencialin e pezmit dhe armiqësisë.
Nëse ky do të luftojë deri në çastin e fundit dhe edhe me kushtin e armiqësisë me “miqtë amerikanë” dhe teknokratët europianë për të mbetur në pushtet? Them se jo. Sepse do të jenë ata që i ka afër që do ta tradhtojnë të parët në çastin kur të shohin si po rrëshqasin teposhtë. Por kjo s’duhet të na brengosë aq shumë. Shumë më tepër është e rëndësishme që, shikuar nga prizmi i Kosovës, nuk duhet rënë pre e manipulimeve të tij ditore retorike për nevoja parazgjedhore. Tjerat janë punë a problem i një fushate të rëndë parazgjedhore e cila do na mundojë e torturojë muajve që vijnë. Nëse do t’i thoshim sot Doktor, u kry’- ai s’do ta besojë.
Ndoshta i ndihmon, atij apo njerëzve të tij dhe sidomos fëmijëve të tij, thënia e presidentit dhe politikanit të madh gjerman Richard Freiherr von Weizsäcker: Historia nuk përsëritet por mësimet nga ajo po! Dhe ky postulat sot dhe muajt në vijim vlejnë sidomos për Doktorin! Por edhe opozitën e cila do të duhej të jetë e kujdesshme në menaxhimin gjatë dhe sidomos pas marrjes së pushtetit atje. Dhe pa inate e hasmëri pse shumica e qytetarëve të Kosovës do të vazhdojë që për Berishën ta ketë zemrën e ngrohtë dhe derën e hapur. Kurse për Berishën nga këndi i Kosovës: Doktor, u kry!