UBT

Disa çështje rreth organizimit të ekskursioneve nëpër shkollat tona

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ismet Azizi – Organizimi i ekskursioneve për nxënës është një biznes mjaft fitimprurës për Agjencitë Turistike, por edhe për mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave të cilët në tërë këtë aktivitet , siç thuhet në opinion, e kanë llogarinë e tyre.

Prindërit e maturantëve rrëqethen kur arrijnë fëmijët e tyre në vitin e fundit të shkollimit. Përveç pagesave të cilat janë të detyruar ti bëjnë për udhëtimin dhe vendosjen e fëmijëve të tyre, e që ushqimi dhe fjetja aspak nuk janë të përshtatshme , diku rreth 100 euro, me veti duhet t`i sigurojnë edhe një shumë të caktuar të parave për harxhime shtesë , mandej edhe një shumë të caktuar duhet siguruar për veshmbathje, e cila zakonisht iu duhet për një ekskursion të tillë ( duks, trenerka dhe patika), të cilat zakonisht nuk i kanë patur më parë.

Mandej për shkak se është edhe viti i fundit i shkollimit duhet një shumë të konsiderueshme të mjeteve të harxhohen për mbajtjen dhe organizimin e parambramjeve dhe në fund të vitit mbrëmjen e maturës, e cila zakonisht kërkon harxhime të konsiderueshme , për vet mbrëmjen dhe gardërobën të cilën duhet siguruar. Pra, për prindërit është një ngarkesë e madhe sepse pothuajse gjatë gjithë vitit ballafaqohen me kërkesa të cilat iu duhet plotësuar fëmijëve të tyre. Këto kërkesa, pra nuk janë aspak të vogla për buxhetin e një familje kosovare.

Fjala ekskursion rrjedh nga fjala latine excursio që do të thotë udhëtim i shkurtër.

Ekskursioni është një udhëtim i organizuar nga një grup i njerëzve, i cili zakonisht bëhet në kohën e lirë, me qëllim arsimi, apo për aktivitet fizik, vizitë të një vendi, nganjëherë për punë dhe qëllime të tjera. Ndërsa pikniku (frengjisht: pique-nique, anglisht: picnik) është një formë e argëtimit dhe ngrënies jashtë objekteve të banimit, gjegjësisht në natyrë.

Me ekskursion mësimor nënkuptohet zhvillimi – mbajtja e mësimit jashtë objektit shkollor. Objektiv i ekskursionit mësimor është arritja e njohurive të cilat duhen të arrihen , por që nuk mund të demonstrohet në objektet shkollore.

Detyrë e ekskursionit mësimor është që nxënësit njohuritë elementare nga disa tërësi mësimoro-shkencore t’i përcjellin drejtpërdrejt në hapësirë dhe në këtë mënyrë të arrijnë perceptime të kjarta dhe të arrijnë njohuri të përhershme.

Ekskursioni mësimor është formë e veprimtarisë jashtëshkollore.

Ekskursionet duhet të jenë në përputhshmëri me planprogramin mësimor, të planifikohen me kohë, d. m. th, në fillim të vitit shkollor, në mënyrë që të mund të jenë të realizueshme dhe duhet të kenë objektiva të caktuara mësimore.

Ekskursionet mësimore përbëjnë formë komplekse të udhëtimit i cili nënkupton aplikimin e metodave të ndryshme: Vëzhgimi i drejtpërdrejtë i hapësirës, bisedat hulumtuese, shfrytëzimi i instrumenteve të ndryshme, punimet hartografike, paraqitjet grafike, bisedat mësimore, referime, përshkrime, referate të nxënësve,ese, etj.

Nxënësit gjatë ekskursionit zhvillojnë shoqërizozimin, solidarizimin, të organizuarit, tolerancën. Mandej tek nxënësit ekskursioni ka rëndësi të madhe edukuese; zhvillon pikëpamjet shkencore mbi botën, ndjenjat estetike dhe emocionale.

Ekskursionet e kohëpaskohshme kontribuojnë në zhvillimin e organizmit të nxënësit, forcojnë dhe stabilizojnë jetën e tij emocionale.

Mësimdhënësit gjatë ekskursionit arrijnë të ngritën profesionalisht dhe ti njohin nxënësit më mirë.

Si ndahen ekskursionet ?

Sipas lëndës studimore ekskursionet mësimore mund të jenë:
• Tematike, të cilat organizohen me qëllim të përpunimit të përmbajtjeve të ndryshme ( gjeomorfologjike, klimatologjike, ekonomikogjeografike, demografike , pedologjike, urbanogjeografike, historike, kulturore e të ndryshme).

• Regjionale, organizohen me qëllim të vëzhgimit kompleks dhe studimit të ndonjë territori (kanë përbërje më të pasur, kërkojnë përgatitje të gjithanshme, organizim të mirëfilltë, organizim të vazhdueshëm të nxënësve e tj.).

Në aspektin didaktik ekskursionet mund të organizohen:
• Me qëllim të arritjes së njohurive të reja,
• Me qëllim të përforcimit të njohurive të arritura më herët,
• Me qëllim që njohuritë e arritura ti aplikojnë në praktikë.

Për nga vendi se ku bëhet ekskursionet ndahen në:
• Lokale, të cilat janë të lidhura me mjedisin gjeografik në të cilin gjendet shkolla dhe në vendbanimet më të afërta,

• Vendore, mbahen për çdo vit në fillim apo në fund të vitit shkollor, në kohëzgjatje rreth shtatë ditë, me qëllim të njohjes së hapësirave interesante të vendit tonë. Ndërkaq, në kohët e fundit vendet në regjion praktikojnë edhe daljen jashtë shtetit (ekskursione profesionale).

Për nga kohëzgjatja ekskursionet mund të jenë:

ARKATANA

• Në kohëzgjatje nga 1 deri 3 orë
• Gjysmë ditorë,
• Njëditorë,
• Disaditorë.

Motivimi i nxënësve gjatë ekskursionit
Motivim do të thotë nxitje, dëshirë për diçka të caktuar, për qëllim të caktuar për të cilin shkohet.

Procesi i lëvizjes së aktivitetit për t’i arritur qëllimet e caktuara, drejtimi i aktiviteteve drejt objekteve të caktuara dhe rregullimi i mënyrës se si të veprohet, e quajmë motivim.

Përgatitjet për ta kryer ekskursionin

Ekskursioni mësimor, varësisht nga forma, ndahet në tri faza:
• Përgatitja, e cila përbëhet prej dy fazave. Punët përgatitore të mësimdhënësit dhe i agjencive, dhe përgatitja e nxënësve.
• Kryerja e ekskursionit
• Përfundimi

Me rastin e planifikimit profesional të ekskursionit me rëndësi është të caktohet:

• Drejtimi i lëvizjes (itinerari),
• Zgjedhja e vendit të punës dhe objektet e studimit,
• Zgjedhja e formës dhe metodat e punës,
• Përgatitja e mëtejme mësimore për prezantimin e atyre pjesëve të cilat në teren nuk mund të vërehen.

Mësimdhënësi në kuadër të përgatitjes së tij duhet :
• Të kryej zgjedhjen e terenit i cili ofron kushte optimal për punë të nxënësve
• Të përzgjedh terrenin të cilin vet e njeh më së miri,
• Të hulumtoj gjithë literaturën për terenin e caktuar, me qëllim që sa më mirë t’i njoh me detajet dhe me informacionet e reja.
• Të përzgjedh objektet e rëndësishme në teren me të cilët do t’i njoftoj nxënësit gjatë ekskursionit.

Mësimdhënësi i përgatitë nxënësit dhe i njofton me:
• Qëllimin, përmbajtjen, format e punës dhe vendet për punë në teren

• Me kohëzgjatjen e ekskursionit
• Me vendet ku do të tubohen në teren
• Me marshutën e detajizuar
• Me materialin përkatës hartografik
• Me literaturë përkatëse.

Nxënësit duhet të përgatiten me:
• literaturë adekuate
• Material hartogrfaik
• referate

Analiza e ekskursionit
Analiza përfshinë pjesën profesionale dhe teknike, dhe përshtypjet e përgjithshme dhe përfundimin.

Analizën e shkruar e përpilon udhëheqësi i ekskursionit i cili ia paraqet Këshillit të Arsimtarëve në afat brenda 15 ditëve nga dita e përfundimit .

Këshilli i Arsimtarëve e shqyrton raportin, jep opinionin e vet dhe përgatitë një raport përfundimtar për ekskursionin e mbajtur. Organ mbikëqyrës i mbajtjes së ekskursionit duhet të jetë Këshilli i arsimtarëve dhe drejtori i shkollës.

A duhet ndryshuar mënyrën e organizimit të ekskursioneve?

Organizimi i ekskursioneve mësimore kishte me qenë shumë më i mirë , sepse në këto ekskursione do të shkonin vetëm nxënësit e interesuar për të cilët nuk është me rëndësi vetëm argëtimi dhe shëtitja. Në kuadër të programeve të tyre, p.sh. seksioni i histories, do të organizonte ekskursion mësimor vetëm në Krujë dhe Lezhë, ai i Gjeografisë, vetëm Dajt dhe Luginën e Valbonës, Biologët do të organizonin ekskursionin në Alpet Shqiptare etj, etj.

Ekskursionet më tepër se njëditore duhet të organizoheshin disa herë gjatë vitit me paralele të ndryshme, e jo të gjitha përnjëherë. Si mund të organizohet një ekskursion i suksesshme për 900 nxënës të një shkolle , kur duhet siguruar rreth 18 autobus, të sigurohet vendosja dhe ushqimi i tyre, mandej si do të ekzekutohet vizita e një kompleksi turistik me një numër aq të madh të nxënësve?!

Ekskursionet njëditore për klasët e IX- ta, duhet shikuar mundësia e organizimit sipas seksioneve, edhe atë edhe më herët, jo vetëm kur të dalin në klasën e IX-të së bashku me nxënës anëtarë të seksioneve, pavarësisht se cilës klasë i përkasin. Për shembull, pse mos të organizohet një orë mësimore në Institutin Hidrometeorologjik me të gjithë nxënësit e seksionit të gjeografëve siç e praktikon SHMU “Abaz Ajeti” që disa vite me radhë , apo edhe ekskursionin njëditor të organizuar vite më parë në Kalanë e Artanës me klasët e VI -ta.

Vetëm një shembull, kur organizohen ekskursionet për klasët e IX-ta, kur të gjitha shkollat e Kosovës organizojnë marshutën dhe kohën e mbajtjes pothuajse të njëjtë në Prekaz, Mirushë dhe e përfundojnë zakonisht në Prizren, kur vështirë se mund të kontrollohet lëvizja e nxënësve nga numri i madh i tyre. Ky nuk mund te quhet ekskursion, por një tollovi e krijuar nga numri i madh i nxënësve nga të gjitha viset e Kosovës. Dhe, shtrohet pyetja se a është arritur efekti dhe qëllimi i ekskursionit?!

Të themi se çështja e ekskursioneve është shumë komplekse dhe meriton një qasje studimore serioze.

Prof.Ismet Azizi
Gjilan