Fundamenti

Dështimet speciale të privatizimit

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore me metodën e spin off-it special, ka qenë storie e suksesshme, për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përderisa përfaqësues të punëtorëve dhe njohës të çështjeve ekonomike, e quajnë proces gati të dështuar.

Sipas zyrtarëve të AKP-së, që nga viti 2005, kur ka nisur privatizimi i parë me metodën e spin off-it special, janë privatizuar 24 ndërmarrje, që nënkupton mosndryshimin e veprimtarive të tyre.

Zëdhënësi i AKP-së, Yll Kaloshi, thotë se shumica e ndërmarrjeve pas privatizimit kanë ndikuar në krijimin e kushteve dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend, por ka edhe të atilla që për shkak të mospërmbushjes së obligimeve, rrezikojnë t’i nënshtrohen riprivatizimit. “Metoda e spin off-it special në disa raste ka dhënë rezultate, por ka dhënë edhe telashe të shumta në disa ndërmarrje të tjera, të cilat kanë vështirësi të mëdha në përmbushjen e obligimeve të marra në bazë të kontratës së nënshkruara”, thotë Kaloshi.

Disa nga ndërmarrjet e privatizuara me metodën e spin off -it special, që sipas AKP-së, kanë treguar rezultate të dukshme, janë Ferronikeli, M& Silos, Birraria e Pejës,Trofta, si dhe Hotel “Theranda”.

Por, ka edhe ndërmarrje që pas privatizimit nuk kanë arritur t’i përmbushin obligimet e kërkuara në bazë të kontratës. Për këtë çështje, AKP-ja tashmë ka marrë aksionet e ndërmarrjes së re, “XIM Strezovc” dhe aksionet “Grand Hotel Prishtina”

Edhe përfaqësues të punëtorëve thonë se procesi me metodën e spin-off-it special, nuk ka treguar rezultatet e pritshme.

Hidromorava

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thekson se një numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve, pas privatizimit nuk kanë zhvilluar afarizëm të suksesshëm, madje, sipas tij, disa ndërmarrje kanë ndërruar edhe veprimtarinë e tyre.

Nuk mund të themi se është tërësisht i dështuar ai proces. “Nuk mund të themi se është tërësisht i dështuar ai proces, por nuk ka pasur një progres të veçantë apo të theksuar për zhvillimin e ekonomisë kosovare, veçanërisht interesin e punëtorëve”, shprehet Dragusha.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, thonë se me përjashtim të disa rasteve, procesi mund të quhet i dështuar.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropa e Lira, thotë se forma e spin off-it special që në fillim ka qenë e imponuar, dhe për këtë arsye nuk ka treguar rezultate.

Për këtë çështje ai fajëson ish-Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, por edhe Agjencinë aktuale të Privatizimit, që, sipas tij, ndërmarrjet e privatizuara kanë mbetur në ndërgjegjen e investitorëve. “AKM-ja më herët, dhe AKP-ja e tanishme gati që nuk kanë punuar në harmoni shumë me ligjin, duke marrë parasysh zbatueshmërinë e atyre dokumenteve që kanë qenë në fakt akte formale juridike, pozitive në fuqi”, thekson Ramosaj.

Ndryshe, edhe në fillim të zbatimit të metodës së spin off- it special, përfaqësues të punëtorëve dhe ekspertë të ekonomisë, patën paraqitur vërejtje të shumta lidhur me këtë lloj të privatizimit, pasi, sipas tyre, kjo metodë lë shumë hapësirë për korrupsion. /Rel/Telegrafi/