Fundamenti

Dështimet ndërkombëtare në Kosovë

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Blerim Shala – Të gjithë ne, të cilët jemi të shkapërderdhur pikë e pesë në të gjitha temat e tjera, pajtohemi që tash jemi në muajin qershor dhe që Misioni i EULEX-it ka dështuar.

Në Kosovën e ditëve të sotme, është tepër e vështirë, në mos edhe e pamundur të gjesh pika që na lidhin të gjithë neve, si qytetarë të Kosovës, si shqiptarë të Kosovës, gjithashtu.

Nuk na bashkon as shteti i Kosovës, si i tillë. Tutje në politikën kosovare ka mendime dhe ka pretendentë këmbëngulës se shteti i Kosovës duhet të pushojë së ekzistuari në emër të bashkimit kombëtar në një shtet të vetëm që do të quhej Shqipëri.

Nuk na bashkon as qëndrimi që vendi i Kosovës dhe i shqiptarëve në përgjithësi është në Evropë dhe në Perëndim. Të mos mashtrohemi këtu. Ka Lindje këndejpari sa të duash, në trajtat që i kemi pasur më parë, por edhe në ato që mbërritën këndejpari vetëm pas çlirimit të Kosovës.

Nuk ka gjasa fare as të tubohemi në temën se si duhet ta mbyllim përplasjen gati një-shekullore me Serbinë, e cila ka afat skadimi të qartë, për shkak të ngjarjeve të njohura që prej viteve të tetëdhjeta, të cilat janë në përmbyllje e sipër. Do të shihet për pak muaj se çfarë do të ndodhë me synimet për ta nisë përmbylljen e mirëfilltë të këtij kontesti që nisi me largimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani dhe me hyrjen e Serbisë në Kosovë.

Nuk ka ide të përbashkët as se si duhet ta zhvillojmë demokracinë në Kosovë tash e tutje, pas gjitha rënieve dhe ngritjeve që i kemi përjetuar që prej vitit 2000, kur këtu u mbajtën zgjedhjet e para të lira. Parimisht, të gjithë thonë që nuk duhet lejuar (më) hajninë dhe manipulimin zgjedhor, por mbetet për tu parë se a do të krijohen mekanizmat e asisojtë që do ta pamundësojnë episodin e ri të koritjes së madhe politike.

Nuk na bashkojnë as idetë se si duhet nxjerrë Kosovën nga balta e prapambeturisë së madhe ekonomike, e cila njeh ta zëmë, dhjetë a më shumë vjet distancë kohore në matësit ekonomikë, edhe karshi Shqipërisë dhe Maqedonisë, e lëre më përballë shteteve të tjera të rajonit.

Dikush mund të thotë këtu me të shpejtë, në ‘replikim’ të këtyre pohimeve, që demokracia është e tillë: Nuk është rendi që të ketë pajtim të plotë në një shoqëri. Megjithatë, për temat madhore, e të tilla janë të gjitha këto që u përmendën më parë, shëndeti i një shoqërie, i një politike, reflekton unitetin që ekziston apo që mungon për to. Te ne, ky unitet është në stad të deficitit gjithnjë e më të madh.

Megjithatë, nuk është që ne nuk pajtohemi për asgjë në Kosovë.

Ta zëmë, që të gjithë ne, të cilët përndryshe jemi të shkapërderdhur pikë e pesë për të gjitha temat e tjera, dakordohemi që tash jemi në muajin qershor dhe që Misioni i EULEX-it është mision i dështuar.

Është tepër e vështirë pra të gjesh një politikan të vetëm, i të gjithë këtij spektri shumëngjyrësh në vend, është thuaja e pamundur të gjesh qytetarë të rëndomtë në këtë Kosovën e ndërlikuar tej mase, i cili do të flasë mirë për EULEX-in.

Hidromorava

EULEX-i ka arritur pra t’i bashkojë shqiptarët kundër vetes, të cilën gjë, bazuar në atë çfarë u tha më parë, nuk po e bën më askush.

Nga ky pikëshikim pra, EULEX-i është një ‘mrekulli’ në vete. Për fat të keq.

Kur në vitet 2006, 2007, diskutohej se çfarë misionesh ndërkombëtare do të duhej të qëndronin në shtetin e pavarur të Kosovës, ideja mbizotëruese ishte që ato assesi nuk duhej të ishin vazhdimësi e UNMIK-ut. Misionet ndërkombëtare duhej të ishin më të vogla, më modeste, më ndihmuese, pak vendimmarrëse, më shumë këshilluese, evro-perëndimore gjithsesi, më efikase, patjetër, për ta bërë të mundur që Kosova të qëndrojë në këmbët e veta sa më parë, si një shtet sovran në kuptimin e plotë të fjalës.

Përvoja në këtë aspekt, që prej vitit 2008 e këndej, apo, prej se njëherë zbarkoi në Kosovë ICO-ja (Zyra Civile Ndërkombëtare), dhe pastaj, edhe EULEX-i (Misioni për sundimin e ligjit), nuk është aspak mbresëlënëse. Aspak.

Për ICO-në mund të nxirren edhe konkludimet finale, sepse Zyra Civile Ndërkombëtare është mbyllur në shtatorin e vitit të shkuar, tok me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Këto konkludime na shfaqen në trajtë të vlerësimit që vështirë që mund të kontestohet: Kosova nuk ka pasur të thuash kurrfarë dobie prej ICO-së dhe prej Pieter Feith-it që arriti të qëndrojë në Kosovë gati pesë vjet, apo sa tre Shefat e fundit të UNMIK-ut së bashku.

Në këtë rrugë është nisë edhe EULEX-i.

Pritjet e kosovarëve prej këtij Misioni, për dallim prej ICO-së (ku objektivisht, nuk ka pasur farë pritjesh të mëdha), kanë qenë të mëdha. Supozohej që ky Mision, i cili parimisht ngërthen në vete vlerat më të mira perëndimore në fushën e sundimit të ligjit, do të ndikojë thelbësisht në përmirësimin e kualitetit kosovar në këtë fushë dhe do të ndihmojë që qeverisja e kosovarëve me vetveten të mos dëmtohet nga korrupsioni, menaxhimi i keq i financave publike, kërcënimi nga krimi i organizuar. Më në fund, kosovarët poashtu llogaritën që EULEX-i do të jetë në krye të ri-kthimit të sundimit të ligjit edhe në Veri të Kosovës, i cili ‘ra krejt prej sistemit’ (nëse mund të flitet ashtu), krahasuar me periudhën kur UNMIK-u ishte autoriteti suprem ndërkombëtarë në Kosovë.

Nuk ka nevojë fare këtu të elaborohen argumentet pse tek gati të gjithë kosovarët, zhgënjimi është vlerësimi kyç për EULEX-in, pse ka marrë hov bindja që EULEX-i ka dështuar në Kosovë.

Është ky një lajm i keq jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë BE-në, e cila dikur krenohej që ky Mision, më i madhi në historinë e BE-së, do të ndihmojë në ndërmarrjen e shtet-ndërtimit në Kosovë.

Autori është:Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express.