Dështimet e paralajmëruara
Nga Ibrahim Rexhepi- Qysh në fillim të vitit 2014 janë paralajmëruar tri dështime: norma e rritjes ekonomike nuk bazohet në nivelin e zhvillimit gjatë vitit 2013; shpërndarja e shpenzimeve publike nuk i jep karakterin zhvillimor buxhetit; dhe, rritja e pagave nuk mbështetet në rregullin se “konsumi ndikon në rritje” .
Niveli i normave të rritjes ekonomike të Kosovës ndryshon varësisht prej momentit. Kjo ndodhë për shkak se qeveria nuk bën matje të sakta dhe mbi bazën e tyre të nxjerr ë një shifër që në mënyrë reale paraqet mundësitë që ka ekonomia e vendit. Për këtë arsye këto shifra më shumë janë produkt i dëshirës individuale, se sa i mundësive.
Kjo më së miri vërehet përmes deklaratave të fundvitit: Kryeministri thotë se Kosova në vitin 2013 ka pasur rritje ekonomike 5 për qind, ministri i financave është më i modest dhe përmend shifrën 3,2 për qind, kurse FMN-ja, si një monitorues më i besueshëm thotë se rritja ekonomike ka qenë 2,5 për qind.
Edhe pse me mungesë të madhe të analizave për vitin e kaluar, viti 2014 do të jetë vit i zhvillimit. Ky është slogani i përmendur nga kryeministri dhe të gjithë ministrat. Por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë asnjë fakt që vërtetë na dëshmon se do të ketë rritje e zhvillim. Është thënë se bartës i rritjes sërish do të jenë investimet kapitale. Kjo nuk është shumë e besueshme, kur dihet se ato do të jenë 15 për qind më të ulëta se në vitin 2013. Njëkohësisht për tri vjet me radhë është dëshmuar se për rrije ekonomike nuk mjafton vetëm shuma e parasë që mund të investohet, por edhe struktura e investimeve. Infrastruktura dhe asfalti nuk kanë sjellë rritje – kur nisi ndërtimi i autostradës së Vërmicë – Besi, norma e rritjes ishte 5,5 për qind, ndërsa pasi që u investuan rreth 900 milionë euro kjo normë ra nën tre për qind. Duke pasur parasysh këtë fakt, mund të thuhet se Qeveria e Kosovës as që ka dashur të merret me sfidën kryesore që imponojnë rrethanat- ndryshimi i strukturës së investimeve, përkatësisht orientimin e tyre në sektorët që krijojnë një ambienti më joshës dhe më të qëndrueshëm për të thithur kapitalin e sektorit privat.
Qeveria e Kosovës me lehtësi i është qasur sfidës tjetër,asaj që imponohet nga sektori social. Meqenëse është vitit i fundit i mandatit të saj, përkatësisht koha kur duhet të mendojë për votën, atëherë hapi kuletën dhe ndau 45 milionë euro për rritjen e pagave, si edhe shumë miliona të tjerë për kategori të ndryshme sociale. Pas deklaratave se po intervenon në ngritjen e standardit dhe po korrigjon padrejtësitë në sistemin e shpërndarjes së parasë publike, qëndron kërkesa për vota. Mirëpo, një intervenim i këtillë nuk është garanci e mjaftueshme, meqenëse nga këto rritje mund të përfitojnë rreth 80 mijë veta, në kohën kur edhe më tutje 44,8 për qind e popullatës mbeten të papunë, sa është edhe përqindja e të varfërve. Pra, numri më i madh i votave mund të sigurohet duke rritur numrin vendeve të punës, sa se duke investuar paratë publike te individët e punësuar në sektorin shtetëror, të cilët fitojnë diçka, krahasuar me 45 për qind të popullatës që nuk kanë asnjë cent fitim gjatë tërë vitit.
Pagat duhet të rriten, pa asnjë dyshim. Mirëpo, krejt kjo duhet të jetë pjesë e një procesi analitik, e jo e disponimit individual. Fillimisht duhet analizuar se a ka që administrata shtetërore të ketë kaq shumë të punësuar, kurse hapi tjetër është vlerësimi i performancës dhe kategorizimi brenda sektorëve. Pastaj do të duhej vlerësuar ndikimin rritjes së pagave te treguesit makroekonomik. Stimulimi i konsumit, a do të sjell rritje të prodhimit vendor, apo rritjes të deficitit tregtar? Apo, sa do të kenë ndikim ato në normën e inflacionit, të cilën duhet ta bartin edhe ata që nuk përfitojnë nga buxheti i shtetit ?
Po të bëheshin kot vlerësime, rritja e pagave do të ishte një vendin në kuadër të orientimeve strategjike që duhet të ketë secila qeveria. Më saktësisht kjo nuk do të ndodhte në momentin kur dikujt i kujtohet se “ ka ardhur koha me i rritë rrogat”.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)


