Mobi Casa

Demush Zefi, gazetari dhe veprimtari gjilanas, që la gjurmë pozitive, kudo që punoi e veproi

/ 13 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Demush Zefi i lindur në fshatin Dunavë të Gjilanit u zhvendos herët në fshatin Bibaj të Ferizajit. Si gazetar e veprimtar dha shumë nga vetja duke raportuar për media të ndryshme kombëtare dhe ato në diasporë. Për shkak të kushteve të rënda të asaj kohe Demush Zefi kohën më të mirë e kaloi në Ferizaj dhe më vonë edhe në Prishtinë. Në Ferizaj kreu pozita të rëndësishme në këtë komunë si Drejtor i Drejtorisë Komunale Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi, dhe Drejtor i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport. Një kohë punoi edhe si mësimdhënës dhe më vonë edhe si gazetar në gazetat “Rilindja”, TV Shkup, “Bota-Sot”, Agjencinë e lajmeve “Kosova” etj. “Kam punuar me ndershmëri, dashuri, kujdes dhe sinqeritet moral e profesional sepse vetëm në këtë mënyrë mbahet në piedestal autoriteti edhe i gazetarit, edhe i zyrtarit komunal, aktivistit, poetit e krijuesit thotë Demush Zefi për rajonipress.

Mosha e pensionimit nuk ia humb për asnjë çast kujtesën, Demush Zefit nga fshati Dunavë i Gjilanit. E kujton me shumë nostalgji vendlindjen dhe peripecitë familjare, por asnjëherë s`është dorëzuar për të realizuar ëndrrën e tij, që të bëhet edhe gazetar, aktivist, krijues dhe zyrtar komunal.

Demush Zefi edhe sot është aktiv, i komunikueshëm me të gjithë dhe merret ende në mënyrë aktive me shkrime, artikuj dhe kohë pas kohe, edhe me shkrime letrare e gazetareske.

Edhe pse ka jetuar në Ferizaj e Prishtinë, Demush Zefi vetën e konsideron gjilanas dhe ka shumë miq e të afërm, me të cilët punon e vepron.

Karriera e tij profesionale e krijuese është e pasur, sepse ka punuar kudo dhe është treguar shumë pozitiv duke lënë gjurmë të mira dhe të pashlyera.

“Jam përpjekur që në çdo pozitë që kam punuar të jem i sinqertë me angazhimet e mija dhe kontributin tim dhënë nëpër kohë e vite të ndryshme. Kuptohet që gazetarinë e kam dashur shumë, e kisha pasion, e dashuri të zemrës e shpirtit dhe e kam përjetuar çdo ditë orë e çast kur kam shkruar. Gazetaria përjetohet dhe ndjehet me admirim, ndryshe ajo s`ka kuptim as të shkruhet prej nesh” flet me shumë kujdes Demush Zefi për rajonipress.

Po si ishte dikur gazetaria tradicionale, e si është dhe kuptohet tani gazetaria digjitale dhe online sipas Demush Zefit.

“Gazetaria tradicionale kur unë punoja, kishte më shumë profesionalizëm, e përgjegjësi dhe shkruhej me kujdes e maturi. Vraponim në teren dhe bënim kronika të ndryshme, që i shërbenin popullatës. Tani gazetaria ka ndryshuar sepse lajmet jepen online dhe rrufeshëm dhe normal që gabimet janë të pranishme, por është e mirë që ekziston mundësia, e përmirësimit të teksteve dhe ndërhyrjet janë më të lehta” shton Zefi.

Gazetari, krijuesi e zyrtari komunal i dikurshëm Demush Zefi ofroi vlera të mirëfillta në të gjitha segmentet e jetës ku punoi e veproi.

Kontributi i tij është i pakrahasueshëm sepse kishte karrierë të disiplinuar dhe në shërbim të atyre që e donin një qytet e Kosovë me vlera evropiane.

“Secili profesion në jetën tonë i jep kuptim domethënës nëse shërbimi ynë mbetet modest, i përkushtuar, i përgjegjshëm dhe vlerësues e dobiprurës për shoqërinë në përgjithësi. Motoja e imja gjithmonë është mbështetur në respektimin e të tjerëve dhe në gatishmëri të përhershme për të ndihmuar këdo që kërkon ndihmë nga unë. Pra, bëjeni punën e ndershme për të pasur mirëkuptim e vlerësim nga të tjerët” është mesazhi që jep Demush Zefi.

Demush Zefi, e ka sprovuar vetën edhe në krijimtarinë letrare, duke shkruar libra, poezi që janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.

Ndryshe, Demush Zefi ka lindur në fshatin Dunavë të Gjilanit 17/06/1952. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (Normale) në Gjilan, Fakultetin Juridik – Dega Gazetari-Diplomaci e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Prishtinë. Punoj mësimdhënës, pastaj gazetar në Gazetën “Rilindja”, TV Shkup, “Bota-Sot”, Agjencinë e lajmeve “Kosova”, Drejtor i Drejtorisë Komunale Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi, Drejtor i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport në KK të Ferizajt.

Është autor i librave:
“Kumti i dheut”
“Loti i Gdhendur”
“Vela e Atdheut “.

Ka botuar shumë poezi në revista dhe gazeta shqiptare, ndërsa shumë poezi janë përkthyer edhe në gjuhë angleze, gjermane dhe italiane dhe franceze. Është prezantuar në antologjitë Lule për Nënën e cila është përkthyer në disa gjuhë botërore, dhe “Orët e Bardha”.

Për kontributin e Demush Zefit dhënë në komunën e Ferizajit, Agim Aliu kryetar i kësaj komune, ka shkruar në superlativ, duke ofruar edhe dëshmi të kohës kur ka punuar Zefi.

Agim Aliu ndër të tjera ka shkruar:

Janë kronika gazetarie, është vendimmarrja e pesha që barti në institucionet lokale, janë mësimet që nguliti në breza të shumta nxënësish, është shembulli i veprimtarisë publike, politike e krijuese, shembull ky i rrallë që karakterizon një jetë në shërbim të të mirës publike, vepër kjo e ferizajasit të çmuar, gazetarit, mësimdhënësit, dy herë drejtorit komunal në Ferizaj, krijuesit e veprimtarit, Demush Zefi.

Pasioni i tij, zë fill e formësohet që nga shkollimi i mesëm ku përfundoi Shkollën Normale në Gjilan, për të vijuar studimet për gazetari, diplomaci e marrëdhënie ndërkombëtare pranë Fakultetit Juridik në Prishtinë, më pas me punën si mësimdhënës, gazetar në gazetën “Rilindja”, TV Shkup, “Bota Sot”, Agjencinë e Lajmeve “Kosova”, për të bartur edhe funksione me peshë publike brenda ekzekutivit të Komunës së Ferizajt, si drejtor i Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit si dhe drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

I respektuari Demush Zefi, la gjurmë edhe në krijimtarinë letrare me veprat “Kumti i dheut”, “Loti i Gdhendur”, “Vela e Atdheut “ si dhe krijime tjera të botuara në revista, gazeta shqiptare si dhe botimet në gjuhë angleze, gjermane, franceze, italiane, si dhe përfshirjen në antologjinë “Lulet për Nënën” dhe “Orët e Bardha” përkthyer në disa gjuhë botërore.

Kontributet e tij shtrihen edhe në aksionin nga më fisnikët të kombit shqiptarë, atë të pajtimit të gjaqeve, lobimi i fuqishëm që bëri në kancelaritë europiane dhe amerikane për fatin e Kosovës në kohën e luftës, të qenurit koordinator i subjekteve politike në Zvicër e mundësimi i shumë takimeve me përfaqësues të shteteve europiane për Presidentin Historik Ibrahim Rugova, ndër më të veçantët nga ta, ku ishte organizator vet ai, ishte ai i vizitës së Presidentit Rugova në Vatikan, vizitë që u realizua me mbështetjen e vëllait të tij, Don Shan Zefi, pa lënë anash edhe kontributin e tij në grumbullimin e fondit të 3%-shit, të qenurit nga të parët që mori kumtin e lirisë dhe udhëzimet e gjithanshme të veprimeve nga eprorë ushtarak britanikë, nisja e organizimit të jetës shoqërore në të gjitha poret e saja, formimi i Këshillit Ndërpartiak në Ferizaj, bashkëpunimi i ngushtë me KFOR-in amerikanë për rindërtimin e pasluftës në Ferizaj, e panumër kontribute, që paraqesin vlerë për shoqërinë ferizajase e më gjerë./rajonipress/

Disa nga poezitë e botuara të Demush Zefit

VELA E LIRISË

Struga qepi sot shnëdriti,
strugejanët flasin shqip,
kanë edhe të parin e tyre,
kanë edhe një etje të re,
të ndritë me ylber liqenin,
të mbushë kupën me ndjenja Kosovë,
Livadhia pranë dëshmisë së zjarrët,
Livadhi e Veleshtë tash pa ëndrra,
po bie kushtrimi edhe diku tjetër,
po lavrohet edhe një arë me farë lirie.

Ngadalë pa ethe zbret nga miti
Struga në valle më nuk ëndërron
tash thur buzëqeshje për vete
për të gjitha qytetet shqiptare
për Kalanë e qetësuar në Krujë
sot po shpërthen një këngë e re.

Ohrit afër në krah po i shndritë një yll
një abetare e re lirie e dalldisur si engjull
mbrojtës tash Struga ka vetëm shqiptarët
ata dinë të prekin zemrën dhe dashurinë
pranë Drinit që më shekuj bartë mallin.

Qyteti i shkronjave shqipe përshëndet
ka një porosi shprese që më të flasim
të bashkojmë dy tri apo katër duar të djathëta
me lapsin e hyjnor të shkruajmë rishkruajmë
fitore të reja në dheun që foli vetëm shqip
Manastiri që përkujton Evropën në faj.

Liri poetit

( Në ditën e Poezisë]

Aty ku shkëmbinjtë flasin
gjëma e tyre shtrëngon
vargjet presin fjalët
misterin e tyre të njomë
dritën t’u shërbej njeriu
vargun tua lë peng
etjen tua shuaj me re
shpresën në emblemë
poeti vuajtja dhe titulli
qielli dashuri e nënë
toka mbetët e zbrazët
pret vargun e dlirë
një lahutë mbite e mbirë

Të mbetemi hyjni poeti
nxitje librave në trotuare
frymon koha e rreshtave
nen afshin e vreshtave
në Marsin me traditë
pamjen që kujton fillimin
e poezisë se stinëve
bardhësinë që ka fjala
mundësinë e bimëve
që dallojnë përtrirjen
shtigjeve rrugëve drumeve
ahishatve te reja që flasin
një ditë poezie që buzëqeshë.

Pikon rreshta e shtrydhë fjalë
poeti që nuk kafshon dritën
që lidhë botën me litarë
trazon dashurinë e engjujve
të vargu mbështetë paqen
me dy duar dhe lapsin e vigan
ofron një mbulesë të ylbert
këngën që vet se këndon.

Si ujdhesë e dëshirave të mbara
sa herë që ka kujtime të mira
po e lagë letrën shpalosë me ujë
së bashku ta bëjën një Bibël
ta shkruajnë n’rreshta një libër
të hedhur prore n’ hambarë rinij
pranë tempullit që ndriton gjithësinë
të lëshoj lutjet, vargjet me gjallëri
aty ky dora shkruan e ferkon malle
poet mbaj në mend përkujo e hedh valle
në këtë ditë të falë edhe perëndia
shpalos më afsh atë që ke nga mbrendia

Flas Gjuhën time

Të çmoj mbi skaje
kudo në brendi
në ditën e shënjtë
natën e mushur hare
tokë sot e bekuar
të përqafoj atdhe
t`i mua me shtrëngo
me mbajë në lojë
dashurinë më trego
të veshëm me të ditën
të dal i blert në qiell
të flas gjuhen time
të mbledhi rriten
jo me shtrëngime

Eco Higjiena

Atdhe sa flakë
që më je i parë
me shpirtë të ri
të bardhe pa hije
si etje në brendi
dritë erë kohe

Në motmot të ri
përcillet kushtrimi
hapë velën kodra
zbret poshtë trishtimi
në gjumë shkruan
histori dhe amanete

Krisma historisë
i lëmon përden
pranë ka hijen
ka edhe ëndrrën
shpresën e bardhë
dritën dhe

Vela Kuq e Zi

Me vela kuq e zi
ndien ketë aromë
dashurinë që buzëqeshë
jetën e re si diell
kaltërsinë si qiell.

Nen rreze e mbështjell
aromë shqiptare
e buzëqeshi dritën
lashtësinë bujare.
Vendi im i bardhë
qëndro afër meje
të ofroj reshur
ngjeshur butësinë
krahët dhe sytë
që të shikosh
Larg në valë deti
që filtrojnë lotët
dhe heshtjen.
qëndro afër
na mungojnë pjesët
me vela kuq e zi
Pranë meje
Kohë dyndje
Plage plisi

Qëndro pa etje
pa vaj kënge
në dritë n e re
të ylberit pas shiu
që Drini sodisë
bardhësi
si velë e atdheut
jashtë dheut
ku prindërit
ulruan me vite
kthehuni JU
qepurat kanë zë
qupurisin tokën
mungoni si dëshmi
se dhunohet sot
vatra e Rilindjes
skaj me saj
mëshirës së vyshkur
perëndimit e lindjes
dielli ku lind vyshket
ku perëndon sharton
Ejani mbi këtë ozyë
Mbi këtë pjellmë lirije.

Shpalosja e Dritës

Natën vonë.
në heshtje
puhia ndryshkë
fshinë lotët
preki trupin
atdhe afër më kë
afrohu pranë meje
pa lutje e dhuratë.

Era më soditë
brendinë orakull
me mbanë etje
zërin e ri të vjetër
e shpalosë ndritë
në ditën tjetër
ka shpërndarë
copëza në letër.

Qëndro afër meje
unë jam afër teje
flasim gjuhen që dimë
këndojmë njomë
thjesht nuk ngopemi
ës më dashuri
atdhe ëndërr s’jam
por krijesë që kam lotë.

Pyrgu i djallit

(Poezi kushtuar Njeriut apo djallit}

Kah lëshon hapa shpirti
Mbetet i zi nën therra
Dhe aty bluan ngadalë
Kafshimet nen verra

Ti që dikur të shikova
Me një sy të bardhë
Ishe ti ai qe shtrydhe
Fjalë në shtratin e larë

Nëpër qepura të zi do të biesh
Do të kafshohesh me gjumin
Dita natë e zezë do të vishet
Hijenë kohe do të ndytë lumin

Mendje mykësirë deponi e gjallë
Kafshon ata që rritë të ofruan hije
Nuk të dualen bukë duart e këmbët
Po ngopesh i mjerë po pa shije.

Kur ece trotuareve me ëndrra
Të duket hija e zezë dinosaur
Kafshon majtas djathtas kalbësira
Të behet jeta nëpër dhëmbë gurë.

Sa herë ke kafshuar
ata qe te lëshuan dritë
Do te kafshosh vetën
E prerë hapur me thikë

I mjerë mbete ishe gjithmonë
Pa vlerë shpirtzi e dangall
Qepurët të ndalen e verbuan
Përbirës rrethi të shpallë.

Shtegu ndalon përherë kalimin
Hapat me zile zhurmojnë dritën
Pjellë e shlyer erë e shëmtuar
Nata me etje do tua ndale rritën.

Do te biesh përbindësh kohe
Në lumin që bartë kalbesira
Zhveshur nga mëkatet që i ke
Do të mbetesh kufome mbi dhe.

Ka varr që nuk flet po pret
Ka ditë të zezë që nuk ndritet
Ecjet pushojnë e vetëvriten
Ata që kafshojnë e lëndojnë.

Mbi një murë plehu këngë
Jo gjel që rrahë krahët e rinj
Gjeli me këngë lumturon
E ti kafshon e bene dhunë hi.

Dritë në liri

Në atdhe
ka dritë
ka shpresë
për jetë
dritë lirie
etje dashurie.
Dheu i atdheut
nuk të ngopë
po përkëdhelë
si orë shpirti
më një buzëqeshje
me dorën e butë
petkun kuq e zi
këngën në lahutë

Atdheu ka rreze
kuq e zi ndritë
heshtjen e thërret
atdheu nuk zbret
kurrë nuk tretët
atdhe me vite
buzëqesh s’pushon
nëpër shekuj
edhe me plage
përqafon.

Shtëpia e ALFABETIT
Më Thyen duart
me to kamë shkruar
A-në dhe Zh-në
Ata që më thyen
kafshuan më dekada
dheun dhe e treten
po përsëri në vend
ku unë më pind linda

Me thyen kokën
Aty lash porosi
Të flasin shqip

Kafshimi i ALFABETIT
(Manastir ABC…}

Me thyen shtëpinë
A -ja dhe Zh-eja
përplasën nuk urrejnë
flasin përsëri shqip
Shqip do të flasin
me shqiptarë
për jetë dhe mote
më kafshuan sot
në mëngjesin akull
dhe dritën zi

Me copëtuan si bisha
uria e krimit u përplas
në shpirtë të ALFABETI-it
në Zemër të qytetit të art
që mbi një shekull
kujtoj e ruajti fletën prej ari
që firmosi shqip një dorë
shumë duar të reja të ndritura
ishte afshi i Fishtës Lahutës
Konstain Kristoforidhit dhe lapsit

Qyteti që mbanë A-në dhe Zh-në
thesarin e mbushur shkronja
në dykrenarën që valvit
nën dritën e ylbert
mbi troje shqiptare
Manastir duro
mos humb në ndjenja
lëvro përsëri gjurmët
Lëvro atë që të kafshoj
Yllin e tij në ballë
Këmbët që lëshuan
Helm mi plagë letre
Mbi plagë shpirti.
shtëpi muze je e lënduar
të kafshuan në mëngjes
po edhe ditën edhe natën
sa herë që kanë stres
edhe urrejtje të kalbur
që ende qëndron e gjallë.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.