RCCOLA

Demir Krasniqi nderohet me çmimin “Xhevat Ismajli”

/ 14 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në shenjë nderimi me rastin e marrjes së Çmimit “Xhevat Ismajli” për karrierë Demir Krasniqi enkas për rajonipress ka përzgjedhur disa këngë nëpër vite që i janë kushtuar qytetit të Gjilanit të titulluar “Gjilani në këngët e mia”.

Që nga vitet e para të fëmijërisë sime , dashuria ndaj qytetit të Gjilanit , u ngulit thellë në zemrën time dhe ajo sa vinte e shtohej ditë e më shumë .

Me qytetin e Gjilanit , më lidhte dashuria dhe ngrohtësia , të cilën e përjetoja në rastet e pushimeve të nënës sime (ndjesë pastë) , e cila i kishte vëllezërit dhe familjen e gjerë , të cilët kishin migruar në këtë qytet nga fshati Gëmicë, i Malësisë së Gollakut të Kamenicës .
Pra, me Gjilanin më lidhte dashuria ndaj dajallarëve të mi .
Me që , unë si fëmijë , vija në qytetin e Gjilanit , nga një vend shumë i prapambetur malor , nga një familje skajshmërish e varfër , ku nuk kishte as rrymë elektrike e as radio – aparate , çdo gjë që e shihja në Gjilan dhe tek dajallarët e mi , ma nxiste kureshtjen dhe lakminë përtej kufijve !

Gjatë qëndrimit tim, si mysafir tek dajallarët e mi , kureshtjen dhe lakminë më të madhe ma nxiste radio – aparati , i cili këndonte këngë të ndryshme popullore, të cilat kurrë në jetën time nuk i kisha dëgjuar !

Unë, si fëmijë , mendoja se radioja këndon gjatë tërë ditës dhe se këngëtarët popullor , po këndonin brenda saj ?!

Për këtë, gjatë tërë ditës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes , nuk kishte kush që të më largojë nga radioja e dajallarëve !

Duke i dëgjuar programet muzikore të radios, mësoja shumë shpejt këngët përmendsh dhe mezi pritja që të shkoj në fshat e në shkollë, për t’ ua kënduar shokëve të shkollës, mësuesit tim dhe të afërmve të mi !

Që nga ajo kohë, radioja për mua u bë një mjet shumë sensacional dhe kudo që dëgjoja se dikush posedon radio – aparat , mezi pritja që të shkoj, t’i dëgjoj programet muzikore dhe të mësoj ndonjë këngë të re !

Duke i dëgjuar programet e radiove të ndryshme , përveç këngëve të ndryshme popullore , shumë shpejt më ranë në vesh edhe disa këngë që iu këndoheshin qyteteve të ndryshme shqiptare , si : Prizrenit , Prishtinës, Gjakovës, Pejës, Mitrovicës, Kaçanikut , Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Ohrit, Dibrës, Strugës, Manastirit, Ulqinit , Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Kavajës, Beratit, Elbasanit, Krujës, Vlorës, Gjirokastrës, Librazhdit , Tepelenës, Korçës, Artës, Prevezës, …etj. por askush nuk i këndonte qytetit të Gjilanit ?!

Kjo mungesë , më preokuponte në vazhdimësi , edhe pse isha shumë i ri dhe kurrë nuk kam jetuar me vendbanim në Gjilan .

Me të mbaruar shkollimin profesional të muzikës në Prishtinë, kur edhe u pranova zyrtarisht si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës , në mesin e këngëve të para që i krijova dhe i këndova kah fundi i viteve të 60-ta , ishte pikërisht kënga me titull:”O, Gjilan – qyteti im”, shumë shpejt e incizova edhe në disqe të gramafonit , në një shtëpi diskografike të Beogradit , me që në atë kohë nuk kishte shtëpi diskografike në Kosovë!

Publikimi i kësaj kënge , bëri jehonë të madhe dhe u mirëprit ngrohtësisht nga adhuruesit e këngës popullore, sa që gati nga çdo shtëpi, dyqan dhe kafene , në çdo çast dhe në çdo kohë jehonte në kupë të qiellit kjo këngë !

Prej atëherë, e deri në ditët e sotme , mora guxim dhe u inkurajova që për qytetin e Gjilanit , të thuri dhe të kompozoj në vazhdimësi edhe shumë këngë të tjera, sipas nevojës dhe kërkesave të kohës .

Në qytetin e Gjilanit, kam ardhur për të jetuar me familjen time , tek në fund të vitit 1987, ku jetoj , krijoj dhe këndoj edhe sot .

Për punën, kontributin dhe karrierën time muzikore , qyteti i Gjilanit asnjëherë nuk më ka anashkaluar dhe shpeshherë më ka nderuar me çmime , lëvdata e mirënjohje të ndryshme .
Prej fillimit të karrierës sime prej këngëtari dhe krijuesi muzikor e deri në ditët e sotme, vetëm për Gjilanin i kam thurë, kompozua e këndua hiq më pak se 8 këngë të ndryshme , tekstet e të cilave po ua sjell për kujtime lexuesve dhe adhuruesve të mijë besnik dhe të nderuar :

O GJILAN – QYTETI IM

Porsi një liqe i bukur ,
Buzë Mirushës , n’ atë tokë pjellore –
Shtrihet qyteti im, i dashur ,
Është për mua zemër rinore .

Lindi dielli e shkrepi drita –
Këtu gjejë kënaqësi përherë !…
Linden shkolla e fabrika ,
Si behar lulesh n’ pranverë !

Po lulëzon qyteti i ri
Me shumëkatëshe plot stoli !
Magjistralja hyn n’ qytet ,
Porsi lum që derdhet n’ det !

Trotuaret plot me dritë –
Dalin t’ rinjtë me u shetitë …
Rrisin zemrat n’ dashuri ,
Porsi lulet në saksi !

O, Gjilan qyteti im,
Unë me zemër të nderoj !
N’ ty për herë , unë gjejë gëzim –
Gjithmonë për ty do t’ këndoj !

Kënga e dytë, të cilën ia kam kushtua dhe këndua qytetit të Gjilanit, pos të tjerave , na e rikujton kohën e regjimit Millosheviçjan , kur shumica e lagjeve të banuara kryekëput me banorë shqiptarë – ishin emërtuar me emra sllavë .

Madje, në atë kohë , ishte bërë edhe ndarja e korzove të qytetit , ku shqiptarët bënin korzo nëpër rrugët e lagjes “Gavran” ( sot “Dardani”), kurse serbët , romët e të tjerët , i shfrytëzonin korzotë e sheshit të qytetit !

A KE QENË NDO ‘I HERË N’ GJILAN ?

Hej, hej !
Po të pyes, more Filan –
A ke qenë ndo ‘i herë n’ Gjilan ?
Po s’e dite ç’ është “Gavrani”–
Nuk e di çka është Gjilani !
Ky “Gavrani” plot me drita –
Për çdo ditë i shtohet rrita !
Plot me vajza e djem të ri ,
Këngë e gaz e dashuri …

Hej, hej!
Është një lagje :”Dheu i Bradhë” –
Është simboli mbarëshqiptarë !
“Dheu i Bardhë” – quhet kjo tokë ,
Kah ka plisa t’ bardhë mbi kokë !
Aty janë do djem krenarë ,
Djem petrita dhe shkollarë ,
Burra trima dhe bujarë ,
Mbi të gjitha – atdhetarë !

Hej, hej!
Atje lartë , kah “Popovica” –
Rriten çikat sokolica .
Pak ma poshtë , n’ lagjen “Baleci” –
Janë do djem, si Shyt Mareci !
Është një lagje “Derë Mahalle “ –
Ecin vajzat veç me nalle !
Shtati i tyre veç përhidhet –
Qyteti prej tyre dridhet !…

Hej, hej !
Ka në lagjen “Çenar Çeshmja “ –
Vajza t’ bukura, si mbretëresha !
Më në jug – n’ lagjen “Zabeli” –
Rriten vashat këputë prej beli !
Mos besofsh , ti , lum Filani –
Eja e shih çka është Gjilani !
Hajde e shih çka është shyhreti –
Për të gjallët, ku është xheneti !

Ndër provokimet më perfide që i bëheshin shqiptarëve, nga ana e regjimit Millosheviçjanë, ishte edhe vendosja e shtatoreve dhe përmendoreve të personaliteteve historike serbo- sllave ! Në vazhdën e realizimeve të këtij projekti , në Gjilan ishte vendosur shtatorja impozante e Knjaz Llazarit, apo siç njihet në popull: Car Llazari !

Me të hyrë forcat paqeruajtëse të NATO-së , në Kosovë, në verën e vitit 1999, kjo përmendore famëkeqe , u rrënua dhe u eliminua njëherë e përgjithmonë nga sheshi i Gjilanit, që ishte një gëzim i shumëpritur për qytetarët tanë me rrethinë !
Këtë akt triumfues, nuk munda ta anashkaloj pa e futur në vargjet dhe meloditë e këngëve të mia dhe po atë ditë , këndova :

DASMË TË MADHE KA GJILANI

Recitativi :

Thërret kushtrimi – jehoi zani
Nëpër etër , nëpër valë –
Dasmë të madhe ka Gjilani ,
I madh e i vogël n’ shesh kanë dalë !

Solo:

Një të shtune , një ditë Korriku –
Do ta mbajë mend gjatë armiku !…
Do t’ rrëqethet nga shqiptari –
S’ ka n’ Gjilan vend Car Llazari !

Refren:
Hej, lumë nënat, që u kanë lindë !
Hej , lumë djepat , që u kanë rritë !
Lumë Kosova , që u ka pritë –
Djem për pushkë , yje për dritë ,
Yje për dritë !

Recitativi:

Mblidhen shqipet si rrufe –
Brohorasin :”UÇK!”
Jehon kënga :”Besa- besë”,
Rrahin zemrat plot me shpresë !…

Solo:

Një grup shokësh – një grup trima ,
Erdhën n’ shesh , porsi vetëtima –
Shpejt iu ngjitën lapidarit ,
Ia vunë lakun Car Llazarit !

Refren:
Hej, lumë nënat, që u kanë lindë …etj.

Recitativi:

Nëpër tyta t’ automatikut ,
Para syve të armikut ,
S’i frikësoi tank , as snajperë –
Për t’ia bërë kombit këtë nderë !

Solo:

Eco Higjiena

Një shofer , drejton tymonin ,
Shpejt e solli kamionin …
T’ lumtë, or trim i nënës loke –
Car Llazari u shtri për toke !

Refren:
Hej, lumë nënat, që u kanë lindë …etj.

Recitativi:

Përpëlitej poshtë e lartë –
Kokës së vet për t’iu bashkua !…
Herë shpendkeq , herë si lugat –
Para sysh u avullua !…

Solo:

Idealin e Adem Jasharit –
Ngritën lartë bijtë e shqiptarit !
Çdo armik që shkelë n’ këtë tokë –
Do të ngelë pa trup, pa kokë !…

Refren:
Hej, lumë nënat, që u kanë lindë …etj.

Njëra ndër perlat e valleve popullore të Gjilanit, Anamoravës, Karadakut, Luginës së Preshevës , Gollakut e më gjerë , pa dyshim se është :”Vallja e Gjilanit”, e cila në popull më shumë njihej si:”Gilanka” , që është emërtim i ndikuar nga sllavishtja !

Duke i hulumtuar , analizuar dhe studiuar vlerat e kësaj valleje popullore autoktone shqiptare , shpesh herë kam hasur në tendenca të përvetësimit të burimit dhe autoktonisë së kësaj valleje , ku serbët , maqedonët , romët dhe të tjerët , mëtonin që ta paraqesin si thesar të vetin, për të mos ua lënë shqiptarëve !

Mu për këto tendenca , vendosa që melodinë e kësaj valleje kaq të bukur autoktone shqiptare , ta kurorëzoj edhe me tekst adekuat dhe ta këndoj e jetësoj njëherë e përgjithmonë në gjuhën shqipe .

Tërësia melodike e kësaj valleje , kapë strukturën tekstuale prej 5 strofave :

VALLJA E GJILANIT

I.
Jehojnë fushat dhe bregoret
Në Moravë e në Malësi …
Plot dasmorë janë mbushë oborret –
Valon shqipja kuqezi !
T’ rijë e t’ reja dorë për dore ,
Krah për krah e brez për brez ;
Hedhin valle burrërore –
Që nga mbrëmja deri n’ mëngjes !
Krismave të tupanit , hej,
Larg iu shkon jehona !…
Vallja e Gjilanit, hej,
Është valle e jona !
T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë –
Qysh na mësuan të parët tonë !
Ne, traditat s’i harrojmë –
Ruajmë me mburrje çdo zakon !
Zoti, ne , na ka bekuar –
T’ lidhim besë e t’ jem’ unik !
Se kur t’ jemi të bashkuar –
S’ ka ç’ na banë asnjë armik !

II.
Vallet tona janë krenare ,
Plot me art e trimëri …
Kujtojnë luftërat çlirimtare
Për Kosovë e shqiptari !
T’ rijë e t’ reja dorë për dore ,
Në Preshevë e Karadak –
Hedhin valle burrërore
Në Medvegjë e në Gollak …
Krismave të tupanit , hej,
Larg iu shkon jehona !…
Vallja e Gjilanit, hej,
Është valle e jona !
T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,
Valon shqipja lartë mbi ne !
Pushkët prej dorës nuk i lëshojmë –
Mbrojmë kufij e mbrojmë Atdhe !
Ejani vëllezër t’ i bashkojmë –
Duart grusht , çelik të fortë !
Të vallëzojmë e të këndojmë –
T’ rrojmë të lumtur në këtë botë !

GJILANI I BUKUR

Si llava e vullkanit ,
Zemra më gulfon –
T’ ia këndoj Gjilanit ,
Këngën që m’ pushton !

Me vargje t’ poetit ,
Me zë të bylbylit ,
Me aromë të blirit ,
Me ngjyrë të zymbylit !…

Kënga ime e shpirtit ,
Shpërthen si vullkani !…
S’ ma rrëmben stuhia,
Jo, as uragani !

S’ mund ta ngrijë veriu ,
As kur frynë murrlani !
Qyteti ma i dashur ,
Për mua është Gjilani !

I kujtoj kalldrëmet ,
Mbushë me vajza t’ hjeshme –
Kur shkonin me kënata
Për t’ mbushë ujë në çeshme !…

Më vrisnin me vetulla ,
M’ shponin me qepalle ,
Më trokisnin n’ zemër
Kah ecnin me nalle !…

I përkujtoj korzotë
Dhe rininë shkollore …
Takimet e t’ rinjve
Nëpër ëmbëltore …

Ëmbëltorja e famshme
Quhej “Skënderbeu” –
Ku një vajzë e këndshme
Zemrën ma rrëmbeu !…

Dyqane zejtarësh –
Buzë lumit t’ Mirushës ,
Furrat e bukëpjekësve ,
Aroma e bukës !…

Plot me sylynjarë
Rridhte shatërvani ,
Se ku është Gjilani –
Aty është vatani !

Gjilani i bukur –
Qytet legjendarë ,
Është djepi i trimave ,
Bijve atdhetarë .

Është djep i kulturës –
Dritë e dijetarë .
Është djep i kulturës –
Mbushur me shkollarë !…

FLAKADANI I PAEPUR

I.
Një qiri me drita
Ndriçon në Gjilan, aman, aman .
Si yll Afërdita –
Përhapë rreze anë e mbanë , aman , aman.
Ah, jetë, moj jetë –
Sa e ëmbël që më je !
Ah, jetë, moj jetë –
Sa të mirat që m’i ke !
Ndizet, shkrihet qiri –
Zihet mbi shandan ,
Si gurë xhevahiri
Jep shkëlqim si flakadan .
II.
Ditë, as natë s’ pushon –
Ndizet pak nga pak , aman, aman.
Rreze drite lëshon
Mbi Gollak e Karadak , aman, aman.
Ah, jetë, moj jetë –
Sa e ëmbël që më je !
Ah, jetë, moj jetë –
Sa të mirat që m’i ke !
Ndizet , shkrihet qiri –
Flakëron si kandil …
Këngën nxjerr nga gjiri –
E këndon por si bilbil .

III.
Si nusja në vek
Duke thurë pëlhurë , aman, aman.
Ai e qëndisë këngën
Si kala me gurë, aman , aman.
Ah, jetë, moj jetë –
Sa e ëmbël që më je !
Ah, jetë, moj jetë –
Sa të mirat që m’i ke !
Vargu i tij , nuk thahet ,
Si uji në gurrë …
Është burim që s’ ndalet
Dhe nuk shteron kurrë !…

KALAJA E POGRAGJËS

Një ditë shkova te Kalaja – mbi Pogragjë,
Për t’u çlodhur , për t’u çmallë e për t’u kënaqë !
E shikova këtë mbretëreshë të bukurisë –
Porsi nuse , përmbi kreshta të malësisë !

Haj, haj!
Seç më dogji malli ,
Haj, haj!
Zemrën seç ma kalli !

Digju zemër, digju porsi furrë ,
Se rinia ime , ma nuk kthehet kurrë !
Qajë moj zemër , qajë e mos më plas ,
Se kujtimet ma nuk kthehen pas !…

E kujtova këtë simbol të lashtësisë ,
I kujtova vitet e mia të rinisë !…
Sa e vjetër është Kalaja dhe këta gurë –
Zemra ime, dashuron e s’ plaket kurrë !

Haj, haj !
Seç më dogji malli ,
Haj, haj !
Zemrën seç ma kalli !

Më djeg malli – digjem si flaka ,
Kur kujtoj se edhe unë u plaka !
Qajë moj zemër , qajë e mos më plas ,
Se kujtimet ma nuk kthehen pas !…

8. GJILANIN KURRË NUK E HARROVA

Shkova , nga nuk shkova ,
Këndova , ku s’ këndova ,
Por Gjilanin tim ,
Kurrë nuk e harrova !

Ia këndova trimat
Edhe historitë …
Ia këndova t’ mirat
Edhe bukuritë …

Ia këndova sheshet ,
Rrugët edhe lagjet …
Ia këndova qeshmet , sofrat ,
Bukën dhe konaqet …

Ia këndova dritat ,
Shkollat , diturinë …
Ia k’ndova fabrikat ,
Sofrat , bujarinë …

Dhe prapë stinë pas stinës
Deri sa t’ frymoj –
Gjilanit , rrethinës ,
Unë do t’i këndoj !

Gjilan, 21 Qershor 2013.