RCCOLA

Deda: 2016-ta viti më i rëndë që nga paslufta, Qeveria i la qytetarët të izoluar

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë deputet i pavarur Ilir Deda, vitin 2016 e cilëson si më të rëndin që nga paslufta. Ndërsa dështimin që qytetarët e Kosovën të lëvizin pa viza ia ka atribuuar pushtetit aktual.

Deda në një intervistë për lajmi.net e akuzon Qeverinë se të gjithë sektorët në vend janë në gjendjen më të keqe, dhe se investimi sipas tij po bëhet me miliona vetëm në asfalt.

Flet edhe për partinë e tij me Mimoza Kusarin. Thotë se njerëz me kredibilitet do t’i bashkohen subjektit “Alternativa”.

Lajmi.net: Çka e ka karakterizuar vitin 2016, në aspektin e politikës dhe gjendjes sociale?

Deda: Viti 2016 ishte viti më i rëndë në Kosovën e pasluftës, vit i karakterizuar me përkeqësim marramendës të gjendjes socioekonomike, degradimit të skajshëm politik dhe papjekurisë politike dhe vit i humbjes së mundësive për avancim të Kosovës dhe funksionalitetit të brendshëm.

Lajmi.net: Pozita dhe opozita kurrë s’kanë qenë më të thyera në agjendën nacionale. A mund të jetë kjo arsye e dështimit të Kosoves në rrugen e BE-së?

Deda: Dështimi i Kosovës në liberalizim të vizave i përket kryekëput Qeverisë së Kosovës. Qeveria nuk tregoi gadishmëri për ndërtim të konsenzusit politik për demarkacionin me Malin e Zi. Përkundrazi, ata dëshirojnë që me numrat në Kuvend t’a ratifikojnë këtë marrëveshje të bërë keq dhe me joprofesionalizëm. Por, atë që po e shohim në Kuvend është refuzimi i një grupi të deputetëve të LDK-së t’i nënshtrohen diktatit partiak, me çka sfidohet arroganca e pushtetit. E deri tash ka pas shumë mundësi që të zgjidhet drejtë demarkacioni, me konsenzus politik me çka edhe do të hiqeshin vizat për qytetarët e Kosovës nga ana e BE-së.

Lajmi.net: Çfarë impakti do të ketë liberalizimi i vizave për rininë e Kosovës?

Deda: Liberalizimi i vizave është më i rëndësishmi për rininë e Kosovës, ku udhëtimi pa viza do të na hiqte nga izolimi dhe “burgu” në të cilin po jetojmë. Lëvzja e lirë do t’i mundësonte rinisë që t’a shohin dhe njohin kontinentin në të cilin jetojmë.

Lajmi.net: Si na e shpjegon izolimin e kosovarëve që po ua bën BE-ja dhe kush mendoni se bartë barrën e pergjegjësisë?

Deda: Siç thash më lartë, përgjegjësia i takon Qeverisë.

KKVITI

Lajmi.net: Cili sektor është në gjendjen më të keqe në vend, Shëndetesia, Arsimi, Gjyqësia apo…?

Deda: Të gjitha. Shiheni sa pak para të buxhetit ndahen për shëndetësi, arsim e gjyqësi që tregon që Qeveria nuk e sheh si prioritet as arsimin, as shëndetësinë e as sistemin e drejtësisë, por 700 milionë euro dedikohen për asfallt, dhe e bën asfalltin prioritet të vetin.

Lajmi.net: A mos e keni zgjatur prezantimin e partisë së re dhe çka do të ofroni ndryshe?

Deda: Kemi deklaruar që në fillim se më mirë është të marr kohë themelimi i subjektit të ri, se sa të ngutemi. E çka do të ofrojmë ndryshe do t’a shihni në prezantimin e Alternativës, që do të ndodhë së shpejti.

Lajmi.net: Cila eshte partia më e mire, dhe më e keqja në Kosove, apo jane te gjitha të njejta, jo të mira?

Deda: Partitë duhet të shihen sipas rezultateve qeverisëse të tyre, dhe pjekurisë politike që e kanë. Nuk mund t’i shoh si të mira apo jo të mira sepse politika nuk bëhet ashtu.

Lajmi.net: A mund te na jepi ndonjë emer se kush është në ekipin e tuaj me Mimoza Kusarin në partinë që jeni duke e konsoliduar?

Deda: Politika e emrave në Kosovë na ka sjellë në situatën në të cilën jemi. Kjo është një temë e imponuar. Mendoj që neve na duhet një ndryshim rrënjësor politik, ku do të ketë njerëz me kredibilitet gjithandej dhe të dëshmuar në fushat e tyre. Këta njerëz janë duke ardhur apo janë duke u bërë pjesë e ndërtimit të subjektit të ri politik. Në fund të fundit do të jetë vizioni se si e shohim ne Kosovën. Kjo çështja e emrave pak është e tejkaluar, sepse shiheni edhe 17 vjet pas luftës ne kemi përfunduar në një kornizë të njëjtë të debatit me probleme, të cilat po thellohen.

Me një izolim të Kosovës, me humbje të shumë mundësive që i ka ofruar viti 2016 dhe koncepti i ri politik, mendësi të re politike dhe qasje tjetër në politikë dhe politikë-bërje. Kjo çështja e emrave është një kornizë, e cila është imponuar në Kosovë që prej pas luftës, sepse në fund të fundit, partitë politike nuk mund të jenë klub i njerëzve medial, por duhet të jetë besimi në vizionin e përbashkët, e sidomos në zgjidhjen e problemeve që i ka Kosova dhe kjo është ajo që do të na bashkojë të gjithëve në këtë fazë dhe fazat e ardhshme.

Lajmi.net: Më mirë në Vetëvendosje, apo me Mimoza Kusarin?

Deda: Pjesëmarrja në parti politike nuk lidhet me individë, por me vlerat e parimet që përfaqëson një parti. Mospajtimet e mija konceptuale me VV tashmë janë të ditura për publikun, ndërsa Alternativa po konsolidohet duke përfshirë njerëz që nuk kanë qenë dhe të tjerë që kanë qenë aktiv në politikë, ku të gjithë e ndajmë vizionin e përbashkët për Kosovën.