Fundamenti

Daci: AAK-në dhe LDK-në i kam opsion, Thaçi lider i pakontestueshëm

/ 18 minuta lexim
Eco Higjiena

Kosova është në prag të luftës për shkak të themelimit të Tribunalit. Pretendimeve të Dick Martyt duhet t’i jepet përgjigje profesionale nga sistemi i drejtësisë vendore. LDD’ja dhe AAK’ja kanë një marrëveshje të shkruar për të shkuar bashkë në zgjedhje nacionale. Do ta mirëprisja më shumë qetësi nëse ka diçka tjetër të thotë Haradinaj. Nuk e përjashtoj mundësinë të jemi në një listë zgjedhore me AAK’në ose LDK’në. Në asnjë rrethanë me PDK’në. Aktualisht, Hashim Thaçi është lider i pakonkurrencë në skenën politike të Kosovës. Këtë po ia mundësojnë edhe Mustafa, Haradinaj e Kurti. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, flet për Express.

Express: Po nisim me Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet nacionale. Duhet të rrëzohet Qeveria apo shpërbëhet Kuvendi për të shkuar në zgjedhje?

N. Daci: Koncepti im është që para zgjedhjeve, në një mjedis jostabil, me një shtet që është në formim, gjithmonë duhet të zgjidhet rruga që ofron paqe.

Express: Cila është ajo rrugë?
N. Daci: Unë mendoj që objektivisht, në staza të gjata, politikisht më e dobishme është shpërndarja e Kuvendit me marrëveshje. Në afatshkurtër, për rezultatin zgjedhor, më profitabile është të rrëzosh Qeverinë. Por, kur ta merrni parasysh se çfarë reaksioni krijon njëri hap e tjetri, nga mosha që e kam, nga përvoja edhe në shkencë, unë e zgjedh gjithmonë rrugën e kryerjes së proceseve pa eksplodime dhe në stabilitet afatgjatë.

Express: Dje janë takuar liderët e partive politike me ambasadoren amerikane dhe kanë folur për krijimin e Tribunalit. Sipas jush, a duhet të themelohet një Tribunal i tillë?
N. Daci: E di që gjithmonë deklaratat e mia, janë në dëm timin, në aspektin politik, por jo shkencor. Kurrë jomoral dhe kurrë jonjerëzor. Ata që kanë pak memorie e vlerësojnë se ashpërsimi i disa çështjeve po e ndjell gjendjen e paraluftës politikisht në Kosovë, jo të okupimit, por mendimin në qarqe politike, grupacionet intelektuale dhe politike. Sjellja ndaj Tribunalit, a duhet të formohet në Kosovë apo jashtë saj, për mua e riciklon gjendjen në prag të luftës. Unë kam qenë këtu, edhe gjatë luftës, nëpër bodrume, refugjatë në Prishtinë. Kam qenë shumë aktiv prej Akademisë së Shkencës në rrjedhat që po ngjanin në Kosovë sepse kam qenë Kryetar i Akademisë në atë kohë… Objektivisht, nëse quhet Tribunal për Kosovën do të thotë për luftën çlirimtare të Kosovës, është një fyerje e madhe që i bëhet politikës në Kosovë. Por, politika në Kosovë nuk qan shumë kokën për fytyrë e për faqe. Po bëhet një e padrejtë ndaj atyre që kanë dhënë dhe kanë rrezikuar edhe jetën. Sepse nuk mbahet mend që për një luftë çlirimtare të imponuar, me një qëllim për shfarosjen e një etnie në Kosovë dhe të formohet Tribunal i veçantë, kudo qoftë për këtë është jo ‘konck out’, por një ‘knock down’ për politikën që e kemi pasur në Kosovë.

Express: Kujt i faturohet themelimi i Tribunalit?
N. Daci: Skenës politike në përgjithësi në Kosovë të pasluftës. Por, në veçanti kësaj pas shpalljes së pavarësisë. Por, një skajshmëri tjetër që i ngjan riciklimit të situatës është sjellja e profiterëve të politikës së paqes. Por, jo politikës kreative të paqes që kur nuk ke takat, që nuk ke kapacitet dhe nuk ke argumente për ta mundur një grupacion politik, atëherë, në Ballkan në përgjithësi tentohet me ia heq kokën. Sepse unë po e përcjell fushatën paraelektorale në Kosovë. Nuk ndjell mirë.

Express: Pse është Kosovë në prag të luftës? Nuk janë ta gatshëm qytetarët e Kosovës të ballafaqohen me të kaluarën apo?
N. Daci: Jo, skena politike është e tillë. Ndërsa, një pjesë e qytetarëve e kupton se për prononcimet dhe dokumentimet që i ka bërë Dick Maty duhet t’i jepet një përgjigje e kualifikuar, profesionale dhe politike. Por, brenda institucioneve që ka krijuar Kosova. Që mos të harrojmë se të gjithë jemi të pakënaqur me gjendjen në drejtësi në Kosovë. Por, duhet të ishe i verbër dhe mos t’i shohësh gjithë ato tentime, ose investime në përgjithësi në ngritjen e atyre kapaciteteve në drejtësi në Kosovë, duke filluar nga kapacitetet hapësinore, kadrovike, materiale në përmirësimin e rrogave, në trajnime dhe në shkollimin e kuadrit. Çdokush për mua është i verbër, nëse sheh vetëm zi, në një kamp ose mjedis, kur nuk i realizohet interesi i vet. Unë kam kaluar një rrugë të padrejtë në drejtësi në Kosovë, në drejtësinë e UNMIK’ut, por kurrë nuk e kam humbur besimin në institucionet që i kemi ndërtuar vetë. As në Policinë, as në TMK’në, as në FSK’në, as në ushtrinë e ardhshme. Por, duhet një rezonim shumë profesional, bile kisha me thënë shkencor, që ndryshimet kurrë nuk janë të shpejta aq sa të duhura që të kalohet prej një mjedisi, të themi shumë vulnerabël, në një mjedis si Europa Perëndimore ose Zvicra. Pritjet tona, siç duket, kanë qenë tepër të mëdha dhe tepër të shpejta në kohë. Prandaj, unë do t’i sugjeroja çdo njeri në Kosovë, çdo lideri në Kosovë, jo një refuzim të shtruarjes para një drejtësie, të një akuze ose aktakuze, por brenda sistemit të cilin e kemi ndërtuar me krejt botën, me krejt bashkësinë ndërkombëtare. Sepse sistemi i drejtësisë ka qenë për një kohë shumë të gjatë i udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare dhe tani është e ndihmuar nga bashkësia ndërkombëtare sepse e kemi EULEX’in për shumë vite. Nuk është e vërtetë se EULEX’it nuk ka bërë asgjë dhe nuk po bën asgjë.

Express: Mirëpo, rezultatet e EULEX’it nuk janë të prekshme. Ka shumë raporte që e qesin keq Kosovën në shumë fusha…
N. Daci: Sepse janë të pritshme. Ne kemi menduar dhe jemi rritur në një sistem që shpejt duhet me e zgjidh problemin e vrasjes, problemin e plaçkës. Ndërsa, demokracia, të cilën as unë nuk njoh mirë, edhe pse gati tërë jetën e kam kaluar në këtë sistem, kërkon kohë. Askush në Kosovë nuk mund të thotë në mënyrë absolute se është i kënaqur me kohën dhe punën e EULEX’it. Sepse po e shohim se një prokuror i EULEX’it, sot, është në Beograd. Ne duhet ta marrim shumë reale që krejt dynjaja nuk ka qenë miqësore me ne dhe se në botë ka edhe mendime tjetër fare. Prandaj, brenda sistemit të drejtësisë në Kosovë, me ekspertizën ndërkombëtare – EULEX apo diçka tjetër – mund t’i jep përgjigje çdo shqetësimi.

Express: Të kthehemi te zgjedhjet. Kur sipas jush duhet të mbahen zgjedhjet?
N. Daci: Për mua personalisht, asnjë frikë dhe asnjë dilemë nuk është se a do të mbahen në qershor apo në shtator. Për mua është problematike zhegitja dhe mos informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës. Në qoftë se dy parti të mëdha thonë se zgjedhjet mbahen në maj dhe në prapavijë mendojnë për dhjetor ose nëntor, kjo për mua e sforcon një riciklim i politikës të fundviteve të 90’ta dhe vitit 2000.

Express: Sa është e gatshme LDD të shkojë në zgjedhje?
N. Daci: Unë jam tepër i bindur se LDD shpirtërisht dhe politikisht kurrë nuk ka qenë më unike dhe e gatshme për zgjedhje. E kam filluar një tjetër rrugë qe një kohë të gjatë. Kryesia nuk i mbanë mbledhjet vetëm në seli. Mbledhjet i mbajnë nëpër Degë të caktuara për t’i informuar drejtë dhe burimisht me qëndrimet e LDD’së. Është dokumentuar se Kryetarët e Degëve kurrë nuk e kanë përcjellë tërësinë e asaj që e thotë Kryetari ose mendon Kryesia, por gjithmonë kanë qenë një miks i interesave të Kryetarit të Degës dhe animeve të tij. Tash, e shoh se ka shumë disponim pro LDD’së dhe jemi të përgatitur për zgjedhje. Për mua është më e rëndësishme për klimën që po krijohet sepse këto kërcënime dhe kjo sallamadi në subjektet politike, ku Kryetari i një subjekti politik deklaron diçka tjetër, një Kryetar Komune i asaj partie tjetër e deklaron krejt të kundërtën. Kjo e tregon se ne po e kuptojmë anarkinë në demokraci që nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë.

Haradinaj s’është frikacak

Express: Është krijuar një situatë e re pas deklaratave të zyrtarëve të AAK’së, të cilët e thanë se nuk shkojnë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me LDD’në….
N. Daci: Unë nuk do të komentoj këtë. Po ju them se LDD punon dhe i ka marrëveshjet me shkrim dhe është plotësisht transparente me mediat.

Express: Në marrëveshjen e prillit ku keni nënshkruar ju dhe Haradinaj specifikohet se ju shkoni në zgjedhjet nacionali si koalicion…
N. Daci: Dhe, është e nënshkruar. Dhe, në këtë zyrë, këtë vit, s’e besoj se i ka një muaj, ku kanë qenë krejt mediat, i kemi thënë mendimet se çka mendojnë dy liderët e dy subjekteve politike. Unë nuk kam asnjë koment tjetër. Nuk mendoj asnjë fjalë ta them. Por, në qoftë se lideri ose partneri ynë kryesor, sepse, Lideri i AAK’së është udhëheqës i atij koalicioni, ka mendim jashtë asaj që kemi nënshkruar, jashtë asaj që është deklaruar këtu, do ta mirëprisja me shumë qetësi, më shumë miqësi dhe pa asnjë kundërshti.

Express: Keni komunikuar dhe të ka thënë diçka z. Haradinaj për pozicionin e ri të AAK’së?
N. Daci: Jo.

Express: A po frikësohet AAK se nuk do ta kalojë pragun prej 7.5 përqind nëse shkon në zgjedhje si koalicion me LDD’në?
N. Daci: Unë mendoj se kjo nuk qëndron. Lideri i AAK’së në parim nuk është frikacak.

Express: Por, në zgjedhjet e fundit ka humbur Pejën, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën…
N. Daci: Po, por në zgjedhjet e fundit si vota kurrë nuk i ka pas më shumë AAK’ja. Afër 16 përqindëshi dhe ka dalë subjekti i tretë për nga numri i votave. Ka qenë një kontribut i caktuar edhe i LDD’së konform raporteve dhe marrëveshjes.

Express: Ende besoni se do të shkoni në zgjedhje në një listë me AAK’në?
N. Daci: Unë besoj në rrugën që jam nisur. Nëse më dalin pengesa shumë të forta në atë rrugë, unë nuk kam problem me vetveten sepse unë punoj në punë për një rezultat. Rezultati është transparent dhe gjithmonë kam zgjidhje në shkencë. Reaksionet e shkencës janë gjithmonë shumë të rrezikshme me eksplodime dhe me pasoja të rënda.

Mobi Casa

Express: Nëse jo me AAK’në çfarë eksperimenti do ta bënit?
N. Daci: Unë jam i përgatitur me LDD të hyjë në këto zgjedhje të fuqishëm.

Express: Edhe pa koalicione?
N. Daci: Si ta kërkoj koha edhe vetëm. Si ta kërkoj momenti edhe vetëm.

Express: Keni fol me LDK’në pas situatës së re të krijuar me AAK’në?
N. Daci: Unë, nuk i ndali kurrë kanalet e bisedave me miq të kaluar, me koleg të sotshëm që janë edhe në LDK. Por, ka edhe në parti tjera. LDD është shumë e hapur në konceptin e vet shtetëror, pro qytetarit, pro kthimit të një besimi në vetvete të shqiptarëve në Ballkan, në Kosovë po ashtu…. Preferoj që të formohen dy grupacione të mëdha politike, të cilat do të luftonin me program dhe me ofertë. Jo me mashtrime. Jo me shantazhime. Shikoni se çka i bëri Shqipëria vetvetes. U përlan në Bruksel. Disa subjekte politike u munduan të kundërshtojnë edhe hyrjen në NATO… Dhe e shtynë pa afat kandidaturën e Shqipërisë për në BE. Unë gjithmonë e kam thënë se Kosova është storje tjetër. Ka derdhur gjak dhe ka krijuar shumë miq në veçanti politika shumë largpamëse e Presidentit Rugova. Krejt dynjanë gati i kemi bërë miq. Presidenti Rugova dhe unë Francën e kemi kthyer pro Kosovës nëpërmjet gjeneralëve tëKFOR’it. Ju e dini se krejt historinë ka qenë pro Serbisë.

Express: A keni ende të hapur derën në LDK?
N. Daci: Unë besoj se në anëtarësi, jo vetëm se e kam derën e hapur, por ka qindra, e qindra mijëra biseda, telefonata dhe takime. Por, një gjë është shumë e sigurt se LDK i ka strukturat e veta, e ka interesin e vetë dhe unë nuk kërkoj kurrë që ajo me heq dorë prej parimeve të veta. Unë i kam shkuar një rruge tjetër dhe e kam biseduar edhe me partnerin tim. Kur kemi pirë kafe para një kohe me Liderin e LDK’së i kam thënë se grupacionet politike s’formohen me bunkerizime, se unë e dua vetëm këtë dhe asgjë tjetër. Por, duhet të shkohet për të realizuar një program pro shtetit, pro kombit dhe pro qytetarit. Kur të fitohen zgjedhjet ka gjithmonë kritere dhe standarde që fitorja të ndahet drejtësisht.

Express: Sa është e mundshme që juve dhe udhëheqësit e LDD’së t’i shohim në një listë zgjedhore bashkë me LDK’në?
N. Daci: Unë nuk e përjashtoj këtë mundësi praktike. As me AAK’në, as me LDK’në. Unë atë më të mirën dhe më të fuqishëm e kam dhënë në LDK. Atëherë kur askush nuk ka guxuar me i dalë përballë Fatmir Limajt dhe PDK’së, unë i kam thënë po e deponoj vetveten, i fitoj zgjedhjet por nuk dua të bëhem Kryetar Komune sepse jam Kryetar i Akademisë. Për mua më e rëndësishme ka qenë shkenca dhe kështu ka ndodhur. E kam pasur ofertën njëqind për qind për t’u bërë President i Kosovës. Ka dëshmitarë që kanë qenë në atë dhomë, njëri është në LDK, një është në LDD. Unë e them se Kosovës i duhet një formacion politik që i ofron një ofertë zhvillimore të krejt asaj që i mungon Kosovës. Nuk është e vërtetë se qeverisja aktuale në Kosovë s’ka bërë asgjë. Nuk është as vizioni im, as shikim im, në shumë momente e kam përkrahë pozitën dhe do ta përkrahi gjithmonë edhe bllokun opozitar që është me mua, kur punon për shtetin, kur punon për qytetarin.

Express: Si i shihni vendimet e fundit të Kryeministrit në njërën anë dhe heshtjen e opozitës në anën tjetër?
N. Daci: Për mua, për rezultatin aktual, Thaçi është lideri numër një në Kosovë. I pa konkurrencë në skenën politike. Unë e di që kjo nuk i pëlqen gjithkujt. Nuk ka qenë lehtë në Bruksel dhe në këtë e ke ndihmuar edhe AAK’ja sepse ka qenë në pyetje Kosova. Unë e kam përkrahë publikisht, kur krejt bota intelektuale kanë thënë që fusnota është e rrezikshme, unë kam thënë në punim shkencor fusnota tregon vetëm rrugën prej nga je nis, por nuk e konteston rezultatin e produktit. Prandaj, kurrë nuk kam pasur dilema a po më kritikon dikush apo jo. Fushata e fundit e është fushatë njëqindpërqind elektorale që është normale. A është e mençur dhe a mund t’i kthehet bumerang. Kjo varet prej kundërshtarëve politikë.

Express: Të cilët po qëndrojnë pasiv karshi vendimeve të Qeverisë?
N. Daci: Të cilët janë krejtësisht pasiv. Plotësisht pasiv. Në një moment kur të jepet shansi me qenë i vendosur në atë çka dëshiron subjekti politik, por rrugët për të arritur atë janë shkencore, në politikë edhe njerëzore. Në qoftë se ti fiksohesh se dua vetëm këtu dhe askënd s’e dua me vete, ti e ke të garantuar humbjen.

Express: Z. Haradinaj ka kërkuar të jetë vetëm Kryeministër?
N. Daci: Jo, kohëve të fundit, në biseda me mua, jo.

Express: E ka kuptuar realitetin?
N. Daci: E di realitetin, por e di se vizioni im, qasja ime nuk është tendencioze dhe sjell rezultate gjithmonë. Unë po ju them se me këtë qasje është i vetmi institucion që ka hyrë në Europë, në Federatën e Akademive të Shkencave të Europës dhe në të njëjtën ditë ka hyrë Akademia e Serbisë dhe e Kosovës… Shkenca kërkon zgjidhje të problemeve jo riciklim të probleme.

Express: Pra, sipas jush, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Albin Kurti nuk munden hiq t’i bëjnë konkurrencë Hashim Thaçit?
N. Daci: Individualisht me sjelljet e sodit, bindja ime mund të jetë njëqindpërqind e gabueshme, nuk mund t’i bëjnë konkurrencë. Shpeshherë ia ndihmojnë atë që synon Thaçi.

Express: A e keni opsion të shkoni në një listë me PDK’në në zgjedhjet e ardhshme?
N. Daci: Me një listë me PDK’në nuk shkoj. Nuk shkoj për asnjë dobi. Unë them se PDK ka shumë avancime kohëve të fundit e edhe në zgjedhjet lokale të fundit. Janë dëshmuar në poste ministrore dhe kanë qenë në dobi të PDK’së. Nuk mund të thuhet se PDK se është krejt është një ekip i rastësishëm i komandantëve. Nuk po bëj reklamë. Nuk shkoj kurrë në politikë me një grupacion me të cilin nuk më ka lidh e kaluara. As në shkencë, as në jetë. Por, kurdo që bën një vepër të mirë e që është e dobishme do t’i them po.

Express: Sa është i mundshëm një koalicion mes PDK’së dhe LDK’së ashtu siç kishte ndodhur dikur?
N. Daci: Mundet me shku sepse ka shku. Pas zgjedhjeve janë koalicionet e numrave të interesave individuale.Bile, bile ka aq struktura të fuqishme brenda LDK’së, nuk po them Kryetari, saqë edhe sot, kishin rënë në sexhde me u lutë me shku PDK’në në koalicion sepse kanë përfituar shumë individualisht.

Express: Jakup Krasniqi bashkë me Fatmir Limajn e kanë themeluar Nismën për Kosovën. Shumëkush po e sheh rrugën e tyre njësoj me fatin e juaj në politikë?
N. Daci: Nuk i del keq atëherë sepse në zgjedhjet e para nacionale i kemi fituar 12 deputetë dhe nja 5-6 na i kanë vjedh. Si ta kërkojnë fatin e LDD’së janë në kali, por ata i dinë punët e veta.

Express: Por, sot LDD nuk është në Kuvend….

N. Daci: LDD është përjashtuar me një marrëveshje mes të partive politike kryesore dhe një faktori jashtë tyre. Për më pak se gjashtë muaj në Kosovë a është mundshme të humben 50 mijë vota. Ajo vjedhja industriale që ka qenë që tash po e pranojnë edhe udhëheqësit që kanë qenë në institucione, mua nuk më ka dekurajuar asnjëherë. Unë s’kam lindur me qenë prijës i pushtetit. Në Universiteti kurrë s’kam qenë prodekan, as dekan, as rektor. E di që është lëvdatë, porjam i pari në të gjitha aspektet nga lëmi që i takoj.

Express: Shumëkush këtë vetëvlerësimin tuaj, këtë egoizmin tuaj e ka parë si faktor që ka humbur LDD’ja?
N. Daci: Në parim, në Ballkan thonë të gjithë jemi të barabartë. Po, para zotit, unë them, po, dhe kur lindim po. Edhe ndoshta në atë dynja. Në jetë askush me askënd nuk është i barabartë. Por, maten rezultatet. Le të del një njeri në botën shqiptare në lëmin time dhe t’i krahason rezultatet.

Express: Por, në politikë jo?
N. Daci: Në politikë nuk thashë. Unë po kërkoj falje. Kam ndërtuar institut në kohën kur Universiteti as tullë s’ka vënë. Më kanë thënë se ky është i çmendur. Ata që kanë thënë se është budalla janë kalbur në barake dhe asgjë s’kanë bërë. Të njëjtën gjë më kanë thënë kur e kam renovuar Parlamentin dhe tash s’po donë me dalë as me tritol prej tij. Unë jam shumë i hapur me kritiku vetveten për atë që s’jam kompetent. Unë kam shkuar në politikë prej Kryetarit të Akademisë i zgjedhur me vota të fshehta pa asnjë kundër. Dhe, nuk kam ardhur prej Kryetarit të Parlamentit me u ba Kryetar i Akademisë siç e ka thënë një lloj akademiku i famshëm.