Fundamenti

Botohet libri monografik “Xhamia Ebu Bekës Es – Sidik” në Preshevë…

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga bashkautorët Hoxhë Sevdail Jakupi dhe Besame Jakupi u botua libri i karakterit monografik për xhaminë e re të Preshevës “Ebu Bekër Es-Sidik”.

Kjo monografi është përgatitur për shtyp nga Këshilli i xhamisë, ndërsa është botuar me shb “Lena” Prishtinë, 2021.

Brendia e librit shoqërohet me materiale lidhur me 15 vjetorin e fillimit të funksionimit të
xhamisë dhe me mbi 170 fotografi kolor.

Lidhur me vlerën e librit shkruan në parathënien e librit, redaktori, shkrimtari Bilall Maliqi:
MONOGRAFI E VEÇANTË ME FOTOGRAFI DHE FJALË…
Fjala Monografi, rrjedh prej fjalës së vjetër greke e cila d.m.th.: debat shkencor, që merret hollësisht me një lëndë; shkencë apo të personave, gjegjësisht ngjarjeve historike, studim shkencor, i gjerë e i hollësishëm, që trajton një çështje a një temë të veçantë: monografi gjuhësore, etj., por monografitë shkruhen edhe për objekte të vjetra fetare dhe të atyre që janë ndërtuar më vonë, por që në këtë rast luajnë rol kyç në tubimin e shqiptarëve të konfesionit islam për t’i kryer ritualet të përditshme fetare, të cilat janë të lidhura shpirtërisht me Zotin e Madhëruar.

Duhet ditur mirë se në kohët më të vështira për popullin shqiptar, xhamitë kanë qenë objekte për tubime të ndryshme kulturore, për mësim si fetar po ashtu edhe shkollor, dhe kanë luajtur rolin kyç në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe fetar në përgjithësi, prandaj ndërtimi i një xhamie në ndonjë lokalitet (që vërtetë ka nevojë) është i mirëseardhur për atë qytet, meqenëse aty tubohen besimtarët tanë dhe me dëgjimin e ligjëratave fetare të hoxhallarëve tanë, sheshojnë parimin e drejtësisë, së mirës respektit, humanitetit dhe forcimin e vëllazërimit ndër shqiptarët besimtarë, prandaj edhe botimet e librave e monografive të ndryshme të karakterit moralizues fetarë japin efektin pozitiv në shoqërinë tonë.

Ndërtimi i Xhamisë, domosdoshmëri…
Ishte viti 2006, kur veç filloi të thirret për herë të parë ezani në këtë xhami të nisur për ndërtim, në një objekt fetar të papërfunduar, por që falja e namazit dhe lutjeve u kryenin po në këtë vend, pra në këtë pjesë të qytetit të zgjeruar me popullatë dhe se ishte e nevojshme të niset ndërtimi i këtij objekti fetar, në mënyrë që besimtarët e kësaj pjese të qytetit t’i kryejnë ritualet fetare në mënyrë sa më komode dhe kjo ndodhi, falë
donatorëve, vullnetmirëve, të atyre besimtarëve të devotshëm që në një afat të shkurtër arritën që ta përfundojnë objektin e xhamisë, një xhami bukuroshe, me të cilën është zbukuruar qyteti ynë.

Shkrimin tim do ta vazhdoj me këtë thënie interesante, mbase edhe të qëlluar enkas për këtë libër:

Kush ndërton një xhami, duke e kërkuar kënaqësinë e Allahut, Allahu ia ndërton atij një të ngjashme ne Xhennet". (Buhariu dhe Muslimi).

Pra, të gjithë këta njerëz, e që nuk janë të paktë, me kontributin e tyre, që nga gurthemeli i nisjes së ndërtimit të xhamisë e deri në fazën finale, asnjëherë s’u ndalën së kontribuuari për xhaminë e tyre, për xhaminë tonë dhe për xhaminë e të gjithë besimtarëve, e që vërtetë kjo xhami jep një pasqyrë bukurie për qytetin tonë të populluar me mbi 97% me shqiptarë të besimit myslimanë.

Mobi Casa

Të gjithë këta, padyshim se Zoti i Madhërishëm do t’i shpërblejë me të gjitha të mirat.
15 vjet funksionim…!

Xhamia “Ebu Bekër Es-Sidik” në Preshevë, tanimë ka 15 vjet që funksionon shkëlqyeshëm, në suaza të mirësjelljes së imamit të parë dhe të vetëm të kësaj xhamie, hoxhë Sevdail Jakupi, i cili ka dhënë kontributin e tij të pashoq, si në ligjëratat e tij të kuptueshme dhe të kapshme për secilën shtresë të shoqërisë, por edhe me kulturën dhe afërsinë e tij me të gjithë besimtarët, sigurisht se nuk duhet anashkaluar edhe të zgjedhurit e Këshillit të xhamisë, lindja e parë e deri më tani, brenda saj ka një rregull që e bënë këtë objekt fetar të veçantë dhe të dëshiruar për kryerje të ritualeve fetare, por edhe për vizita të të interesuarve.

Çfarë fshihet brenda kësaj monografie?
Brendia e Monografisë shoqërohet me tema dhe kapituj të ndryshëm, që nga nisja (gurthemeli) i ndërtimit të xhamisë, duke ecur kështu nëpër etapa kohore të mbarëvajtjes së punëve, të cilat ishin me dinamikë të shtuar, sepse vullneti i kontribuuesve ishte i madh, prandaj edhe punët shkonin mirë, mandej, së lexuari të kësaj monografie, para nesh del një tabllo shumë reale e përshkrimit të punëve në dritën e shifrave dhe të fakteve, gjë që e bën interesant, siç e bëjnë interesante dhe më tërheqëse edhe fotografitë kolor që e kompletojnë këtë vepër me peshë dhe me vlerë.

Autorët e librit, lëndën e ka shkrirë nëpër tituj përkatës, me të dhëna të sakta, duke përshkruar xhaminë, brendinë e saj, pamjen e jashtme, si dhe objektet përcjellëse, jashtë xhamisë, deri te finalizimi i saj, për ta përfunduar me mendimet dhe mbresat e njerëzve që i kanë shkruar e që autori i ka futur brenda kopertinave të librit.

Monografia me titull “Xhamia Ebu Bekër Es-Sidik” në Preshevë, i autorëve Sevdail Jakupi dhe Besame Jakupi, nuk mëton të jetë monografi shkencore, por, ngërthen në vete materiale të thukëta të një periudhe pesëmbëdhjetë vjeçare, të cilat ka ditur t’i sistemojë dhe t’u japë, si rëndësi, po ashtu edhe vlerë.

Ky libër, është një letërnjoftim kujtese dhe rikujtuese si për lexuesit, po ashtu edhe për vizitorët e mundshëm, të cilët posa ta lexojnë librin me fotografitë shoqëruese, (142 sosh), do ta vizitojnë me dashuri xhaminë dhe do të mishërohen me të.

Në të ardhmen presim të vazhdohen edhe më tutje shkrime të ndryshme për xhaminë, pse jo edhe vazhdimi i kësaj monografie (pjesa e dytë), në të cilën do të ketë edhe shkrime të tjera të këtij karakteri, pse jo edhe të studiuesve të tjerë.

Librit udhëtim të mbarë deri te lexuesi, ndërsa autorëve të librit, shëndet dhe suksese të mëtutjeshme në lëmin e krijimtarisë së fushës përkatëse…/rajonipress/