RCCOLA

Berisha: Gratë kërkojnë aleancë me mediat për të përmirësuar barazinë gjinore

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ), ka diskutuar të hënën për perspektivën gjinore në media, duke kërkuar nga mjetet e informacionit që të jenë aleatë më të fuqishëm me gratë, jo vetëm në politikë dhe vendimmarrje, por edhe në biznes dhe lëmenjtë tjerë, ku gruaja është e suksesshme. Gjylshene Berisha, kryesuese e KBGJ, ka thënë se roli i medias në një shoqëri demokratike është i pazëvendësueshëm. Mediat mund të ndihmojë shumë në promovimin e grave të suksesshme, përkatësisht në afirmimin e sukseseve të tyre, nëse hapësirën e tyre e ndajnë në mënyrë të barabartë, ka thënë ajo.

Për fat të keq, ka thënë ajo, burrat dominojnë ende jo vetëm në politikë-bërje, në vendimmarrje, në kulturë, sport e gjetiu, po edhe në media. Hulumtimet kanë treguar se mediat që drejtohen nga gratë, u kanë dhënë më shumë hapësirë grave. Ato që drejtohen nga burrat, janë treguar më të kufizuara.

Sa i përket kuotës së përfaqësimit të grave në vendimmarrje, Berisha ka thënë se 30 përqindëshi nuk siguron barazi në përfshirje. Formula e përfaqësimit “dy burra, një grua” duhet të ndryshohet. Nëse formulat janë të domosdoshme në politikë-bërje dhe vendimmarrje, atëherë duhet të zbatohet raporti 50 me 50. Mundësia duhet të jetë e barabartë, ndërsa konkurrenca duhet t`i nxjerrë më të mirët, pavarësisht nëse janë burra ose gra.

Vendosja e kriterit të meritës dhe e vlerave e bën më të dinjitetshme pozitën e gruas dhe njëherësh e bën të panevojshëm falënderimin për burrat, ka thënë ajo.

Gjilani e ka tejkaluar kuotën e përfaqësimit të grave. Kuvendi Komunal ka më shumë se 30 për qind gra, saktësisht 38 për qind, ose 13 nga numri i përgjithshëm prej 35 anëtarëve. Sipas një analize të shoqërisë civile, gratë kuvendare janë treguar mjaft aktive, por kanë qenë më pak aktive se meshkujt.

Ndërkaq në ekzekutiv, gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet. “Do të donim të kishte më shumë barazi edhe këtu”, ka thënë Berisha.

Ajo ka inkurajuar gratë që të jenë më aktive dhe të bëhen pjesë e debatit, aty ku marrin pjesë, sepse nuk mjafton vetëm pjesëmarrja fizike.

Mobi Casa

Përndryshe, KBGJ ka bërë një punë të mirë në afirmimin e rolit të gruas në shoqëri. Me këtë dinamikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Sabri Rexhepi ka thënë se gruaja nuk duhet të pres prej dikujt tjetër që t`ia sigurojë barazinë, por duhet jetë vetë më aktive. Sipas tij, kuota ka krijuar mundësi të përfitojnë edhe gra pasive.

Renan Imam mendon se pa kuotë, gratë nuk do të arrinin më shumë se 3-4 vende në asamblenë komunale, ndërsa tani i kanë 13 nga gjithsej 35. Kurse Xhyzide Ismajli ka thënë se Gjilani ka femra që mund të udhëheqin jo vetëm drejtori, por edhe institucione të tjera.

Burim Elezi, zyrtar për integrime evropiane, ka thënë se historikisht gratë janë treguar të afta të udhëheqin procese të rëndësishme. Sipas tij, grave duhet krijuar hapësirë të barabartë për konkurrencë, sepse kuota nuk siguron përfaqësim cilësor.

Ndërkaq, sa i përket emërtimeve të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve, Gjylshene Berisha ka thënë se komisioni ka përfunduar punën e tij dhe është shprehur e kënaqur me respektimin e kriterit gjinor, duke nënvizuar se 120 rrugë, sheshe e bulevarde do të mbajnë emra femrash.

Ajo ka thënë se deri tani, emra të femrave kanë pasur vetëm 11 rrugë. Për këtë arsye, KBGJ kishte kërkuar nga komisioni që të merr në konsideratë më shumë emra të femrave, gjatë procesit të emërtimit të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve dhe kjo është përfillur aq sa ka qenë e mundur. Berisha tha se në fshatra kanë munguar propozimet./rajonipress/