RCCOLA

UKZ dhe Komuna e Gjilanit diskutojnë për ndërtimin e kampusit universitar

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi si dhe kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni më bashkëpunëtorë, kanë vizituar sot lokacionin i cili është i përshtatshëm për krijimin e hapësirës për ndërtimin e kampusit universitar.

Pas shikimit të vendit në teren, lokacioni më i përshtatshëm i kampusit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” është propozuar të jetë hapësira që gjendet në pjesën jugore të qyteti të Gjilanit, respektivisht hapësira afër tregut të veturave, në afërsi të dy hyrjeve kryesore në qytet- Prishtinës dhe Ferizajt, që lidhë Luginën e Preshevës në anën lindore.

Lokacioni i propozuar nga Hyseni, është parë si mundësi e mirë për ndërtimin e hapësirave të reja të kampusit.

Fundamenti

Me këtë rast, rektori Bajram Kosumi e falënderoi kryetarin e Komunës Alban Hyseni për angazhimin e tij në gjetjen e hapësirës për kampusin e universitetit dhe theksoi se ndërtimi i Kampusit të UKZ-së ka për qëllim përmirësimin e kualitetit të studimeve përmes sigurimit të hapësirave adekuate, bashkëkohore universitare për akomodimin e studentëve në një kampus universitar me hapësirë publike të hapur për të gjithë.

Ndërtimi i kampusit do të krijojë mundësi për zhvillimin dhe ndërtimin e hapësirave bashkëkohore për edukimin universitar në harmoni me kërkesat e reja të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në Republikën e Kosovës. Do të krijojë një mjedis të ri i cili përveç studimeve universitare, do të ofrojë edhe një vlerë të shtuar në pikëpamje shoqërore dhe kulturore për qytetin e Gjilanit e më gjerë dhe i cili do të jetë i qasshëm për të gjithë studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka”./rajonipress/