Mobi Casa

Bekim Çollaku: Do ta sigurojmë kthimin e shpejtë të atyre që janë nëpër kampe

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Një nga prioritetet e Ministrisë së Integrimeve Evropiane për këtë vit është Marrëveshja për Stabilizim Asociim e cila pritet të nënshkruhet gjatë këtij vitit. Marrëveshja do të konkretizoi obligimet e Kosovës për reformat që duhet të ndërmarr në vazhdim, dhe nga ana tjetër ky dokument ligjor do të përshkruaj obligimet e BE-së për anëtarësimin e vendit në momentin që të jemi gati. Kështu është shprehur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në një intervistë dhënë Gazetës Tribuna. Ministri ka folur edhe për migrimin ilegal ku ka thënë se ai padyshim se nuk ndihmon, por nuk e rrezikon të gjithë punën e bërë deri më tani drejtë integrimit të vendit.

z. Ministër, gjatë mbledhjes së Këshillit kombëtar për integrime, ju para dy dite keni folur për perspektivën evropiane të Kosovës. Si mund të sigurohet kjo perspektivë në kohën kur dhjetëra qytetarë po e braktisin për çdo natë vendin?

Bekim Çollaku: Kosova e ka perspektivën evropiane sikur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe e vetmja e ardhme që e pret vendin tonë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit të së martës të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, ku jam paraqitur për herë të parë si Ministër për Integrim Evropian, përveç temës së ditës që ka qenë migrimi i parregullt, kam folur edhe për prioritetet e përgjithshme të agjendës së integrimit. Një nga këto prioritete është Marrëveshja për Stabilizim Asociim të cilën do ta nënshkruajmë këtë vit, e cila do të konkretizoj obligimet e Kosovës për reformat që duhet të ndërmarrim në vazhdim, dhe nga ana tjetër ky dokument ligjor do të përshkruaj obligimet e BE-së për anëtarësimin e vendit në momentin që të jemi gati. Kjo është një hap i madh, dhe definues në historinë tonë procesit të integrimit dhe për të siguruar këtë perspektivë. Çështja e migrimit, sado e dhimbshme që është, është e ndarë nga kjo, dhe aty kemi të bëjmë me një trend afatshkurtër të cilin do ta zvogëlojmë. Migrimi padyshim se nuk ndihmon, por nuk e rrezikon të gjithë punën e bërë deri më tani drejt integrimit të vendit.

Si ministër, çfarë hapash keni në plan të ndërmerrni për t’i bindur qytetarët se perspektivën e kanë në vendin e tyre?

Bekim Çollaku: Sigurisht se çfarë do të bëjë është të shfrytëzoj të gjitha mundësitë sikur kjo intervistë që t’iu bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që të mendojnë dy here para se të marrin rrugën për të migruar në Evropë. Të mendojnë dhe të mos ua falin djersën e gjeneratave të tëra kriminelëve dhe trafikantëve këtu, në Suboticë apo kudo që ata janë. Kosova ka kaluar në kohë shumë më të vështira dhe është sidoqoftë mjaft e çuditshme që njerëzit po bëjnë këso zgjidhjesh sot. Edhe pse i di dhe i kuptoj vështirësitë ekonomike e sociale, përgjigja nuk është azili.

Sigurisht ne do t’i përforcojmë aktivitetet informuese, do t’i ofrohemi më shumë qytetarëve, sidomos atyre që janë më shumë të rrezikuar nga ky fenomen. Në Këshill se të gjithë kanë kontribuar mirë me ide të ndryshme për ato se çfarë mund të bëhet. Kjo nuk është betejë e një Ministri, apo një Ministrie, por e të gjithëve. Ne na duhet një përgjigje e koordinuar e të gjitha institucioneve, por edhe e gjithë shoqërisë më gjerë. Shtyllat e veprimit do të jenë, puna e përbashkët, fokusi në ngritjen e mëtejme të vetëdijesimit për rreziqet dhe dëmet e migrimit, vazhdimi i luftimit të grupeve kriminele që po e promovojnë dhe organizojnë migrimin, fokusi në përmirësimin e kushteve ekonomike dhe shtimin e mundësive të punësimit, si dhe bashkëpunimi edhe më e ngushtë me BE-në dhe vendet anëtare.

Uji Dea

A planifikoni ta vizitoni ndonjë qendër të regjistrimit të azilantëve nga Kosova?

Bekim Ҫollaku: Gjithsesi planifikoj që së bashku me kolegët nga Qeveria të bëjmë vizita në vendet ku ka pasur fluks më të madh të bashkëqytetarëve që po kërkojnë azil në mënyrë që me autoritetet e atjeshme të diskutojmë se si t’i zvogëlojmë faktorët tërheqës nga ana e këtyre vendeve dhe për të siguruar kthimin e shpejtë të qytetarëve që po qëndrojnë atje. Në këto vizita do të mundohemi që të shohim dhe komunikojmë drejtpërdrejtë qytetarët tanë në këto qendra të azilit.
Por e dimë mirë se në çfarë kushtesh ata jetojnë aty, në baza ditore po pranojmë informacione nga ambasadat e Republikës se Kosovës, përshkrime e incizime që edhe po publikohen dhe i gjithë opinioni po e sheh se me çfarë kushtesh të vështira po mbahen bashkëqytetarët. Është e qartë që ata duhet kthyer në shtëpitë e veta dhe të gjithë ata që kanë nevoja do ta kenë përkujdesjen e nevojshme institucionale për një riintegrim të shpejtë.

Sa janë gjasat që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm brenda këtij viti?

Bekim Ҫollaku: Ajo çfarë po bëjmë ne, është që të sigurohemi që i kemi përmbushur kushtet që BE i ka vënë në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të kemi përkushtimin maksimal të luftimit të migrimit të parregullt. Këto janë përgjegjësitë tona dhe këtë do ta bëjmë këtë vit. Por është BE që e bën vlerësimin e reformave vendos datën përfundimtare, andaj nuk është e imja që të flas në emër të BE-së. Sapo të kemi përmbushur kushtet, dhe sa më shpejt që të jetë e qartë që nuk ka rrezik të madh për BE-në për ndonjë barrë të madhe me Azilkërkues nga Kosova ky proces do të përmbyllet shumë shpejtë..

Kur e shihni Kosovën, pjesë të BE-së?

Bekim Çollaku: Nuk besoj se ndihmon procesit nëse i vejmë një datë apo afat të anëtarësimit, kur e dimë që do të duhet edhe shumë punë e reforma të thella për ta arritur këtë qëllim. Më e dobishme për ne është që ta përqendrojmë debatin mbi reformat që duhemi ti ndërmarrim, si p.sh në fushën e sundimit të ligjit, të qeverisjes ekonomike dhe administratës publike. Ju sigurisht e dini që presidenti i ri Komisionit Evropian ka thënë që nuk do të ketë edhe një zgjerim në pesë vitet e ardhshme. Por kjo nuk do të thotë se do të pauzojmë, përkundrazi do të fokusohemi në veprimet tona që do ta sjellin vendin drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian./Gazeta Tribuna/