ARKATANA

Barrë e padurueshme (Prozë poetike)

/ 1 minutë lexim
FIDANISHTJA

Më kanë ngarkuar me peshën e një barre të padurueshme, të cilën as e sheh, as e ndien kush.

Thonë se paskam mëkatuar, se me ditë të tëra paskam dashur të orientohem humbëtirës përmes yllit tim.

Mandej, disi paskam ikur nga vetja e, lidhur me zinxhir prej kashte, paskam bekuar çdo mëkat që mund të shkruhet në pentagramin e shpirtit të zemrës.

Kam lavdëruar, apo jo përbuzjen e së përditshmes sonë të hallakatur, që na është bërë si halë në trurin tonë të vogël.

ARKATANA

Edhe ky shesh me gurë, pa njerëz të devotshëm, është peizazh i pushtimit tonë nga vetvetja.

Në ferrin tim nuk ka vend për ferre të tjera, madje nuk e ndiej as mungesën e parajsës, sepse ajo do të tallej me mëshirë prej xhelati e me përbuzjen e së përkryerës tek ai njeriu i harruar, që kaherë është dukur në stërkalat, që sikur janë duke na u bërë akull në zemër e në tru?

Ramadan Mehmeti