Mobi Casa

Kamenica avancon me mësimin tërëditor, mbahet punëtori profesionale me ekspertë të arsimit

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Kamenicë – Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë, është mbajtur sot punëtoria profesionale për organizimin e mësimit tërëditor në shkollat e komunës, një nismë që synon përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e nxënësve.

Në këtë aktivitet morën pjesë stafi profesional i DKA-së, përfaqësues të kolektiveve arsimore, ekspertë të fushës së arsimit dhe grupe të tjera të interesit, të cilët diskutuan mbi organizimin dhe zbatimin e modelit të mësimit tërëditor në shkollat e Komunës së Kamenicës.

Punëtorinë e vizitoi edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili u njoh nga afër me punën dhe diskutimet që po zhvilloheshin gjatë këtij takimi profesional.

Me këtë rast, Rahimaj falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në realizimin e procesit të mësimit tërëditor, duke theksuar rëndësinë e kësaj reforme për të ardhmen e arsimit në komunë.

Ai tha se mësimi tërëditor nuk nënkupton vetëm zgjatjen e orarit mësimor, por përfaqëson një qasje të re dhe moderne ndaj edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve.

“Mësimi tërëditor u ofron nxënësve më shumë mundësi për të mësuar, për të zhvilluar talentet e tyre dhe për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme edukative, kulturore dhe sportive”, theksoi Rahimaj.

FIDANISHTJA

Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selami Klaiqi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e tyre në këtë proces.

“Si DKA mbetemi të përkushtuar që të mbështesim iniciativat që rrisin cilësinë e mësimdhënies dhe që krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit”, deklaroi Klaiqi.

Gjatë punëtorisë u prezantua edhe Plani Strategjik për mësimin tërëditor në shkollat fillore të Komunës së Kamenicës. Të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë perspektiva profesionale, shkencore dhe praktike nga njohës dhe ekspertë të arsimit.

Kontribut të veçantë në këtë diskutim dhanë ekspertët nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, Osman Buleshkaj dhe Selim Mehmeti, si dhe profesoresha universitare Tringa Dedi. Po ashtu, përvojën e tij në zbatimin e mësimit tërëditor e ndau edhe Liridon Maliqi, drejtori i shkollës Shkolla Qamil Batalli, ku ky model tashmë është në funksion.

Organizatorët vlerësuan se kjo punëtori përbën një hap të rëndësishëm dhe konkret drejt realizimit të mësimit tërëditor në Kamenicë, duke krijuar bazat për një sistem arsimor më cilësor dhe më gjithëpërfshirës për nxënësit e komunës./rajonipress/