Bardhi: Kemi marrë pikë ndaj Italisë e Anglisë, pse jo edhe ndaj Belgjikës

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll, është gati për një nga sfidat më të vështira në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, njofton Telegrafi.
Maqedonia e Veriut do të përballet me Belgjikën, skuadër e renditur ndër më të mirat në botë, në një ndeshje ku synohet befasia.
Pas katër pikëve të fituara në dy ndeshjet e para të këtij cikli (një fitore dhe një barazim), atmosfera në kampin kuqe-verdhë është pozitive.
Para duelit me Belgjikën, përveç përzgjedhësit Bllagoja Milevski, para gazetarëve ka folur edhe kapiteni Enis Bardhi, i cili u shpreh me tone optimiste.
“Besoj se jemi të përgatitur për një kundërshtar të kalibrit të lartë si Belgjika. E dimë sa shumë vlen kur luajmë në shtëpi dhe secili prej nesh duhet të marrë përgjegjësinë që i takon. Kemi treguar edhe më parë se këtu, në shtëpinë tonë, nuk është aspak e lehtë të fitosh – kemi marrë pikë ndaj Italisë e Anglisë. Nëse japim maksimumin, nuk është e pamundur të dalim me rezultat pozitiv.”
Kapiteni shtoi se, edhe pse Belgjika është favorite në letër, në futboll befasitë janë gjithmonë të mundshme.
“Kemi cilësi, shumë prej lojtarëve tanë luajnë në kampionate të forta evropiane. Kemi përvojë dhe infrastrukturën për sukses, por e rëndësishme është që çdo lojtar të besojë. Para tifozëve tanë duhet të luftojmë për një rezultat të madh. Kur kemi qenë të bashkuar si ekip, kemi arritur rezultate të mira – dhe nuk shoh asnjë arsye pse të mos e bëjmë sërish.”
Në stadium pritet një mbështetje e konsiderueshme nga tifozët vendas, të cilët do të jenë një shtysë shtesë. Pas përballjes me Belgjikën, Maqedonia nuk do të ketë kohë për pushim, pasi të hënën e pret edhe një tjetër sfidë – ajo ndaj Kazakistanit. /Telegrafi/