Azemi: Terri nuk vjen nga mungesa e dritës, por nga heshtja e atyre që e shohin dështimin e zgjedhin të mos flasin

Gjilan – Në Gjilan nuk po ndodh thjesht një keqqeverisje, po ndodh një shuarje e ngadaltë e shpresës, një zëvendësim i arsyes me interesa, një dorëzim i qytetarëve ndaj pushtetit që nuk jep llogari, por kërkon besnikëri verbërisht. Mos u mashtroni me dreka e darka, me buzëqeshje, subvencione e favore të vogla ka shkruar Ardian Azemi nga AAK.
Postimi i plotë:
Kur njeriu e shet vetveten për pak,
nuk mbetet më asgjë për t’u mbrojtur nga padrejtësia. E dhimbshme me pa alamet shoqate, organizate, veterani etj, duke u servilosur ndaj pushtetit. Për gjynah!
Gjilani nuk është thjesht një qytet i harruar.
Është pasqyra më e qartë e dështimit politik të epokës që jetojmë. Kush e sheh këtë realitet e zgjedh të heshtë, bëhet pjesë e kësaj errësire.
Pak para zgjedhjeve hapen gropa. Jo për të ndërtuar, por për të mashtruar. Të hapura si plagët që pushteti ua la qytetarëve për katër vite rresht.
E verës, kur mërgimtarët tanë vijnë, do ta shohim më qartë turpin që është mbuluar vetëm me zhavor mes rrugësh.
Vetëvendosja në Gjilan nuk e meriton të jetë as në Kuvendin Komunal, e lëre më ta udhëheqë komunën. Kushdo që i shtrin dorën këtij pushteti, qoftë para apo pas zgjedhjeve, është bashkëpunëtor i së keqes, i shtyrë vetëm nga interesi personal.
Gjilani meriton udhëheqës të përgjegjshëm dhe që vërtetë e duan!