Uji Dea

Asociacioni nuk është “Zajednicë”: Ja 20 argumente

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Qeveria e Kosovës e quan Asociacion të komunave me shumicë serbe, kurse opozita e quan “Zajdenicë”. Por, këtu nuk përfundojnë kundërthëniet ndërmjet pozitës dhe opozitës, sepse kjo është vetëm pikënisja e kundërshtimit të opozitës.Deri më sot kundërshtimet ndërmjet dy palëve janë reduktuar në disa fjali dhe rrallëherë ka pasur ballafaqim të argumenteve të mirëfillta.

Qeveria e Kosovës, Asociacionin e ka përshkruar si mjetin e vetëm për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, derisa opozita si mjetin e vetëm për futjen e Serbisë brenda Kosovës. Polarizime krejtësisht të kundërta, pa asnjë ballafaqim në Kuvendin e Kosovëstransmeton Republika.info..

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, edhe vetë presidenti Obama i kishte dhënë mbështetje kësaj marrëveshje. E të njëjtën përkrahje e kishte rishprehur edhe sekretari amerikan, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Në vazhdim, Republika.info sjell 20 argumente pse Asociacioni nuk është “Zajednicë”:

1. Marrëveshja për Asociacionin do të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit. Ky është parakushti i funksionalizimit të tij.

2. Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Sipas marrëveshjes, Asociacioni nuk mund të marrë vendime për komunat dhe as në emër të komunave anëtare të saj.

3. Asociacioni nuk do të ketë shërbyes civil, siç janë punonjësit e institucioneve të Kosovës në nivel qendror dhe lokal.

4. Asociacioni nuk mund të ofrojë shërbime për qytetarët. Pra, nuk ka kompetenca të ndonjë komune apo të një bashkie. Shërbime mund të ofrojnë vetëm komunat anëtare të saj.

5. Serbia ka pranuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të themelohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

6. Asociacioni nuk do të jetë organizatë buxhetore e Republikës së Kosovës. Do të thotë, Asociacioni nuk merr buxhet nga shteti i Kosovës. Ai mund të përfitojë nga financimi i brendshëm dhe i jashtëm, njëjtë siç mund të përfitojë edhe Asociacioni ekzistues i komunave të Kosovës.

7. Asociacioni do t’i nënshtrohet ligjeve të auditimit dhe prokurimit të Republikës së Kosovës dhe çdo financim dhe shpenzim i saj do të jetë në kuadër të dispozitave të legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës.

8. Asociacioni nuk ka karakter një etnik, siç po pretendohet nga subjektet politike opozitare. Në komunën e Mitrovicës, Graqanicës etj, përveç serbëve jeton edhe komuniteti shqiptarë dhe komunitete të tjera. Në bazë të të dhënave zyrtare, në këto komuna jetojnë dhe përfaqësohen edhe rreth 15 për qind komunitete të tjera (Pjesëtarë të komunitetit shumicë, pra shqiptarë dhe komunitete tjera).

Mobi Casa

9. Karakteri shumetnik i këtyre komunave do të reflektojë edhe në strukturat e Asociacionit. Kështu edhe simbolet e tij do të jenë në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe do të reflektojnë karakterin shumetnik të tij. Me këtë përjashtohet mundësia që Asociacioni të vendos flamuj të shteteve të tjera fqinje.

10. Autoriteti publik është Qeveria e Republikës së Kosovës apo komunat në mënyrë të ndarë, varësisht nga lloji i kompetencave publike dhe jo Asocioacioni i komunave me shumicë serbe.

11. Asnjë vendim i Asociacionit nuk mund të jetë i obligueshëm për komunat anëtare të saj. Pra, Asociacioni nuk mund t’i obligojë komunat që t’i implementojnë vendimet që i merr.

12. Anëtarësimi i komunave në Asociacion bëhet vetëm në baza vullnetare. Pra, është në përputhshmëri me Kartën Evropiane për qeverisjen lokale.

13. Asociacioni nuk do të ketë asnjë rol në menaxhimin e pasurisë dhe resurseve natyrore të Kosovës.

14. Asociacioni përfaqësohet nga organet e tij brenda dhe jashtë Kosovës, njëjtë sikurse përfaqësohet edhe Asociacioni ekzistues, në pajtim me ligjet e Kosovës.

15. Sipas marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe, dekreti i Qeverisë me të cilin themelohet Asociacioni duhet të rishikohet nga Gjykata Kushtetuese (procesi ekzistues). Çdo ndryshim i statutit të Asociacionit duhet të miratohet me dekret nga Qeveria e Kosovës dhe të rishikohet nga Gjykata Kushtetuese.

16. Asociacioni i komunave serbe nuk ka më shumë kompetenca se Asociacioni i komunave të Kosovës. Edhe Asociacioni i komunave të Kosovës është subjekt juridik, i ka organet e veta, që përfshinë Kuvendin, Këshillin dhe Bordin, ka pronë të vetën, gjë që nuk përmendet në marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe dhe ka simbolet e veta. Përveç kësaj, statuti i Asociacionit të komunave të Kosovës miratohet, ndryshohet dhe plotësohet nga vetë Kuvendi i këtij Asociacioni pa asnjë përfshirje të Qeverisë.

17. Për dallim prej kësaj, statuti i Asociacionit të komunave serbe mund të ndryshohet vetëm nëse këtë e dekreton Qeveria e Kosovës dhe nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se statuti është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Me këtë, mekanizmat e mbikëqyrjes juridike nga Qeveria e Kosovës janë shumë më të mëdha për Asociacionin e komunave serbe, se që janë për Asociacionin e komunave të Kosovës.

18. Pa marrë parasysh veprimet ligjore që Qeveria e Kosovës mund të ndërmerr kundër Asociacionit, qeveria gjithmonë ka mundësinë e marrjes së veprimeve ligjore kundër komunave që janë pjesë e Asociacionit nëse ato tejkalojnë kompetencat e tyre të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.

19. Fakti që marrëveshja nuk ka nevojë të ratifikohet nënkupton që ajo nuk ka efekte juridike dhe nuk ka asnjë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.

20. Nëse marrëveshja do të ratifikohej, Qeveria e Kosovës do të zhvishej nga kompetencat e saj mbikëqyrëse që i ka sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit për Bashkëpunimin Ndër-komunal, sepse në raport me Asociacionin do të zbatohej marrëveshja e ratifikuar dhe jo ligjet në fjalë. Po ashtu, Asociacioni do të mund të thirrej në faktin që është i themeluar mbi bazën e një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar dhe që ka efekt juridik e nuk funksionin mbi bazën e ligjeve të Republikës së Kosovës, që rregullojnë vetëqeverisjen lokale. /Republika.info/