Eko Higjiena

Asnjanësia e Kosovës

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Blerim Shala- Shteti i Kosovës nuk mund të funksionojë si duhet pa bërë integrimin e plotë të Verit.

Çështje gjinie.

E tillë është çështja e Kosovës, në thelbin e saj politik, kur shikohet nga perspektiva e Brukselit, e Bashkimit Evropian.

E pra, çfarë gjinie politike ka Kosova? Për ne është shtet, për Serbinë është krahinë autonome, për Brukselin Kosova ka gjini asnjanëse.

Gjini të tillë, nuk ka në jetë, siç e dimë, dhe nuk mund të ketë as në politikë dhe në raportet midis BE-së dhe një vendi/shteti.

Po ja që Brukseli, edhe në Studimin e Fizibilitetit i cili u prezantua ditë më parë, dhe me të cilin u morëm të gjithë ne, me atë bindjen e njohur tek ne që të gjithë merremi vesh në politikë, në sport dhe në histori, sërish i mbeti besnik gjinisë asnjanëse të Kosovës, me synim të qartë që disi t’i gëzojë sadopak kosovarët dhe të mos i hidhëroj autoritetet e Beogradit.

Befasi? Aspak. Kushdo që ka pritë më shumë nga Brukseli në këtë çështje, ose është optimist i përhershëm, ose nuk di gjë se si (s)funksionon Bashkimi Evropian. Ne nuk do të duhej të ishim as në kampin e parë, e as në këtë të dytin. Tek e fundit, çka është BE-ja në terren, në punët konkrete, këtu në Kosovë, këtë e dimë që prej vitit 1999, kur BE-ja u bë njëra prej katër shtyllave të UNMIK-ut.

BE-ja e sotme e ka për synim të mbajë Kosovën dhe Serbinë në udhën kah BE-ja, duke balansuar disi pritjet e mëdha dhe dëshpërimin edhe më të madh të qytetarëve të Kosovës me perspektivën evropiane e cila do të ndodhë ‘ngadalë por sigurt’ (sipas Brukselit), dhe me kërkesat gjithsesi të drejta që shteti i Kosovës më në fund të funksionojë si duhet, duke harruar që diç e tillë realisht, është vështirë e arritshme pa siguruar integrimin e mirëfilltë të Veriut të Kosovës.

Qasja e Brukselit ndaj Kosovës të ngjanë me atë të infuzionit të vazhdueshëm për një pacient të shtrirë në spital, i cili mund të shërohet mirë, me një terapi të mirëfilltë. Po ja që ky ‘pacient’ (Kosova), nuk bën të vdesë, po as të këndellet e të ecë vetë, sepse në dhomën tjetër është një tjetër ‘pacient’ (Serbia), i cili i ka dofarë problemesh psikike, të cilat e bëjnë të mendojë që ai do të vdesë në momentin kur ky ‘pacienti’ i parë largohet nga spitali.

Terapitë politike sa vijnë e shtohen nga ana e BE-së, zotimi politik i Brukselit që Kosova ka perspektivë Evropiane është ende atypari, por sa larg na duken tash vitet para pavarësisë së Kosovës kur Brukseli i Javier Solanës ishte më i qartë për atë Kosovën nën Administrimin Ndërkombëtarë se sa tani, kur Kosova së shpejti do t’i mbushë pesë vjet jetë si shtet i pavarur?

Mobi Casa

Në dhjetor të vitit 2005, kur sapo kishte nisë ndërmarrja e Presidentit Ahtisaari për zgjidhjen e statusit të Kosovës, kur nuk kishte ndodhë as një i vetmi takim midis Delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, Kryediplomati i atëhershëm i BE-së e tha troç në Prishtinë kur e pyetën për statusin e Kosovës: Në Evropë, tha Solana, ka vend edhe për një shtet të ri.

Nuk na ka marrë mendja këndejpari që do të përmallohemi për këtë qartësi të vitit 2005.

Kosova ka shumë punë për tu bërë shtet i denjë për të qenë pjesë e familjes së BE-së, dhe këtu Brukseli ka plotësisht të drejtë. Këtë, zaten, e thonë shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës, të cilët duan të shohin një ndryshim thelbësor në të gjitha fushat e funksionimit të një shoqërie.

Por në anën tjetër, edhe Brukseli duhet të heq qafe, sa më parë që është e mundur çështjen e gjinisë politike të Kosovës, nëse njëmend do të stabilizojë këtë pjesë të Ballkanit. Kështu më nuk shkon. Dhe nuk duhet pritë që të ndodhë diç e keqe në Veri të Kosovës, ashtuqë më pas të ndërmerr nisma të reja politike dhe diplomatike.

Dikush mund të thotë me të drejtë që megjithatë, Brukseli ka bërë kësaj radhe, (me publikimin e dokumenteve që përkojnë me Kosovën dhe Serbinë), një hap në drejtimin e duhur, kur ka pohuar, sa i përket Veriut të Kosovës, që zgjidhja e problemeve atypari duhet të gjendet duke ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës dhe duke përmbushur nevojat e popullatës lokale.

U tha më pas me të shpejtë, që ky formulim nuk paragjykon statusin e Kosovës, apo që në këtë mënyrë Brukseli vetëm ka rikonfirmuar validitetin e njërit prej Parimeve të Grupit të Kontaktit (nga viti 2005), dhe asgjë më tepër. Mbase, kjo porosi i është dashtë BE-së pasiqë javëve të fundit, Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq sërish disa herë foli për opsionin e ndarjes territoriale të Kosovës. E këtu të bie ndërmend sërish një tjetër BE, ajo e dhjetorit të vitit 2007, e cila unanimisht, në samitin e fundvitit vendosi Kosovën si Prioritet kryesor të Brukselit, i cili njeh si detyrë kryesore zbatimin e plotë të Propozimit gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari. Nuk iu tha mbi-emri i kësaj Pakoje (pavarësia, fillimisht e mbikëqyrur), por dihej fare mirë se për çfarë bëhet fjalë në Propozimin e Presidentit Ahtsaari.

Ne dhe Brukseli, thënë fare hapur, kemi edhe pak kohë për t’i dhënë fund gjendjes në Veri të Kosovës dhe pranisë së Serbisë (e cila sërish u konstatua në Dokumentet e Komisionit Evropian), brenda tërësisë territoriale të Kosovës e cila duhet të ruhet, sipas Brukselit. Kjo prani e Serbisë, nuk mund të jetë më asnjanëse. E tillë nuk është madje as me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Serbia duhet ta braktisë Kosovën sa më parë që është e mundur, me një ndërmarrje politike dhe diplomatike e cila është në duart e Ashton dhe Brukselit, dhe e cila gjithsesi do ta ketë mbështetjen e fuqishme të Washingtonit.

Këtu mes nuk ka.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)