UBT

Konjufca dhe Asociacioni: pak hipokrizi, pak viktimizim

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkoalj – Albin Kurti e ka pranuar draft-statutin për Asociacionin. Por, Glauk Konjufca përpiqet ta amnistojë shefin dhe t’ia hedh fajin Bashkimit Europian, që e ka propozuar dokumentin. Hipokrit, çfarë është shfaqur edhe herë të tjera, ai luan lojën për militantët e partisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur sërish për Asociacionin. Për këtë çështje është i njohur tashmë “versioni” i tij se në Kosovë nuk do të ketë kurrfarë asociacioni, as me kompetenca ekzekutive, as pa to ose, siç e ka shpjeguar ai shkurt dhe qartë “as asi, as ksi”.

“Unë mendoj që jo, nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrfarë asociacioni, as kësi, as asi. Sepse nëse është bashkim i komunave serbe, në çfarëdo mënyre, unë mendoj se nuk duhet të ndodh kurrë. Kështu besoj se edhe do të jetë”, kishte thënë Konjufca në një debat televiziv.

Ndërkohë, javën e kaluar, ai pati tjetër qasje. Në një intervistë tha se dorëzimi i draft-statutit institucioneve të Kosovës nga Bashkimi Europian, nuk ishte hapi më i mirë.

“Bashkimit Europian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte në statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes”, deklaroi ai.

Nuk është hera e parë që Konjufca përpiqet të hedh pluhur rreth vendimeve që merr kryeministri Albin Kurti. Në rastet kur Kurti pranon diçka, që ka thënë se nuk do ta pranojë kurrë, atëherë Konjufca është aty që ta mbrojë dhe arsyetojë – natyrisht duke u përpjekur që përgjegjësinë ta hedh diku tjetër.

Tash kur Kurti ka pranuar draft-statutin për Asociacionin, pavarësisht se Vetëvendosja e kishte kauzë kryesore se këtë organizëm nuk do ta pranonte asnjëherë, Konjufca përpiqet t’ia hedh fajin BE’së që e ka propozuar atë, e jo Albin Kurtit që e ka pranuar. Pra, në optikën e Konjufcës, nuk është faji i Kurtit që e ka pranuar dokumentin e “imponuar” nga BE, por fajet i paska BE që ia ka “imponuar” Kurtit dokumentin.

Fundamenti

Qasja e Konjufcës nuk ka si të quhet ndryshe veçse hipokrizi. Hipokrizi e përzier me pak viktimizim. Është taktikë tashmë e njohur e Vetëvendosjes se si t’i arsyetojë vendimet e paarsyetueshme, se si t’i pranojë ato që dikur ishin të papranueshme, se si t’i përbijë ato që dikur ishin të papërbijshme.


Trajektorja e deklarimeve dhe vendimeve të Lëvizjes Vetëvendosje kur ka qenë në opozitë, krahasuar me tash kur është në pushtet, është trajektore e luhatjeve dhe ndryshimeve të paparamenduara. Veçanërisht kur bëhet fjalë për qasjen karshi dialogut me Serbinë, Vetëvendosja dhe udhëheqësi i saj janë tjetërsuar aq shumë, sa që tingëllon banale kur ende shtrohet dilema “a ka ndryshuar Albin Kurti”.

Marrëveshja e Brukselit, aneksi i Ohrit dhe draft-statuti i Asociaconit janë pranuar tashmë nga Kurti, përkatësisht shteti i Kosovës. Andaj, çdo përpjekje për të dhënë një të vërtetë tjetër është përpjekje e dëshpëruar, por e cila mund të “dhezë” ende te militantët partiakë.

Në intervistën e fundit Konjufca u përpoq të iluminojë, duke thënë se BE është ngutur me propozimin e draft-statutit, “duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës”. Por, nuk tregoi as sqaroi se pse qeveria nuk e ka kryer obligimin që ta propozojë versionin e vet.

Po ashtu, Konjufca kujtoi edhe se pika që është vendosur në favor të Serbisë është e shtata e Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht obligimi i Kosovës që për gjetjen e një forme të vetëmenaxhimit për komunitetin serb. “Kjo nuk mund të bëhet nëse nuk vendoset në një pako të përgjithshme, që është Marrëveshja e Ohrit, e cila nuk është nënshkruar nga Serbia”, tha ai.

Marrja e përgjegjësisë për themelimin e Asociacionit nënkupton se shteti i Kosovës herëdokur do të duhet ta bëjë një gjë të tillë. Deshi apo nuk deshi Konjufca, me apo pa hipokrizinë dhe viktimizimin e tij.

Megjithatë, po, Kosova nuk ka pse ta themelojë këtë mekanizëm, po që se pala tjetër nuk pranon të zbatojë në plotëni marrëveshjen e arritur. Çdo veprim i njëanshëm i Kosovës, pa njohje nga Serbia, cenon sovranitetin dhe integritetin e saj.