RCCOLA

Arbën Xhaferi, ky mendimtar i ndritur

/ 11 minuta lexim
RCCOLA

Arbën Xaferi qe politikani më emblematik shqiptar në Maqedoni, me dhuntinë e jashtëzakonshme që t’i shtjellonte në mënyrë brilante mendimet për politikën, kulturën dhe filozofinë dhe tema të pafund. Vdekja e tij paraqet një humbje të madhe për shqiptarët gjithandej

Emri

-Emri juaj ngjall habi të këndshme. Jo vetëm te shqiptarët në Maqedoni, por gjithandej nga Saranda në Mitrovicë te gjenerata juaj dominojnë emra kryesisht osmanë, arabë, orientalë, katolikë, helenë. Kjo është, sigurisht, pasojë e ndikimeve nga jashtë. Pse ju bëni përjashtim?

Xhaferi: Çdo popull që çlirohet nga një okupim duhet të kushtojë rëndësi të madhe restaurimit të identitetit të vërtetë kombëtar, si dhe të marrë masa për pastrim të softuerit prej ndikimeve të huaja.

Lidhur me sundimin, okupimin osman sot e kësaj dite ekziston një konfuzion, një dilemë që krijon shumë kokëçarje.

Turqia insiston që prezenca e saj pesëqindvjeçare në këto anë të mos konsiderohet si okupim i huaj, por si sundim, apo thënë më konkretisht, si bashkëqeverisje me popujt-vëllezër, siç parapëlqejnë të përkufizojnë bashkëjetesën pesëqindvjeçare. Në këtë periudhë është favorizuar një asimilim i butë që, përmes besimit fetar ka depërtuar në të gjitha kapilarët. Çështja e përkufizimit të prezencës osmane në këto hapësira është një problem që vazhdon të krijojë konfuzione, paqartësi identitare. Popujt e tjerë krishterë, serbët, grekët, bullgarët, etj. nuk kanë dilema të kësaj natyre. Ata vazhdojnë të këndojnë këngë patriotike të variantit “O vojvodo Sindjeliċu, ti si turske glave posjekao” (Këngë e popullarizuar serbe kushtuar vojvodës Singjeliq, i cili paskësh prerë koka turqish) dhe nga ana tjetër të mbajnë marrëdhënie shumë të mira me Turqinë. Këta popuj po ashtu kanë pastruar traditën e tyre nga çdo element të trashëguar nga turqit. Në anën tjetër shqiptarët nuk e kanë zhvilluar këtë teknikë të purifikimit të traditës së tyre nga huazimet turke dhe të tjera. Meqë mbetën të robëruar në sistemin e sllavëve ortodoksë, u orientuan që ta mbrojnë identitetin e tyre kombëtar përmes ruajtjes së emrave islamë që ishin absolutisht të dallueshëm nga ato të sunduesit sllavë apo grekë. Pikërisht për këtë shkak, të ndërthurjes së elementeve fetare me ato kombëtare, rilindësit shqiptarë e panë të udhës që të krijojnë ideologjinë kombëtare që do t’i tejkalonte besimet fetare, që do të qëndronte mbi to. Pra, u shtrua nevoja që nacionalizmi shqiptar të shndërrohet në ideologji.

Në atë kohë, në kohën e tërheqjes së të sëmurit të Bosforit nga Evropa Juglindore, në hapësirat shqiptare filluan të veprojnë ideologët e shqiptarizmës, që e kishin shndërruar në aksiomë kombëtare thënien e Pashko Vasës “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Njëri nga këta ideologë, Selim Luma (Shehapi), i shkolluar në Francë, i cili pas shumë angazhimesh në administratën osmane, ishte kthyer në vendlindje, në Tetovë. Ai, në moshë të thyer, u kthye në vendlindje dhe filloi ta përhapë ideologjinë kombëtare, pra bindjet kombëtare që ishin mbi të gjitha bindjet tjera. Si shumë atdhetarë të asaj kohe që e patën shkrirë pasurinë për punët e kombit edhe atdhetari Selim Luma, u ngrys në varfëri. Prindi im, si nxënës i tij i devotshëm ashtu si shumë tetovarë të tjerë i doli në ndihmë duke ia lëshuar një dhomë shtëpisë sonë dhe duke u kujdesur për të. Ky personalitet emblematik kombëtar kishte krijuar qartësinë në përkufizimin e identitetit kombëtar i cili ndërtohej mbi premisat që i tejkalonin përkatësitë e tjera të natyrës fetare, rajonale, politike etj.

Falë këtij shqiptari të madh në Tetovë u formua një embrion i organizuar kombëtar që dha kontributin e vet në ruajtjen dhe kultivimin e ndjenjave kombëtare te shqiptarët e Maqedonisë. Anëtarët e këtij embrioni nacionalist, 7-8 vetë, realistët e asaj kohe i quanin “abdallë” (“të marrë”). Por, siç thotë Umberto Ekoja, në njërën nga trajtesat (esetë) e tij se historia e njerëzimit është shkruar nga të bëmat e të marrëve, të Don Kishotëve dhe jo nga realizmi i Sanço Pançove…

Këtë tip të identitetit kombëtar të ngritur në nivel ideologjik e trashëguan brez pas brezi shumë gjenerata. Nga ky kënd më duken qesharake deklaratat e politikanëve rishtarë që mendojnë se politika kombëtare shqiptare në Maqedoni paskësh filluar me ta.

Kjo veprimtari politike që u shndërrua në ideologji filloi të veprojë që në fillim të okupimit të tokave shqiptare nga sllavët e jugut. U krijuan shumë kuadro, veçmas mësues, që gjenin rrugë se si t’i edukojnë nxënësit, të mbjellin idenë kombëtare dhe t’i orientojnë drejt në formimin e identitetit të tyre kombëtar. Ata u bënë diga e fortë që ndaluan shpërnguljet, asimilimin dhe format e tjera të shkombëtarizimit të këtyre hapësirave. Kjo plejadë veprimtarësh të urtë, por të vendosur, vazhdimisht organizoheshin dhe riorganizoheshin duke krijuar struktura ilegale politike. Të gjithë ata që ishin të organizuar, që ishin ithtarë të ideologjisë nacionale shqiptare, synonin që të bëjnë dallimin me të tjerët jo mbi parimet fetare, por mbi ato kombëtare. Prandaj, natyrshëm i pagëzonin fëmijët me emra që kishin domethënie kombëtare. Ishin idealistë të pandreqshëm. Nuk u dorëzuan as kur Shqipëria në mënyrë të egër e përqafoi komunizmin dhe në mënyrë anarkike u bë demokratike. Për çdo shkarje gjenin arsyetime. Kur kreu shqiptar e ndaloi fenë, i bllokoi ose i rrënoi objektet fetare, ata që i jepnin përparësi besimit fetar e shfrytëzuan këtë rast për ta sulmuar Shqipërinë. Por, shumë shpejt, nacionalistët tetovarë gjetën përgjigjen edhe për këtë problem. “Feja islame nuk i trajton objektet fetare si vende të Zotit, prandaj çdo besimtar mund të kryejë detyrimet fetare në çdo cep të botës…”.

Në prezencën e këtyre idealistëve jo vetëm që mësohej çka është kombëtarja, por edhe ç’është morali dhe vlerat tjera njerëzore. Ishin të ndershëm, të gatshëm për flijime. Më kujtohet situata kur Shqipëria në mënyrë anarkike u bë antikomuniste. Në cilësinë e kryetarit të partisë në vitin 1996 u takova me presidentin e Shqipërisë, me Sali Berishën. Në atë kohë shumë flitej për gjenocidin e komunistëve dhe natyrisht pas takimit dhamë deklarata ku u përmend dënimi i politikës komuniste dhe bartësit e saj. Kur u ktheva në Tetovë, prisja efektet e këtij takimi. Para se të hyja në zyrë e pashë Memetriza Gegën, atdhetarin e shquar të këtyre anëve. Ai, në vitet e ‘60-a, pat themeluar një organizatë ilegale ku isha anëtar edhe unë. Sa e pashë e dija ç’më priste. Më ftoi të ulem, të pimë një kafe. S’kisha si ta refuzoja se e respektoja shumë.

“Ishe në Shqipëri?”.

“Po”, i thashë.

“Si kalove?”

UBT

“Mirë”, i thashë. I jepja përgjigje të shkurta që të mos hapja tema që s’kishin fund.

“Po ç’është kjo fjalë ‘gjenocid’ që tani po përmendet shpesh? ‘Gens’ do të thotë fis ose popull, ndërkaq ‘caedere’ do të thotë vrasje, ose vrasje e një populli të tërë. Por, kur Enver Hoxha mori të udhëheqë Shqipërinë, sa shqiptarë ka pasur në Shqipëri?”.

“Me gjasë 1.200.000 ose pak më shumë”, iu përgjigja duke kuptuar qëllimin përfundimtar të këtij dialogu, si dhe fitoren e tij të radhës.

“Por sot sa banorë i ka Shqipëria?”.

“Mbi tre milionë”, i thashë. Pastaj ai filloi t’i çmontojë ato teza për gjenocidin duke manifestuar një energji të jashtëzakonshme që kanë njerëzit idealistë. Ai, ndjesë pastë, ishte prej atyre idealistëve që nuk fshihte në asnjë rast bindjet e tij kombëtare dhe nuk frikësohej nga asnjë kërcënim.

Pavarësia

-Natën e 17 shkurtit 2008, pasi u shpall pavarësia e Kosovës, ju pata takuar në një lokal të Prishtinës. Në atë atmosferë festive, mes të pranishmëve, shumica politikanë, por edhe figura të jetës publike, mbretëronte bindja se Kosova u nis rrugës së mbarë si shtet. Shikuar nga perspektiva e sotme – si duket, sipas jush, bilanci trevjeçar i Kosovës së pavarur?

Xhaferi: Mungesa shekullore e lirisë si dhe vetizolimi krijoi një shkëputje nga sistemi i vlerave evropiane. Po ashtu bllokimi i institucioneve ndikoi në selektimin e dobët të kuadrove. E gjithë kjo ndikoi në cilësinë e komunikimit të shqiptarëve me ndërkombëtarët. Shpeshherë ndodhin keqkuptime si pasojë e këtij margjinalizimi shekullor. Po të kishim pasur komunikim të vazhdueshëm dhe të kuptueshëm, jo vetëm që do të evitoheshin keqkuptimet, por s’do të ishim as në pozitë të varshmërisë nga të tjerët. Do të ishim shtet dhe popull normal, të bashkuar në një shtet, me kulturë dhe identitet të qartë. Me këtë përpiqem të sugjeroj idenë se ngecjet tona, edhe në këtë fazë, janë pasojë e rrethanave objektive historike. Personalisht, duke i njohur rrethanat nga pozita e një drejtuesi të një partie politike që ka pasur fatin të kontaktojë përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizmave ndërkombëtare, mbetem i mahnitur me suksesin e gjithë shqiptarëve që dhanë kontributin e tyre për trajtim në nivel më të lartë të çështjes shqiptare. E them këtë jo nga romantizmi, por duke analizuar të gjitha rrethanat e disfavorshme që kanë ndikuar në pozitën tonë të margjinalizuar gjatë një procesi të rrezikshëm historik.

Natyrisht, janë shfaqur gabime të rënda, si nga aspekti politik, ashtu edhe atij etik dhe kombëtar. Liria gjithmonë i zbut kriteret morale të përfaqësuesve të shtetit, krijon lakmi dhe prirje që përmes korrupsionit dhe formave të ndryshme jolegale të përmirësohen pozitat e tyre në sistem. Krahas korrupsionit shfaqen edhe forma të tjera të abuzimit të pozitës siç është nepotizmi, mosrespektimi i ligjit, rikthimi i autoritarizmit në institucione, në familje dhe në shoqëri. Këto aberracione, shmangie nga rruga e idealeve, nxjerrin në shesh gatishmërinë për suspendim të institucioneve për ndërtimin e të cilave u flijuan shumë njerëz. Është e dhimbshme të shikosh persona të njëjtë në dy kontekste kohore, para dhe pas lirisë. Dallimet janë dëshpëruese. Këtë dukuri duhet të analizohen edhe nga këndi i periudhave historike. Shqiptarët, sidomos ata që mbetën jashtë shtetit amë, nuk kanë përvojën e popujve që përjetuan fazat e industrializimit dhe post-industrializimit. Shqiptarët asnjëherë nuk u bënë proletarë. Prandaj tek ata u kultivua një krenari e pambështetur që shpeshherë paraqitet në forma të mosrespektimit të ligjit, të trajtimit të vetvetes si faktor që është mbi ligjin. Të gjitha problemet që shfaqen dhe do të shfaqen në mesin e shqiptarëve burojnë nga taktizimet për suspendim të ligjit. Besoj se këto abuzime, pak nga pak, do të eliminohen, veçmas për shkak të aspiratave tona për hyrje në NATO dhe Unionin Evropian.

Enveri

-Tash kur dihet se Enver Hoxha ka qenë vetëm satrap si shpjegohet që në Kosovë ka njerëz që ia festojnë ditëlindjen dhe në Ferizaj disa enveristë kërkojnë që një rrugë të marrë emrin e tij?

Xhaferi: Figura e Enver Hoxhës, veprimtaria e tij, nuk mund të vlerësohet nga ata që nuk kuptojnë thelbin e lirisë, demokracisë dhe, rrjedhimisht, modelet shoqërore. Kur nuk ka njohuri për këto çështje njerëzit lehtë manipulohen ose i mistifikojnë gjërat.

Historia e popullit shqiptar, ashtu si edhe popujve të tjerë, ka prodhuar edhe satrapë. Por, mendoj se duhet ndjekur politikën dhe metodën e veprimit të popujve tjerë evropianë. Anglezët, francezët, italianët, spanjollët, megjithatë ndërtojnë përmendore edhe për satrapët e tyre që kanë bërë krime të pajustifikueshme. Historia e njerëzimit ka prodhuar lloj-lloj udhëheqësish në mesin e tyre edhe kriminelë ordinerë. Por, këto punë do të zgjidhen përmes analizave të historianëve që do të merren profesionalisht me vlerësimin e kontributeve dhe të të bëmave të tjera të udhëheqësve të ndryshëm.

(Shkëputje nga testamenti publik i përmbledhur në bashkëbisedimin e shkëlqyer me Enver Robellin, “Arbën Xhaferi rrëfen: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, botuar nga KOHA, 2011)