UBT

Anton Quni: Demaçi duhet të flas për Oslon, Xhavit Halitit po i pengon e vërteta për FARK’un

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Njësitë e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) ishin themeluar nga Ministri i Mbrojtjes, Ahmeti Krasniqi. Xhavit Halitit i pengon e vërteta pavarësisht se kishte takime dhe marrëveshje me udhëheqësit e FARK’ut. Për Marrëveshjen e Oslos duhet të flas Adem Demaçi i cili ishte pajtuar me Ahmet Krasniqin për bashkimin e forcave për Shtetin e Kosovës. Edhe ushtria e Kosovës duhet të emërtohet sikur të gjitha institucionet e Republikës. Deputeti i LDK’së, Anton Quni, flet për Express.

Express: Çka është duke ndodhur me Forcat e Armatosura të Kosovës apo Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës?

A. Quni: Si anëtar i Komisionit për Siguri ne kemi marrë një material që na është drejtuar nga Komiteti për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë, ku ata kanë bërë një analizë për rishikimin e nevojave në fushën e sigurisë në kontekstin gjeostrategjik, gjeopolitik, ekonomik dhe demokratik. Nga kjo analizë del se Republika e Kosovës në një të ardhme të afërt duhet të ndërtojë një organizatë të karakterit ushtarak. Është propozuar të quhet Forcat e Armatosura të Kosovës. Pasi që Forcat e Armatosura ende nuk janë kategori Kushtetuese, kjo procedohet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare e Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet të dalë me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. Kjo Strategji duhet që të procedohet nëpërmjet Parlamentit, Komisioneve përkatëse deri në miratimin e saj. Nëse Këshilli i Sigurisë Kombëtare e mbështet idenë që të krijohen Forcat e Armatosura të Kosovës, besoj se viti i ardhshëm do të jetë viti kur legjislacioni duhet të merret me këtë çështje.

Express: Pra, sipas jush, ky Parlament nuk mund të merret me shndërrimin e FSK’së në Forcat e Armatosura të Kosovës?

A. Quni: Këto janë parashikimet, por sidoqoftë, viti 2014 është viti fillestar ku do të trajtohet kjo temë.

Express: Është hapur një debat se si duhet të quhet ushtria e ardhshme e Kosovës: FAK apo FARK?

A. Quni: Tani këtu ka argumente të ndryshme pro dhe kundër. Vlerësimi im është se Kosova është Republikë dhe çdo institucion është institucion i Republikës së Kosovës. Dhe, do të ishte më e udhës që kjo organizatë ashtu të quhej dhe ashtu të emërtohej: Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Por, me siguri akterët që janë marrë me këtë temë, ndoshta, nuk e kanë parë të udhës që të ndërtohet një organizatë me këtë akronim pasi që tendencat kanë qenë të mëhershme. Ky institucion në rrethana tjera ka ekzistuar dhe është shuar me kërkesën e Administratorit Kouchner. E ka datën e saktë të krijimit dhe të shuarjes së këtij institucioni. Ndoshta ka komplekse edhe në këtë drejtim dhe i shmangën kësaj teme.

Express: Shumëkush prej opozitës vendimin e Kryeministrit Thaçi për Forcat Armatosura po e shohin si vendim të fushatës elektorale. Si e shihni ju këtë vendim?

A. Quni: Sidoqoftë, unë më shumë nga aspekti profesional vlerësoj lartë punën e Komitetit për Analizën Strategjike të Sektorit të Sigurisë. Nuk dua ta zhvlerësoj këtë punë duke aluduar në atë nëse është momenti i fushatës. Sidoqoftë, i përgëzoj për punën që është bërë në këtë drejtim. Çështjet që janë më minore rreth emërtimit dhe të tjera janë çështje që me kohë dhe me siguri do të vendosim ashtu siç duhet. Por, kryesorja është që Kosova do ta ketë një ushtri, e cila do të kujdeset për sovranitetin, integritetin e Republikës së Kosovës dhe gjitha vlerave që i ka shteti dhe kombi jonë.

Express: Anëtari i Kryesisë së PDK’së dhe Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha se asnjëherë s’ka pasur FARK?
A. Quni: Jo vetëm unë, por të gjithë ata që kanë qenë të implikuar në atë kohë në proceset politiko-ushtarake e dinë fortë mire se si janë ndërtuar njësitë ushtarake në atë kohë. Filluar nga organizimet vetanake, organizimet më të gjëra rajonale. Dihet fortë mirë se si janë krijuar njësitë operative të karakterit të mirëfilltë ushtarak. Ky proces ka qenë në zhvillim dhe gjithnjë ka evoluuar. Por të gjithë i kanë njohuritë se Ministria e Mbrojtjes e kishte në krye të institucionit të saj një oficer karriere të emërtuar nga Kryeministri i asaj kohë dhe që ai komandonte me njësitë të cilat vepronin brenda territorit të Kosovës. Në rrethana të ndryshme të ndikuara nga faktorët të ndryshëm, këto njësi kanë pasur një bashkëpunim me njësitë në terren, të cilat kontrolloheshin dhe urdhëroheshin nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është e vërteta. Nuk flitet këtu kush i ka meritat. Nuk flitet kush duhet të ndëshkohet. Ishte e drejtë apo e padrejtë. Këtë duhet ta vlerësojnë historianët, analistët e kohës. Por, nëse dikush mendon ndryshe mund edhe të ngritë edhe procedura gjyqësore. Por, është e vërtetë se Ministria e Mbrojtjes ka ekzistuar dhe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm me determinimin për fitoren përfundimtare të Kosovës.

Uji Dea

Express: Pse e tha Xhavit Halit se nuk ka ekzistuar kurrë FARK’u?
A. Quni: Kjo pyetje duhet t’i drejtohet atij, por ai është një ndër protagonistët e asaj kohe që ka pasur takime me zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, me komandantë të njësive të ndryshime. Kanë pasur marrëveshje të ndryshme dhe me siguri ai duhet të dijë më mirë. Por, atij i pengon e vërteta.

Express: Pse po bëhet kjo ndarje kaq e madhe sa i përket veteranëve 15 vjet pas luftës. Ka pasur ndarje kaq të mëdha edhe në luftë?

A. Quni: Me Njësinë ku kam vepruar as nuk janë diskutuar këto çështje. Te luftëtarët nuk ishte asnjëherë prezent kjo temë. Të gjithë ne bartnim të njëjtat simbole. Ishin simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë e kanë parë vetën pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, askush në atë kohë nuk ishte i ngarkuar me ideologji, me parti, me liderë të ndryshëm, së paku, në terrenin ku kam vepruar unë. Por, është fakt se njësitë, të cilat unë kam kryer operacione ishte njësi i krijuar duke dhënë betimin te Koloneli Ahmet Krasniqi.

Express: A kanë ndikuar këto dallime në luftë me disa vrasje të udhëheqësve të FARK’ut?

A. Quni: Çmimin e lartë të lirisë që e kemi paguar ne është edhe se në atë kohë shoqëria ishte e polarizuar rreth koncepteve se si duhet të arrihet deri te qëllimi. Kështu, që në atë kohë kam pasur fatin të jem në mesin e shokëve, të cilët me punën e tyre, këto dallime i kanë amortizuar në minimum. Gjithherë reflektimi jonë ka qenë në atë drejtim që të krijojmë një unitet të fuqishëm. Nuk është detyra ime që të jem argat në këtë situatë të polarizimeve të ndryshme. Dhe, të gjitha këto teori që ngritën për vrasjet misterioze janë çështje me të cilat duhet të merren organet e drejtësisë. Jam më se i bindur se vendimi final i organeve të drejtësisë do ta relaksonte situatën dhe do të dihej e vërteta dhe ne nuk do të kishim nevojë që të krijojmë situata konflikti dhe konfuziteti. Ne kemi nevojë për unitet.

Express: Kush mund të tregojë për shumë për vrasjet politike, qoftë të paraluftës si rasti i Ahmet Krasniqit?

A. Quni: Të gjithë atë që në atë kohë kanë qenë edhe përgjegjës për sigurinë e liderëve politiko-ushtarak që ishin të identifikuar në Tiranë. Përgjegjësinë kryesore e bartin institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Aty kyçen edhe inteligjenca e Policisë, edhe Shërbimi Informativ Kombëtar i Shqipërisë dhe të gjithë ato institucione, të cilat ishin përgjegjëse për sigurinë në territorin e Shqipërisë. Jam më se i bindur se nga këto institucione, ndoshta, edhe mund të merret përgjigja se çka qëndron prapa vrasjes së Kolonelit Ahmet Krasniqi. Aktualisht, nuk ekziston një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë në fushën e drejtësisë, të hetimit dhe të zbulimit. Kjo po krijon një klimë ku njerëzit ngritin teoritë e tyre ditore varësisht edhe nga politikat e momentit.

Express: Ju deklaruat se keni qenë pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të njëjtën kohë në FARK. Si shpjegohet kjo?
A. Quni: Nga drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes emërtimi zyrtar i formacioneve ushtarake është vendosur që të jetë akronimi: Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Por, pasi që në terren ekzistonin njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullata ishte edhe emocionalisht e lidhur ngushtë me këtë emër është paraparë që të gjitha njësitë që do të ngritën në terren, po ashtu, të quhen Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një nga komponentët që e formojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Sepse ideja ishte që të formohet Policia Ushtarake; Njësitin i Aviacionit Luftarak; Njësiti për Mbrojtje Territoriale…. Dallimi mes këtyre komponentëve është se njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryesisht, ishin të nivelit të Brigadave dhe të mos ishin ngushtë të lidhura me një lokacion. Por, të jenë njësi të afta mobile dhe operacionale në tërë territorin e Kosovës. Shembull nga një informacion i Brigadës të jenë të afta kur me bashkimin dhe me njësitë tjera të ngritin formacione edhe më të larta, të cilat do të merreshin me operacione më komplekse për lirimin e drejtimeve strategjike dhe territoreve më të gjëra. Ky ishte koncepti i paraparë dhe ashtu është punuar. Kështu, që në terren kanë qenë Njësitë të cilat ishin të formuara dhe të kontrolluara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin si komponentë e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Express: Përmendet shpesh Marrëveshja e Oslos për të cilën Xhavit Haliti tha se s’ekziston dhe tha se s’ka asnjë dokument të nënshkruar. Çka është Marrëveshja e Oslos?

A. Quni: Marrëveshjen e Oslos e konceptoj si një vullnet të mirë të liderëve apo akterëve politiko-ushtarak të Kosovës. Konkretisht, në mes të z. Adem Demaçit dhe Kolonelit Ahmeti Krasniqit, ku është arritur që me një vullnet të mirë të krijohet një unitet dhe të gjitha ato potenciale, duke filluar nga burimet njerëzore, financiare dhe teknike të vihen në shërbim të kauzës për çlirimin e Kosovës. Pse kjo marrëveshje nuk ka pasur një jetëgjatësi nuk mund ta jap unë një vlerësim sepse nuk isha pjesë e asaj marrëveshje. Por, besoj se dëshmitarët e asaj marrëveshje, kur ta marrin guximin, duhet edhe të deklarohen.