UBT

Analistët: Themelimi i Gjykatës Speciale, punë e kryer

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nesër do të marrin fund dilemat dhe debatet nëse do të votohet në Kuvend për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do te merret me hetimin e krimeve të supozuara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në seancën e së premtës Kuvendi i Kosovës do të vendos nëse do të themlohet Gjykata Spceiale, kurse opozita i ka bërë të njohura qëndrimet e saj, se do të votojë kundër themelimit të kësaj gjykate, por as deputetet e koalicionit qeverisës nuk do të jenë unik në votimin për Specialen.

Një pjesë e deputetëve të pozitës kanë theksuar se do të votojnë kundër kësaj gjykate, duke e bërë edhe më të paqartë krejt këtë proces.

Analistët kosovarë vlerësojnë se institucionet e Kosovës, deshen ose jo ta themelojnë këtë gjykatë, nuk kanë zgjidhje tjetër, dhe se vendimi për krijimin e gjykatës tashmë është punë e kryer.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, njëherësh ish- deputet i Kuvendit të Kosovës, ka thënë për Telegrafin se Kosova ndodhet para një situate ku legjislativit kosovar nuk i mbetet rrugë tjetër, përveç se ta votoj këtë gjykatë.

Sipas tij, situata e nderë me të cilën po ballafaqohet Kosova ditëve të fundit, ka ndikuar që vendi ynë ta ketë edhe më të vështirë refuzimin e kësaj gjykate.

“Kosova tashmë i ngjanë rastit të atij boksierit i cili mbetet në kënd të ringut, ku nuk ka shumë zgjidhje. Rasti i djeshëm i verdiktit për “Grupin e Drenicës”, jep një lloj mesazhi se Specialja tashmë është punë e kryer ”, ka theksuar Maloku për Telegrafin.

Maloku ka shtuar se mos votimi i Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, do t’i hapte rrugë Këshillit të Sigurimit që ai ta themelojë këtë gjykatë.
“Madje, nëse deputetët e kësaj legjislature, nuk do të votonin pro kësaj gjykate, atëherë Këshilli i Sigurimit do t’i marrë punët në duar, duke e formuar një Tribunal të Luftës, sikurse është dëshmuar në rastet e mëhershme”, ka shtuar ai.

Fundamenti

Publicisti Arben Ahmeti, ka theksuar se dënimi i komandantëve të Drenicës nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e ka vendosur PDK-në në hall të madh edhe lidhur me votimin pro Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë për Telegrafin se edhe Sylejman Selimi e edhe Sami Lushtaku, kanë ndikim tek disa prej deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët sipas tij, tash do të refuzojnë ta votojnë gjykatën.

“Do te ketë vështirësi, por krijimi i kësaj gjykate është proces i pandalshëm. Nëse nuk votohet ne seancën e radhës, atëherë do të votohet në një tjetër”, ka thënë Ahmeti për Telegrafin.

Ndryshe, rastet e trajtuara në Gjykatën Speciale, e cila do të merret me krimet e pretenduara të periudhës 1998 deri 2000, nuk do t’u besohen gjyqtarëve shqiptarë.

Dy dhoma të specializuara të kësaj Gjykate dhe Prokuroria, do të jenë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por procedurat e ndjeshme do të zhvillohen jashtë vendit, saktësisht në Holandë.

Gjykata Speciale, e cila fillimisht do të ketë mandat katërvjeçar, të gjitha kompetencat dhe mandatet e nevojshme do t’ia delegojë EULEX-it.

Të premten, në seancën parlamentare, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të vendosin për themelimin e Gjykatës Speciale./Telegrafi/