UBT

Altertekst letrar, qasje në letërsi nëpër etapa

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arsim Halili – Sinan Sadiku, një emër që dita-ditës dëshmon seriozitet krijues. Dhe qasja e tij në këtë rrugë, nuk është simbolikë, për të bëre epitete të panevojshme. Nuk është as pretendues paradoksal i sjelljes në dritë të volumit pa cilësi.

Ai shkruan kur duhet të shkruhet, boton kur mendon se duhet të botohet dhe se arsyetohet të lexohet akcila përmbledhje nga krijimtaria e tij. E që tani për tani e shënon botimin e tretë. Sinani poet dhe Sinani në rolin e kritikut letrar. Variabëli i tij mes profesionit dhe pasionit natyrisht që është asimetrik.

Porqë puna me përkushtim të bënë që ndonjë herë të qëndrosh përkrah atyre që janë arsimuar dhe kanë marrë grada akademike në fushën e letrave, sigurisht se një gjë të tillë e arsyeton me një libër studimor dhe vlerësues. Shtëpia botuese “Beqir Musliu” Gjilan , mori përsipër ta nxjerrë në dritë librin e titulluar “ Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare “ Prishtinë 2013.

FORMULA E KOMUNIKIMIT ME LETRAT SHQIPE

Një pikëpyetje e madhe e cila sjell diversitet mes asaj çfarë shkruajmë dhe asaj çfarë lexojmë. A thua ekziston një lloj fobie në Altertekstin komunikues. Determinimi i trinomit ballafaques: shkrimtar-lexues dhe studiues, duket edhe paradoksal ndonjëherë. Ky gërshetim dhe ballafaqim, mes reales dhe imagjinares dhe i subjektit siç është libri, tejkalon dhe përafron qëndrimet sa më të racionalizuara edhe në pikëpamje socio – psikologjike edhe ideo-estetike edhe artistike. Ndonjë herë duken aq afër e ndonjë herë aq larg njëri–tjetrit, qoftë në personalitetin, si qenie njerëzore, apo veprën e letrarizuar.

Autori Sinan Sadiku interferon argumente sintetizuese, si palë e tretë. Ai është një lloj polemizuesi i heshtur. I vetëdijshëm se një punë studimore, kërkon edhe parametrat e asaj çfarë mbarështron në qasje hulumtuese. Dhe në këtë pikë referimi autori e ka qartësuar se gjithë intenca e tij është vendi, funksioni , roli dhe krahasimi i poezisë, e që sillet në një oazë për nja gjysmë shekulli, respektivisht nga vitet e gjashtëdhjeta deri në ditët e sotme. Se autori nuk bënë një eksperiment të personalizuar, por e gjithë analiza dhe sinteza trasohet me qasje argumentues përmes metodave për të vrojtuar dhe aluduar gjykimin sa më të faktorizuar, pa e ngritur dhe pa pas tendencë t’i mitizoj gjërat, por gjithnjë duke sjell fakte.

Këtë gjë e aprovon me gjuhën e rrjedhës studimore përmes Metodës së hulumtimit, Metodës së krahasimit dhe Metodës statistikore, aty-këtu . Duke ballafaquar argumentet përmes këtyre metodave autori nuk është vetëm një vrojtues i asaj çfarë thonë të tjerët , por me një autonomi ideore shpreh mendimin apo gjykimin e tij pajtues ose mospajtues, për akcilin tezë, apo personalitet. Në industrinë e sotme letrare, kur kanë rënë kriteret e botimit, pavarësisht zhanrit letrar, krijohen disonanca komunikimi në treshen autor-lexues dhe kritikë.
Edhe për Sinanin ekziston dilema se si, dhe ku të rangohet poezia dhe poeti. Prandaj përzgjedhja e gjithë materialit hulumtues dhe vështrues nga ana e autorit, sado që ka qenë sfiduese është bërë e munduar të jetë sa më pranë lexuesit me argumentet e tij të mbështetura në fakte.

Autori Sinan Sadiku , duke iu referuar tezave shkencore të studiuesve të letërsisë siç janë: Dr. Ibrahim Rugova, Dr Agim Vinca, Akd Sabri Hamiti. Akd. Rexhep Qosja, Akd Ali Aliu, Ali Podrimja, Ismail Syla, Xhemal Ahmeti, Robert Elise e Ferdinad Laholli, të cilët autorë e studiues qoftë përmes librave të tyre studimor, qoftë edhe përmes përzgjedhjeve antologjike, ku në pikëpamjet e tyre hasën konvergjencat dhe divergjencat, në të arriturat e poezisë nëpër etapa, ku autori Sadiku i ndjek këto zhvillime përkatëse, natyrisht të tilla teza i riafirmon.

Venerimet letrare- ideologjike ndiqen me vëmendje me shumë kujdes deri në ditët e sotme. Duket se autori në qasjen e tij individuale paraqet tabloide në tri dekada të fundit, por që këtu do të thosha se janë dy etapa e periudhës së paraluftës. Vitet e tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta dhe periudha e tranzicionit, periudhë kjo e ndryshimeve të mëdha kombëtare në Kosovën e pasluftës, kur në skenën letrare, nuk është bërë sa duhet në saktësimin e rrjetit kordinativ të asaj që ka vlerë, e që për lexuesin dhe studiuesin do të duhet të jetë një transponim i bartësve të atyre që krijuan letërsi të mirëfilltë në këto vite, e që padyshim autori lakon disa nga emrat të cilët janë futur në Antologji poetike, apo janë studiuar veç e veç nga teoricien të letërsisë.

Uji Dea

Pra nga gjithë kjo që shihet dhe lexohet në librin e Sinan Sadikut mund të themi se letërsia shqipe në këtë gjysmë shekulli evoluoi dhe pësoi një ndryshim substancial në qasje dhe në kërkesa.

Dhe duket se kërkesë valide e drejtpërdrejtë dhe e arsyeshme e autorit është që në rrjetin e të merituarave të mos mbesin vetëm emra që tani më janë eksponent të letërsisë, por doemos të hulumtohen, të lëvrohen edhe emra të tjerë që për arsye të ndryshme nuk janë të ballafaquar me vlerat e tyre sa duhet nga kritika e mirëfilltë letrare.

Për fat të keq e gjithë krijimtaria tyre nuk tematizohet në qarqet studimore. Shumë poet mbetën enigmë, disa të trajtuar pjesërisht në një rreth të ngushtë miqsh, edhe pse meritojnë përkushtim më serioz dhe jo që të krijohen hile e klane të panevojshme . Autori nuk lë pa e përmend edhe faktin se gjatë periudhës së tranzicionit në shumë raste nuk është përfill as kriteri minimal estetik me rastin e botimit të librave, ndërsa kritika letrare ka bërë shumë pak në ndarjen e vlerës nga antivlera.

Le të parafrazojmë një citat të Helderit ku ndër të tjera thotë :“ Poezia është gjuha amnore e racës njerëzore”.

Se letërsia e në veçanti poezia shqipe, ka komunikuar vazhdimisht me lexuesin përmes gjuhës së kërkesave për liri, të mendimit dhe të paqes në jetë. Se poetët kanë qenë dhe janë interferues në diskursin e tyre, e që mund të jetë një marsh jo vetëm poetik, leksikor e artistik, sa do që individual, përmes të cilit përçohen ndjenjat me saktësi aty ku kërkohet. Pa dyshim se gjithë këtë botë emocionale autori Sinan Sadiku e merr në trajtim me kujdes duke shkruar për librat e poetëve: Sabit Rrustemi , Nexhat Rexha, Fehmi Ajvazi, Aziz Mustafa, Baki Krasniqi, Bilal Maliqi, Arif Kutleshi, Shpresë Ajvazi dhe Gani Sadiku, disa nga të cilët tashmë kanë bërë emër, disa janë në progres letrar, e ndonjëri prej tyre është pak i njohur si poet.

Në vend të përfundimit

Sinan Sadiku e di mirë se nuk i ka thënë të gjitha ato që ka mbarështruar në libër. Gjithsesi janë edhe kërkesa imediate, që në librin e tij i mbarështron me kujdes funksionalizues. Të ndryshohet fati dhe fakti i individit krijues. Që poezia të mos krijohet pa kriter, por të jetë sa më e përsosur. Autori Sinan Sadiku, me urtësinë e komunikimit, del se është një zë jo tendencioz, por konceptimin e poezisë e sheh si dervim i vlerave universale. Që të arrihet itinerar i caktuar në botën e bashkëjetimit dhe bashkëveprimit, kërkohet një ridimensionim i konceptit ideo-poetik dhe konceptit të qartësuar të mendimit sa më objektiv kritik. Kjo ndërlidhje tani për tani duket paksa e vështirë derisa të kanalizohen disa gjëra.

Sinan Sadiku tregon formulë të qartësuar për t`i dhënë vlerë të merituar poezisë. Ajo është që kritika të fletë me gjuhën e shpatës profesionale e jo të miqësisë e të subjektivizmit pa parime ./rajonipress/