Aliu: Në historinë e pasluftës, asnjëherë Komuna e Gjilanit nuk ka qenë më keq në të gjitha aspektet

Gjilan – Deri sa në fillim, këtë qeverisje e cilësuam si qeverisje të praktikantëve, tani po del se nuk na qenkan as praktikantë sepse zakonisht praktika zgjat 6 muaj dhe pastaj kalon në nivel profesional. Tani, kur po bëhen 3 vite të qeverisjes dhe nuk shohim ende asnjë punë të vetme dhe asnjë projekt të vetëm nga kjo qeverisje, po del se kemi të bëjmë me një mandat të humbur për komunën tonë thotë Avdyl Aliu nga LDK.
Aliu thotë për rajnipress se rritja e kërkesave dhe nevojave qytetare dhe institucionale janë në raport të zhdrejtë me angazhimin e qeverisjes komunale, prandaj me keqardhje konstatojmë për mandatin e humbur dhe për regresin e tmerrshëm të komunës sonë.
“Përkundër bashkëpunimit të ofruar nga LDK si dhe përkundër ekspertizës së ofruar nga ne në funksion të realizimit të projekteve komunitare, fatkeqësisht kemi hasur në kryeneçësi dhe pavullnet nga qeverisja komunale dhe nga kryetari aktual i komunës. I gjithë angazhimi i tij ka të bëjë me punësime partiake dhe familjare, subvencionime me keqpërdorime, jotransparencë të paparë ndonjëherë deri më tani, performancë jashtëzakonisht të dobët, shpenzime me keqpërdorim të bugjetit për dreka dhe udhëtime, mosinteresim për projektet e komunës si: stadiumi i qytetit, shëtitorja e qytetit, autostrada, hyrje daljet në rrugët regjionale, impianti i përpunimit të ujërave të zeza, funksionalizimi i fshatit të lumtur, moszbatimi i vendimeve të kuvendit komunal, shkelja e ligjeve në disa raste, moszbatimi i Planit Zhvillimor Komunal, moskryerja e Hartave Zonale Komunale, varrezat e reja etj etj” tha Aliu.
Aliu tha se edhe pse ka më shumë, ne i kemi identifikuar simbolikisht 101 projekte dhe shkelje nga me te ndryshmet të cilat nëpërmjet pres konferencave do ti paraqesim në ditët, javët dhe muajt në vazhdim.
“Njëkohësisht jemi duke punuar që sa më të përgatitur të na gjej mandati i ri i LDK-së dhe zgjedhjet e reja komunale në të cilat do të rikthehemi bindshëm. Gjilani meriton më mirë dhe shumë më shumë se kaq” mendon asambleisti dhe shefi i grupit të LDK-së./rajonipress/