RCCOLA

Afrim Zeqiri vazhdon betejën me gjykatat kosovare

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rigjykim rastin e Afrim Zeqirit me arsyetimin se Këshilli Gjyqësor nuk është dashur të paditet dhe të kërkohet dëmshpërblim prej tyre sepse nuk ka pasur legjitimitet.
Ky vendim sipas avokatit mbrojtës Masar Morina është marrë pasi Prokuroria ka bërë kërkesë për vlerësim të ligjshmërisë dhe Gjykata Supreme ka vendosur që ta kthejë në rigjykim rastin e Afrim Zeqirit pasiqë Këshilli Gjyqësor nuk ishte kompetent.

Afrim Zeqiri sërish do të përballet me gjykatat e Kosovës derisa të vendoset se kush është institucioni përgjegjës që ai duhet të kërkojë dëmshpërblimin që vuajti padrejtësisht në burgjet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe të Kosovës hiq më pak se 617 ditë, raporton rajonipress.

Zeqiri sipas Morinës do të nisë sërish betejën me gjykatat më 8 tetor 2016 derisa tani do të ketë punë me shtetin e Kosovës, pra Qeverinë, meqë Zeqiri ka kërkuar 420 mijë euro dëmshpërblim. Zeqiri më herët kishte fituar rreth 119 mijë euro betejën me Gjykatën Komunale të Prishtinës, ku një pjesë sipas mbrojtjes i ka shfrytëzuar kurse gjysma tjetër i janë bllokuar derisa të vendoset nga Gjykata.

Ndryshe Gjykata Komunale në Prishtinë kishte vendosur më herët në favor të Afrim Zeqirit, duke qitur në konton e tij 107 mijë euro, derisa vlera e përgjithshme duke e llogaritur edhe kamatën arrinte në 119 mijë euro.

Avokati mbrojtës Masar Morina pati sqaruar se nga 420 mijë eurot e kërkuara në emër të dëmit material dhe jo material kjo Gjykatë, Afrim Zeqirit ia kishte pranuar vetëm 119 mijë euro duke përfshirë këtu edhe kamatën.

Morina tha se këtë shumë Afrim Zeqiri e ka fituar duke llogaritur traumat që ka përjetuar, stresin, vuajtjet fizike e shpirtërore, anën psikike, humbjen e autoritetit, dëmet psikike, vuajtjet në burg, prestigji jetësorë, frika etj.

Morina pati deklaruar se pas shumë peripecive, seancave gjyqësore, kontrollimeve mjekësore, shtjellimit të shumë provave, dëgjimit të dëshmitarëve dhe rrëfimit të vet Afrim Zeqirit, tani ndihemi më të relaksuar. “Ne, por edhe vet Afrimi e ka thënë disa herë që nuk ka çmim që i paguan peripecitë e tij që i ka kaluar nëpër burgjet e UNMIK-ut, por tek e fundit e kemi edhe një derë hapur për të bërë ankesë në Gjykatën e Strasburgut për të kërkuar vlerën reale që arrin në 420 mijë euro” tha Morina.

Avokatët mbrojtës Masar Moirna dhe Bajram Kadriu me kohë kanë bërë kërkesë për kompensim qysh në vitin 2009. Ata kishin bërë kërkesë për kompensimin e dëmit material dhe jo material për 617 ditët që Afrim Zeqiri kishte qëndruar padrejtësisht nëpër burgjet e UNMIK-ut, dhe KFOR-it.

Në procesin e Afrim Zeqirit dhe në luftën për kompensim të dëmit ka pasur edhe oferta qesharake dhe fyese. Departamenti i Drejtësisë në Prishtinë (UNIMK) i kishte ofruar Afrimit një pagesë si dëmshpërblim në vlerë të 5842 eurove.

RCCOLA

Avokati tjetër mbrojtës Bajram Kadriu thoshte se edhe shuma prej 116 mijë eurove është e vogël krahasuar me vuajtjet shpirtërore dhe fizike që ka përjetuar nëpër burgjet e UNMIK-ut dhe KFOR-it, Afrim Zeqiri.

Vet Afrim Zeqiri tha se e ka refuzuar kompensimin e UNMIK-ut sepse ishte fyes dhe jokorrekt. “Vetëm lotët e nënës sime kanë aq vlerë e mos të flas për pasojat tjera që më montoi UNMIK-u duke më shpallur vrasës dhe kriminel. Kjo njollë nuk hiqet lehtë, por e vërteta që u dëshmua në gjyq megjithatë ishte një rehabilitim shpirtëror për mua dhe familjen time të gjerë. Fatmirësisht loja e Beogradit dhe UNMIK-ut dështoi gjatë seancave sepse në rastin tim është atakuar Kosova dhe populli i saj” tha Zeqiri.

Ndryshe, Afrim Zeqiri për herë të parë pas daljes nga burgu ka ushtruar një padi në Gjykatën Komunale të Gjilanit në vitin 2004, por kjo Gjykatë e refuzoi kërkesën e tij për dëmshpërblim me arsyetimin se nuk ishte kompetente.

Afrim Zeqiri më vonë i është drejtuar Departamentit të Administratës Gjyqësore në Prishtinë(UNMIK) e cila i kishte ofruar një shumë simbolike prej 5842 eurove, shumë të cilën Zeqiri e kishte refuzuar.

Ai është arrestuar më 29 maj 2000 dhe është liruar si i pafajshëm më 11 shkurt 2002.

Avokati Bajram Kadriu thotë se paralelisht kësaj janë duke e përgatitur komplet dosjen për rastin Zeqiri, e cila pasi të shteren të gjitha procedurat e instancave gjyqësore në Kosovë atëherë lënda do të dorëzohet edhe në Strasburg. “UNMIK-u mund të ulet në bankën e të akuzuarve në Strasburg sepse ishte Bernard Kushner dhe Hans Hakerup që dy herë ua kishin vazhduar paraburgimin Afrim Zeqirit pa kurrfarë vendimi të Gjykatës. “Ne edhe atëherë kemi konstatuar se kjo ndërhyrje e UNMIK-ut ishte vrasje e drejtësisë në Kosovë” thotë Kadriu.

Sipas Bajram Kadriut dosja e Afrim Zeqirit do të tmerronte Gjykatën e Strasburgut sepse në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për një individ sepse rasti i Zeqirit është trajtuar në nivelet më të larta të OKB-së.

Madje është i njohur “Kodi Zeqiri” i cili u shpik nga këshilltari ligjor i Kofi Ananit vetëm që tu jepte kompetenca prokurorëve ndërkombëtarë në Kosovë. Derisa ishte në paraburgim Afrim Zeqiri ka përjetuar trysni psikike, është mbajtur në arrest në Kampin “Bondstell”, në Burgun e Mitrovicës, në burgun e Prishtinës, dhe të Gjilanit.

Gjatë kësaj kohe në pyetje është marrë me qindra herë. Mbajtja në paraburgim si i pafajshëm ia ka humbur prestigjin në shoqëri dhe në jetë duke pasur për bazë veprat penale që i viheshin në barrë thotë Kadriu. “Terroristi gjakftohtë” tash është i martuar, dhe ka dy fëmijë. /rajonipress/