Afrim Shala emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit

Gjilan – Me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, presidenti i Republikës së Kosovës të mërkurën e ka dekretuar zotin Afrim Shala gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Afrim Shala deri më tani ka qenë Ushtrues i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan dhe gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda të kësaj Gjykate.
Performanca e tij profesionale, si gjyqtar dhe si Ushtrues Detyre i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan është vlerësuar e një niveli tejet të lartë.
Pritet që në mbledhjen e ardhshme Këshilli Gjyqësor i Kosovës të caktojë një gjyqtar si Ushtrues i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Shala i cili është autor i disa librave dhe punimeve tjera profesionale, disa vite ligjërues i lëndës e drejta penale si dhe trajnues i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Institutin Gjyqësor të Kosovës është një kuadër që mund t`i kthej shpresat dhe besimin tek drejtësia. Një profesionist i vërtetë, i pa luhatur dhe i bindur në drejtësi, padyshim që është hap shumë pozitiv për drejtësinë kosovare, që Afrim Shala të avancohet në gjykatës të Apelit.
Afrim Shala njihet si gjyqtarë guximtarë, profesionit, komunikues, i bindur në dijen e tij dhe përvojën që ka në këtë fushë.
Ndryshe, Afrim Shala, edhe si ushtrues detyre i kryetarit në Gjykatën Themelore të Gjilanit ka treguar se është i aftë, i kujdesshëm dhe tejet preciz e profesionist. Me shumë delikatesë dhe bindje profesionale ka shërbyer në këtë periudhë duke treguar shembullin më të mirë të mundshëm në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera negative në shoqëri.
Shoqëria civile, ekspert të fushës juridike dhe avokat me ndikim i kanë dhënë notën më të mirë të mundshme Afrim Shalës.
Ndryshe Afrim Shala, ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe në po të njëjtin Universitet, ka përfunduar studimet postdiplomike të magjistraturës, në drejtimin penalo-juridik.
Provimin e Jurisprudencës e ka dhënë në vitin 2006. Në vitin 2004, përvojën e tij e ka filluar si referent i ekzekutimeve në Gjykatën Komunale të Gjilanit, për të vazhduar mandej si bashkëpunëtor profesional në Prokurorinë Publike të Qarkut në Gjilan. Pozitën e gjyqtarit e filloi në vitin 2010, si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Gjilan. Ishte shef i departamentit të krimeve të rëndë në Gjykatën Themelore në Gjilan./rajonipress/